Ka ndryshuar masa e arrestit për kryetarin e bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
Sipas Apelit, Gjykata e Tiranës kishte vendosur “arrest me burg” për kryetarin e Kamzës, sot u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për Xhelal Mziun.
Prokuroria e Tiranës e akuzon Mziun per tre episode të tjera të kundraligjshme, që lidhen me vendosjen arbitrare të taksave nga Bashkia e Kamzës dhe dëmtimin e fushës së futbollit në Kamëz.
Sipas avokatit gjykata ka argumentuar vendimin për lirimin nga qelia të Mziut me faktin se, nuk ekzistojnë rrethana rënduese për largimin e Mziut apo ndryshimin e provave. Ndërkohë që nga ana e Prokurorisë është kërkuar që të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Tiranës për masën e arrestit.
Vetë Xhelal Mziu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se është i pafajshëm.
Kryetari i bashkisë Kamëz u arrestua në 20 dhjetor, pasi akuzohet për pabarazi në tenderin e ndërtimit të rrugës Valias i Ri-Laknas.