Qeveria shqiptare publikoi sot vendimet që do të merren gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare, përkatësisht e qeverisë së Shqipërisë dhe e qeverisë së Kosovës.
Mbledhja e përbashkët do të mbahet në 11 janar në Prizren. Në një dalje për mediat pas takimit të kabinetit qeveritar, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, bëri publike disa detaje për takimin e përbashkët.
“Sot përfunduam përgatitjet e takimit të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe të qeverisë së Shqipërisë, i cili do të mbahet ditën e shtunë, në Prizren", theksoi ministrja Harito.
Sipas saj, disa marrëveshje do të nënshkruhen nga të dyja qeveritë, mes të cilave:
- Nënshkrimi i dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik midis dy vendeve.
- Nënshkrimi i marrëveshjes midis dy qeverive për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë.
- Nënshkrimi i marrëveshjes mes dy qeverive për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës.
- Thellim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian.
Dy projekte për Preshevën, një propozim për bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore për maternitetin e Preshevës dhe gjithashtu miratimin e një propozimi për krijimin e një fondi të përbashkët për zhvillimin e Preshevës.
Në fund të takimit mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë, do të bëhet nënshkrimi formal i këtyre marrëveshjeve dhe gjithashtu të dy kryeministrat do t'i përgjigjen interesit të mediave të pranishme aty.