Seksioni për Krimet e Rënda në Komisariatin e Policisë Krujë realizoi ditën e djeshme një ndërhyrje përmes së cilës u bë e mundur kapja e ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Artan Bibaj, 32 vjec, banues në Fushë Thumane Krujë, dënuar nga drejtësia italiane me burgim të përjetshëm.
Ky shtetas është shpallur ne kërkim nga Zyra Qëndrore e Interpol Tirana më datë 13.11.2012, pasi Gjykata e Firences, Itali ka parashikuar ndaj tij dënim maksimal duke e dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje”, “Vrasje e mbetur në tentativë” e “Mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 575, 59, 2, 885/67, 61 të Kodit Penal italian.
Realizimi i kapjes së këtij shtetasi u bë i mundur gjatë një ndërhyrje rreth orës 19.30 në qytetin e Fushë Krujës e konkretisht në aksin rrugor Thumanë – F.Krujë.
Lidhur me kapjen e këtij shtetasi efektivët e Komisariatit të Policisë Krujë kishin punuar me intensitet në vazhdimësi mbi lëvizjet e tij, për të përmbyllur vetëm dje me kapjen e të shumëkërkuarit këtë proces, gjatë një kontrolli të befasishëm në kohën kur udhëtonte me një automjet me targa të huaja. Me shoqërimin e tij në ambientet e Policisë së Krujës u bë edhe ekzekutimi i Urdhrit të Arrestit Ndërkombëtar.
Materialet lidhur me rastin iu përcollën për ndjekje Prokurorisë së rrethit Krujë.