English

Si do të llogaritet tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël (VIDEO)

Biznesi i vogël me xhiro deri në 8 milionë lekë në vit, që nga një janari do i nënshtrohet një sistemi të ri taksimi, i cili ndryshon jo vetëm masën e taksës, por edhe procedurat si ajo paguhet.

"Në aspektin procedurial kemi eliminuar ecejaket e biznesit të vogël midis dy administratave, pra tashmë biznesi i vogël do të ndërveprojë vetëm me adminstratën qendrore jo me atë vendore dhe në aspektin e barrës fiskale kemi ulur barrën fiskale nga 10 për qind në 7.5 për qind", tha zëvendësministri i Financave, Ervin Mete.

Por si do të llogaritet tatimi mbi fitimin që këto biznese do të parapaguajnë në shtet?

"Dua t'i bëj thirrje bizneseve të vogla të deklarojnë brenda datës 10 shkurt për të evituar edhe penalitetet. Në datën 10 shkurt bëjnë deklarimin e tyre ku deklarojnë fitimin e vitit të kaluar. Në bazë të këtij fitimi të vitit të kaluar vlerësohen dhe llogariten këstet që do të parapaguhen për këtë vit", tha Mete.

Sipas formulës së re, një biznes i vogël, i cili vitin e kaluar ka realizuar një fitim prej 2 milionë lekë, këtë vit do të parapaguajë 140 mijë lekë tatim, i cili derdhet në katër këste duke filluar që nga 20 prilli. Kjo skemë vlen për bizneset me xhiro nga 2 deri në 8 milonë lekë në vit. Për ndërmarrjet që kanë një xhiro vjetore më të ulët se 2 milionë lekë, taksa është fikse.

"Bizneset e fashës 0 deri 2 do të paguajnë vetëm 1 herë në vit dhe do të paguajnë një tarifë fikse, që është 25 mijë lekë të reja", tha Mete.

Deri tani të gjitha bizneset me xhiro deri në 8 milionë lekë e parapaguanin tatimin mbi fitimin në bazë të një xhiroje që vetëdeklarohej në njësitë vendore bashki ose komuna dhe më pas në 31 mars të vitit pasardhës bënte rakordimin tek tatimet. / TCH/
2035

KOMENTE