English

Rama-Thaçi. Partneriteti strategjik, guri i themelit të një strategjie të përbashkët

Në mbledhjen e dy qeverive të dy shteteve të një kombi, kryeministrit Hashim Thaçi dhe Edi Rama kanë dhënë mesazhin e qartë se mes dy vendeve nuk do të ketë bashkim kufijsh sipas kuptimit të mirëfilltë.

“Jemi sot këtu për të punuar për të ardhmen, nuk ka asnjë dyshim se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare përbën një nga arritjet më të mëdha për dy shtetet shqiptare. Ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri i Shqipërisë në fjalën e tij theksoi se kjo mbledhje ka për qëllim heqjen e kufirit mes dy vendeve por ai foli për një bashkim të stilit të vendeve të Beneluksit.

Nga ana tjetër, Rama u shpreh se nuk mund të ketë bashkim të dy vendeve pasi kjo gjë u është premtuar SHBA-ve dhe BE-se.

“I takojnë një kombi me një gjuhë kulturë të përbashkët, por nëse mbledhja e përbashkët bëhet arsye trembjeje apo inkurajimi për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua të them se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm si një vijë që na kujton qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë apo përpjekjet heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër dhe qoftë dhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre pa të cilët Kosova e lirë dhe e pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur SHBA-ve dhe BE-së", u shpreh Rama.

Nënshkruhet Deklarata e partneritet strategjik

Në kompleksin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij nga Shqipëria, Edi Rama, nënshkruan Deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Marrëveshje u nënshkrua, gjithashtu, edhe në fushën e transportit dhe infrastrukturës, si dhe për bashkëpunim tregtar nga dy ministritë përkatëse.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve dy kryeministrat, Thaçi e Rama, mbajtën një konferencë për shtyp. Ata theksuan se dy vendet kanë rënë dakord që të themelojnë një Fond të përbashkët për Luginën e Preshevës.

Fjala e Kryeministrit Rama pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës:



“Përshëndetje të gjithëve,

Me lejoni që, që në fillim të shpreh emocionin tonë të posaçëm për këtë ditë dhe për këtë moment, duke shprehur në radhën më të parë, përulësisht, mirënjohjen për të gjithë ata që nuk janë më, apo ata që sot janë dëshmitarë të kësaj dite dhe që u përpoqën, u sakrifikuan, dhanë edhe jetën që rruga e shqiptarëve të mbërrinte edhe te ky stacion, ku ne sot jemi mbledhur, në Prizrenin simbol. Simbol shqiptar, por edhe simbol evropian; simbol shqiptar i bashkimit; simbol evropian i bashkëjetesës së historive, të kulturave, të besimeve dhe të etnive.

Nga ana tjetër, me lejoni të nënvizoj se kjo mbledhje ishte një mbledhje pune dhe një mbledhje që vuri një gur themeltar, duke çelur një rrugë të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social dhe kulturor në dy shtetet tona dhe në mbarë hapësirën shqiptare që përkufizojnë këto dy shtete.

Dua ta filloj nga deklarata e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik, që është guri i themelit i një strategjie të përbashkët për hartimin, miratimin dhe zbatimin e politikave të përbashkëta në planin politik, ekonomik, social dhe kulturor. Të gjitha këto politika janë në funksion të përmirësimit të jetës, të jetës së përditshme të qytetarëve tanë, të jetës së përditshme në dy shtet tona, në funksion të jetës të gjeneratave të tjera dhe në përputhje me objektivin e përbashkët të dy shteteve shqiptare për t’u bërë pjesë e BE-së.

Deklarata e përbashkët mbështetet në katër shtylla kryesore: Bashkëpunimi në fushën e politikes së jashtme dhe sigurisë; çështjet e brendshme; ekonomia, arsimi e kultura, së bashku. Dokumenti i përbashkët është po ashtu, konfirmim i vullnetit tonë për të forcuar dhe thelluar marrëdhëniet me aleatet dhe me partnerët tanë të mëdhenjtë strategjik, SHBA dhe BE, si dhe i vullnetit tonë për t’u bërë përçues të një modeli të ri bashkëpunimi dhe zhvillimi për mbarë rajonin. Marrëveshjet po ashtu, që sapo u firmosën, shënojnë një cilësi krejt të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe hapin një kapitull të ri integrimi dhe modernizimi për të dy shtetet tona.



Ekonomitë në të dy anët e kufirit, përmes kësaj deklarate dhe këtyre marrëveshjeve e hapave të paracaktuar në vijim, do të përfitojnë duke mos u ndërtuar vetëm mbi bazën e konkurrencës, padyshim, por dhe mbi bazën e përplotësimit e komplementaritetit. Do të veçoja këtu mes të tjerash, edhe pse është e vështirë për të thëne kush është më e rëndësishme, kush është me pak e rëndësishme, - sepse konsiderojmë që të gjitha këto marrëveshje dhe ato që do të pasojnë në vijim janë komplementare dhe për ketë arsye të gjitha kanë rendësin e tyre, - marrëveshjen në fushën e energjisë.

“Kush nuk kontrollon burimet e veta energjetike, nuk ka asnjë kontroll mbi të ardhmen e vet” - thotë Presidenti Obama. Dhe ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se është koha për një siguri energjetike të garantuar bashkërisht në të gjithë hapësirën e përcaktuar nga kufijtë e dy shteteve tona. Dhe me vendimin për nisjen e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400KW në Prizren, në 21 dhjetor të vitit që sapo mbyllem, si dhe me nënshkrimin sot të marrëveshjes për ndërtimin e linjës 110 KW mes Shqipërisë dhe Kosovës, kemi vendosur gurin e parë shumë të rëndësishëm për atë që më të drejtë ministri i Energjisë së Kosovës e pagëzoi si “autostrada energjetike” mes dy shteteve tona.

Po ashtu, sot kemi firmosur një marrëveshje të rëndësishme që është pjesë e të tërës dhe që ka të bëjë me transportin dhe me infrastrukturën, ndërkohë që kemi vendosur në mbledhje që t’i japim formë përfundimtare dhe shumë shpejt ta bëjmë publik kalendarin e përbashkët të jetës sonë kulturore, duke marrë edhe iniciativën e parë të dy qeverive, bashkëfinancimin e DokuFest-it të Prizrenit, që nga një aktivitet me jehonë jo vetëm brenda Kosovës, por edhe më gjerë, të kthehet në një aktivitet me vulën e përbashkët të të dy qeverive tona.

Duke e mbyllur, dua të theksoj që referenca që bëra në fjalën time hapëse të mbledhjes për vendet e BENELUX-it, mbetet për ne një referencë frymëzuese.

Ne sot kemi bërë një mbledhje të parë të përbashkët, e cila do të pasohet nga një e dytë. Data mbetet për t’u përcaktuar nga Ministrat e Jashtëm, mes fundit të majit dhe fillimit të qershorit, në qytetin e Vlorës. Ku nga njëra anë do të bëhet një bilanc i punës së kryer deri atëherë, dhe nga ana tjetër do të përcaktohen hapat e mëtejshëm dhe kantieret e reja të punës së përbashkët që ne do të bëjmë.

E pra, duke ju referuar vendeve të BENELUX-it kam pasur qartësisht parasysh domosdoshmërinë që ky bashkëpunim dhe kjo qasje të përbëjë dhe një shembull, por edhe një shtysë për të shkuar më tutje dhe për ta luajtur gjithnjë e më fort atë rol që Shqipëria dhe Kosova kanë pasur dhe kanë, rolin e shembujve të paqes, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit ndër rajonal.

Ne jemi të vetëdijshëm se kjo kohë e re paqeje në rajon, ky vit i parë i hapur për rajonin tonë, pa fqinjë me pushkën drejtuar njëri – tjetrit, është një horizont i ri mundësish. Dhe ne së bashku, Shqipëria dhe Kosova, dy qeveritë tona, jemi të vendosur që të shkojmë përpara për t’i shfrytëzuar të gjitha këto mundësi.

Nga ana tjetër, ne jemi krejtësisht të vendosur dhe vullnetmirë për të mirëpritur çdo ide, çdo sugjerim, çdo risi që do të vijë nga të gjitha nivelet e shoqërisë sonë. Historia apo rasti e sollën që të jemi ne sot të pranishëm që ta hapim këtë faqe, por ky bashkëpunim, kjo fazë e re, nuk është ekskluziviteti i dy qeverive. Dhe pavarësisht kundërshtive të natyrshme demokratike, politike që ne kemi, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, ne jemi të vetëdijshëm që pjesë e këtij procesi është edhe opozita, bashkë me të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne. Ashtu sikundër janë të gjitha nivelet e shoqërisë, sepse jemi të bindur që përtej të gjithë kundërshtive, ne ndajmë jo vetëm një gjuhë, por edhe një ëndërr, edhe një qëllim, edhe një vullnet të përbashkët për të bashkuar rrugët tona në rrugën e BE-së”. (vijon)
2040

KOMENTE