English

Bluzat e bardha nga Spitali "Nënë Tereza", e kurojnë për kancer, gabimisht. 500 mijë euro dëmshpërblim

Sonila Neço, 25 vjeç nga Vlora ka paditur mjekët të cilët e kanë diagnostikuar me kancer, por në të vërtetë ajo nuk vuante nga kjo sëmundje. Në fund të dhjetorit të 2013-ës, Sonila ka depozituar në kryesekretarinë e Gjykatës së Tiranës një padi ndaj Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe dy mjekëve, Dh.T. dhe Xh.H., me objekt "Shpërblimin e dëmit të shëndetit në shumën 500.000 euro".

Padia e 25-vjeçares është hedhur në short dhe brenda pak ditësh, gjykatësi Asim Vokshi do të fillojë shqyrtimin e saj. Sonila Neço, e cila ka pësuar dëmtime të rënda të shëndetit nga kimioterapitë e bëra në Spitalin Onkologjik, në një kohë që nuk vuante nga kanceri, por nga një infeksion i thjeshtë, e kishte ngritur edhe më herët një padi të tillë, por për shkak se nuk ishte paraqitur në proces, gjykata e ka pushuar, sipas ligjit.

Historia

Në qershor të 2009-ës, Sonila Neço është shtruar në spitalin infektiv në QSUT, pasi kishte temperaturë të lartë dhe dhimbje nën sqetull. 25-vjeçarja ka qëndruar për rreth nëntë ditë në këtë spital dhe mjekët e kanë transferuar për në Spitalin Onkologjik, ku i është nënshtruar një operacioni, ku ka hequr një masë të qelbëzuar. Kjo masë, është çuar për ekzaminim në laboratorin e Onkologjikut. Në përgjigjen e analizës së biopsisë thuhet se Sonila Neço vuante nga sëmundje e pashërueshme. Mbi bazën e kësaj analize, pacientja vetëm 25 vjeçe, i është nënshtruar katër seancave me kimioterapi në Spitalin Onkologjik dhe rreth 2 muaj rrezatim kobalti. Me të njëjtat mostra laboratorike të Spitalit Onkologjik në Tiranë, vajza ka bërë analizat në një spital grek. Përgjigjet e ardhura nga shtetit helen konfirmonin faktin se vajza nuk vuante nga sëmundje tumorale, për të cilën ishte kuruar në Shqipëri, dhe sipas mjekëve grekë, nuk duhej të ishte trajtuar me kimioterapi apo trajtim me rreze, trajtime të cilat i kanë sjellë dëme të rënda të shëndetit.

Hetimi

Vajza e re, e cila ka pësuar dëme të pariparueshme të shëndetit, për shkak të pakujdesisë së mjekëve, iu drejtua Prokurorisë, duke i denoncuar bluzat e bardha dhe duke kërkuar gjetjen e fajtorëve. Prokuroria, e cila hetoi disa muaj për çështjen, nuk mundi të gjejë prova për fajësinë e mjekëve, ndaj për këtë arsye, vendosi pushimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve. Pacientja e dëmtuar, e cila po vuan pasojat e mjekimit për një diagnozë të gabuar, e 'goditi' në gjykatë këtë vendim të Prokurorisë, duke i cilësuar të paplota hetimet e organit të akuzës. Gjykata e Tiranës, pasi shqyrtoi çështjen, urdhëroi prokurorinë të rinisë hetimet për rastin në fjalë. /GazetaShqiptare/

KOMENTE