Deputetë të PD vizitojnë në burg Kryetarin e Bashkisë së Kamzës, por njëkohësisht nuk kanë munguar dhe deklaratat e tyre duke u shprehur se gjithçka është montur politikisht.
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka është shprehur:
Prezenca jonë e përsëritur pranë këtij burgu për ti bërë një vizitë Kryetarit të Bashkisë së Kamzës, është një tregues i faktit që Partia Demokratike dhe opozita po e ndjek nga afër dhe me mjaft vëmendje këtë proces të montuar politik ndaj një të zgjedhuri vendor.
E themi “Proces i montuar politik”, pasi të gjitha rrethanat e të gjitha faktet e demonstrojnë qartësisht që prapa arrestimit të z. Mziu, kishte një skenar dhe ky ishte një skenar i turpshëm fund e krye politik.
Dhe fakti që fletë arresti u pre në mungesë ndaj një të zgjedhuri vendor që ishte në krye të detyrës dhe në zyrën e tij duke i shërbyer qytetarëve, vetë fakti që u tentuar të përdhoset edhe familja duke sajuar nga kuzhina e Ministrisë së Brendshme trillime se zonja e z. Mziu ishte pronare e një argjendarie duke gjetur gjoja argjendari të vjedhura e sajesa të tilla, ndërkohë që zonja Mziu punonte në një bankë dhe nuk kishte asnjë lidhje me çështje të tilla, tregon qartësisht se ishte skenar i përgatitur.
Edhe mënyra e arrestimit të z. Mziu e tregon qartësisht këtë, pasi u arrestua si të ishte një kriminel shumë i rrezikshëm dhe jo si të ishte një i zgjedhur vendor që nuk kishte nevojë të bëheshin skena të tilla pasi ishte në krye të detyrës dhe nuk përbënte rrezik për tu larguar nga vendi apo nga detyra.
Element tjetër që e përforcon dhe e qartëson bindjen tonë rreth këtij montazhi politik dhe këtij inskenimi është edhe fakti që kjo qeveri po përpiqet dhe po demonstron që po luan me dy standarde, nga njëra anë një i zgjedhur vendor arrestohet si të ishte një kriminel shumë i rrezikshëm dhe dhunohet edhe familja e tij nga ana tjetër një i zgjedhur vendor që është përfaqësues i forcës përfaqësuese në pushtet del në fotografi me kreun e pozitës për të kërkuar mbrojtje ndaj drejtësisë.
Kjo është fytyra e kësaj qeverie, ne u kërkojmë dhe i bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë montuar këtë skenar që po luajnë me zjarrin, dhe sigurisht kush luan me zjarrin do të digjet shumë shpejt vetë me zjarrin.
Mënyra e skenarit ndaj z. Mziu e tregon qartësisht se kryeministri gënjen, sigurisht që fotografia në Vlorë me të zgjedhurin e tij e tregon edhe më shumë këtë që po themi.