English

Qeveria shpreson të nisë shlyerjen e borxheve ndaj bizneseve

Qeveria shpreson të nisë shlyerjen e borxheve të prapambetura ndaj biznesit në tremujorin e dytë të vitit. "Top Channel" ka mësuar se Ministria e Financave pritet që shumë shpejt të bëjë publike strategjinë e pagesave, e cila më pas do të miratohet në Këshillin e Ministrave.

Paralelisht, qeveria është duke ngritur edhe strukturat e posaçme që do të mbikqyrin dhe certifikojnë borxhin e pretenduar nga biznesi. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se në proces do të përfshihet edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas tyre, këto struktura do të vlerësojnë nëse detyrimet e pretenduara janë të ligjshme përmes një kontrolli që përfshin të gjithë hallkat e procesit që nga prokurimi i fondeve dhe deri tek pranimi i faturave përkatëse.

Por, për shkak të numrit shumë të lartë të faturave, verifikimi do të kryhet vetëm për një pjesë të kontratave që do të përzgjidhen sipas metodës së riskut. Kjo pasi verifikimi zë më zë i të gjitha detyrimeve është gati i pamundur dhe do e zgjaste procesin pa fund. Qeveria ka përcaktuar që për vitin 2014 të shlyejë 350 milionë dollarë borxhe të prapambetura, nga të cilat 120 milionë vijnë nga punët publike dhe pjesa tjetër lidhet me TVSH-në e parimbursuar.

Vendimmarrja si dhe raportimi mujor mbi kontratat që do të paguhen, do të jetë kompetencë e një komiteti ndërministror, i cili do të mbikëqyrë të gjithë procesin.

KOMENTE