English

Mbyllet sistemi satelitor për armët kimike të Sirisë. Mister shkatërrimi i tyre (VIDEO)

Mediat greke ditën e sotme kanë bërë të ditur se janë “zhdukur” nga harta anijet e ngarkuar me armët kimike të Sirisë si dhe anija shoqëruese e OKB-së. Kjo ka ndodhur për shkak se, është mbyllur sistemi satelitor që monitoron lëvizjen e tyre.

Mediat botërore bëjnë të ditur se, i gjithë procesi i transportimit dhe i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë është mbajtur i fshehtë. Armët kimike janë ngarkuar në anijen “Ark Futura” që mbante flamurin danez dhe në anijen “Taiko” që mban flamurin e Norvegjisë, të cilat kanë mbërritur në portin e Latakias në fshehtësi të madhe. Dy anijet janë parë për herë të fundit pranë ishullit të Qipros më 29 dhjetor 2013.

Mbyllja e sistemit satelitor që monitoron lëvizjen e anijeve, mendohet se ka për qëllim mbajtjen sekrete të pikës, ku do të bëhet shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë.

Mediat e shtetit Helen shkruajnë se, “ka ardhur koha që armët kimike të presidentit sirian Bashar Al Assad të shkatërrohen në detin Mesdhe”. Ndërsa, Ministria e Jashtme greke dje ka publikuar një njoftim, ku ambasada amerikane në Athinë ka kërkuar nga qeveria greke, që të japë ndihmën e saj në procesin e shkatërrimit të arsenalit kimik sirian.

Nga Athina zyrtare kërkohet një port, që flitet se mund të jetë ai i Kretës për të ndihmuar në transportimin e armëve kimike drejt Italisë më pas.

Ndërkohë edhe në Italinë fqinje ka spekulime në lidhje me portin që do të përdoret për transferimin e armëve kimike siriane në anijen amerikane që do i shkatërrojë në ujëra ndërkombëtare, ndërsa flitet se njoftimi zyrtar do të bëhet të enjten më 16 janar.

Sipas planit për shkatërrimin e armëve kimike siriane, anijet daneze dhe norvegjeze do të sjellin armët kimike në Itali, ku do të bëhet dhe ngarkimi i tyre në anijen amerikane “Cape Ray”. Më pas ngarkesat do të transportohen në ujerat mes Greqisë dhe Italisë, ku do të shkatërrohen, por nuk është bërë e ditur se ku është vendi i përcaktuar.

Mediat italian kanë bërë të ditur se disa luftanije të vogla skandinave, ruse dhe kineze kanë hyrë në ujërat e Italisë dhe do të shërbejnë për të mbrojtur dy anijet e ngarkuara me armët kimike të Sirisë/Flashnews.gr/ l'Espresso/Shekulli/
2043

KOMENTE