English

2 opsionet për zgjidhjen e toponimeve

Ministria e Jashtme shqiptare është duke diskutuar me palën greke për gjetjen e një zgjidhjeje për sa i përket çështjes së toponimeve të fëmijëve shqiptarë të lindur në shtetin fqinj.

Burime nga Ministria e Jashtme shqiptare bëjnë të ditur se janë dy opsionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje – njëri është modeli që Greqia ka ndjekur për këtë çështje me Turqinë, që nënkupton shënimin në pasaportë të emrit të vendlindjes në dy gjuhë, në greqisht dhe shqip.

Një tjetër opsion, i cili po diskutohet mes palëve, është dhe ai i shënimit të emrit në pasaportë sipas gjuhës angleze, e cila është dhe gjuhë zyrtare ndërkombëtare. Gjetja e një zgjidhje mes palëve do të mbyllë në mënyrë përfundimtare këtë problem të emigrantëve shqiptarë në Greqi. I ftuar në një intervistë televizive në “Vizion Plus”, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi se kjo çështje është në diskutim e sipër me palën greke dhe këto bisedime janë të përfshira në të gjitha nivelet politike.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm deklaroi dje se mes Ministrisë së Jashtme dhe institucionit të Presidencës nuk kishte asnjë ngërç apo konflikt, se procesi i emërimit të ambasadorëve po ecën në mënyrë normale. Ai foli edhe për zërat sipas të cilëve fondi që dy qeveritë kanë vendosur për Preshevën ka natyrë simbolike dhe se vlera e tij nuk qëndron tek ana monetare, por te fakti se dy qeveritë kanë marrë vendimin për të institucionalizuar mbështetjen për shqiptarët, të cilët jetojnë në Luginë.

Problematika

Shqiptarët, të cilët kanë lindur në Greqi fëmijë dhe i kanë pajisur ata me pasaportë shqiptare kanë më shumë se një vit që janë përfshirë në një spirale problemesh. Kjo sepse pala shqiptare i ka shënuar emrat e vendeve ku ata kanë lindur sipas gjuhës shqiptare. Një fakt i tillë nuk është pranuar nga ana e autoriteteve greke, të cilat në mënyrë të herëpashershme kanë bllokuar hyrjen e tyre në Greqi. Situata problematike është zgjidhur vetëm përmes negociatave të momentit mes palëve, dhe diplomacia shqiptare ka dështuar deri tani të japë një zgjidhje përfundimtare për këtë problem. Por në një kohë kur për këtë çështje ishte premtuar një zgjidhje, situata u vështirësua dhe më shumë kur pala greke ka nxjerrë një udhëzim sipas të cilit, familjet që përballen me këtë problematikë nuk mund të rinovojnë dot dokumentet në Greqi dhe për pasojë do të përballen me kthimin mbrapsht në Shqipëri. Të gjendur përballë kësaj situate, emigrantët shqiptarë kanë kërkuar ndërhyrjen energjike të palës shqiptare për zgjidhjen e situatës. Një telefonatë është kryer pak ditë më parë nga ministri i Jashtëm shqiptar, Bushati, kundrejt homologut grek, Venizelos, me rastin e marrjes nga Greqia të Presidencës greke të Bashkimit Europian, ku një nga çështjet e diskutuara mendohet se ka qenë edhe ajo e toponimeve.

Opsionet

Burimet nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur se dy janë opsionet për zgjidhjen e këtij problemi mes dy vendeve dhe që janë duke u diskutuar. Opsioni i parë ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes sipas modelit “greko-turk” për toponimet, sipas të cilit në pasaporta, vendet e lindjeve do të shkruhen me dy gjuhë. Në rastin konkret, emri i vendlindjes pritet të shënohet për emigrantët shqiptarë në pasaporta, në greqisht dhe në shqip. Një tjetër opsion është edhe ai i shënimit të këtyre emrave në gjuhën angleze, e cila është gjuhë zyrtare ndërkombëtare. Palët pritet të arrijnë shpejt në një marrëveshje e cila do t’i japë fund problematikës me të cilën po përballen shumë familje shqiptarësh që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, Greqi/TCH/

KOMENTE