"Bankers Petroleum", kompania që ka me koncesion pjesën dërrmuese të industrisë së naftës në Shqipëri, deklaroi se po negocion me Qeverinë për efektet e taksave të reja.
Në paketën e re fiskale, Qeveria vendosi të taksojë me akcizë nënproduktet e naftës që kompanitë koncesionare të kësaj industrie importojnë për nevojat e veta.
Sipas Ministrisë së Financave kjo do të sillte 35 milionë dollarë të ardhura në buxhet për vitin 2014, para që do u merreshin koncesionarëve. Por përmes një njoftimi për shtyp, të publikuar në faqen zyrtare, 'Bankers Petroleum' citon presidentin e saj të thotë: "Kompania është në negociata me zyrtarë të lartë të Qeverisë shqiptare për të vlerësuar plotësisht impaktet e ligjeve të reja dhe për të arritur një marrëveshje që do të kompesonte efektet financiare, e drejtë e cila na buron nga marrëveshja koncesionare që ne kemi me Shqipërinë."
Top Channel ka mësuar se institucioni i ngarkuar është Ministria e Energjetikës. Burime zyrtare nga kjo Ministri konfirmojnë lajmin, por bëjnë të ditur se deri më tani nuk është zhvilluar asnjë diksutim konkret. Sipas këtyre burimeve, ato pritet të zhvillohen gjatë ditëve në vijim, me të gjitha kompanitë që operojnë në industrinë e naftës dhe preken nga taksat e reja. Kontributi në buxhet i kompanive që shfrytëzojnë pasuritë natyrore të vendit, ka qenë një temë e nxehtë debatit politik, i përdorur fort nga socialistët, kur ishin në opozitë.
Me ardhjen në pushtet Qeveria e majtë hartoi fillimisht një draft i cili vendoste akcizën mbi importet e koncesionarëve, në të gjitha fazat kërkim zhvillim dhe shfrytëzim. Por vetëm dy ditë më vonë, në Kuvend, Ministria e Financave e korrigjoi draftin duke ripërjashtuar importet në fazën e kërkimit. Tashmë mbetet për t'u parë se cili do të jetë rezultati i negociatave të reja. A do të ketë të tjera ndryshime në ligjin që vendos akcizën mbi koncesionarët apo Qeveria do e mbajë atë të pandryshuar?
Ndërkohë burime konfidenciale jashtë Ministrisë së Energjetikës thonë se një nga kërkesat e koncesionarëve është ajo që taksat e reja t'u njihen si shpenzime të zbritshme për efekt të llogaritjes së fitimit.
Deri më tani kompanitë që shfrytëzojnë naftën në Shqipëri nuk kanë paguar asnjë lek tatim mbi fitimin, pasi deklarojnë se ende nuk kanë rekuperuar investimet. Pak javë më parë, ministri i Financave tha në Kuvend se edhe për vitin 2014, buxheti nuk do të përfitojë asnjë të ardhur tatim fitimi nga nafta, eksportet e të cilës vitin e kaluar ishin gati gjysmë miliardi dollarë ose rreth 4 për qind e Prodhimit Kombëtar/TCH/