English

Kretë, vendi i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë

Reagime të mëdha ka shkaktuar në Greqi lajmi se, arsenali i armëve kimike të regjimit të Sirisë do të shkatërrohet në ujërat ndërkombëtare në jug-perëndim të Kretës.

Deputetë të opozitës greke kanë kërkuar interpelance nga qeveria, pasi i janë referuar një reportazhi të rrjetit britanik BBC, sipas të cilit një anije amerikane do të shkatërrojë armët kimike me anë të hidrolizës, në një zonë detare midis Greqisë, Italisë, Libisë dhe Maltës.

Shqetësimet e tyre vijnë vetëm dy ditë, pasi mbikëqyrësit e OPCW i kanë bërë thirrje qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, që të përshpejtojë dorëzimin e kimikateve të mbetura.

Sipas BBC-së, ngarkesa e parë e armëve kimike është nisur nga Siria, me destinacion Italinë, ku më pas do të ngarkohet në një anije të flotës ushtarake amerikane, e cila do ta çojë në vendin e përcaktuar në Detin Mesdhe.

Zëdhënësja e grupit parlamentar të “Demokracisë së Re” ka deklaruar se qeveria greke është kundër këtij akti, ndërsa përfaqësuesi i “Ekologëve të Blertë” ka kërkuar sqarime nga Komisioni Europian, nëse është në dijeni të këtij plani, nëse ka pëlqimin e Organizatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike dhe OKB-së, nëse procesi i hidrolizës është në përputhje me dispozitat e Konventës dhe Protokollit të Londrës për parandalimin e ndotjes së detit dhe dëmtimit të ekosistemeve detare dhe specieve, si dhe nëse do të monitorohet ky proces/Shekulli/

KOMENTE