English

Ministri Donohoe: Shqipëria është pjesë e Evropës, vazhdoni me reformat

Zëvendës ministri i Integrimit Evropian z. Majlind Lazimi, priti sot në një takim Ministrin e Çështjeve Evropiane të Irlandës, z. Paschal Donohoe. Zv. ministri Lazimi, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Irlandës, duke shprehur falënderimet më të sinqerta për rolin aktiv dhe mbështetjen që ky shtet i ka dhënë vendit tonë në procesin e integrimit.

Zv. ministri theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian, është prioriteti më madhor në axhendën e qeverisë shqiptare e cila është e përqendruar maksimalisht tek reformat për përmbushjen e prioriteteve të lëna . “Ne besojmë se Shqipëria është pjesë e Evropës dhe pavarësisht sa kohë na duhet për të kaluar në fazën tjetër, jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund angazhimit tonë”, u shpreh Zv. Ministri gjatë takimit. Duke theksuar se reformat janë të rëndësishme së pari për transformimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit, zv. Ministri e konsideroi si një shtysë vlerësimin që vendet anëtare i kanë bërë Shqipërisë për progresin e bërë.

Ministri irlandez, z. Donohoe, vlerësoi arritjet e Shqipërisë, sidomos masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ministri, ritheksoi mbështetjen e Irlandës për dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. “Shqipëria është pjesë e Evropës dhe ju keni mbështetjen tonë për këtë, ndaj është e rëndësishme që në 6 muajt në vijim të tregoni konkretisht arritjet e vendit, sikurse keni bërë edhe tani”, tha ministri irlandez.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shprehën rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes vendeve, në aspektin politik, ekonomik dhe teknik. U ra dakord për gjetjen e rrugëve për reja, në mënyrë që të jepet asistencë dhe mbështetje nga Irlanda jo vetëm për procesin e integrimit, por edhe për një sërë fushash të tjera që kanë inpakt në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptare.

KOMENTE