English

Vendimet dhe projektligjet e miratuara sot nga këshilli i ministrave

Kryeministri Edi Rama drejtoi sot mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në të cilën u miratuan vendimet dhe projektligji i mëposhtëm.

PROJEKTLIGJ:

1. Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”.

Projektligji propozon shfuqizimin e të gjithë dispozitave që kanë të bëjnë me ekzistencën dhe veprimtarinë e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës për shkak të dualizmit të kompetencave të kësaj qendre. Gjithashtu, propozohet një riorganizim i disa institucioneve të artit, me qëllim profilizimin sipas fushës së veprimtarisë.



VENDIME:

1. Për rregullimin e disa çështjeve në zbatim të ligjit nr.170/2013, datë 14.11.2013, “Për miratimin e marrëveshjes së asistencës së shërbimit doganor”.

Ky vendim ka synim përcaktimin e modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes së asistencës së shërbimit doganor.

2. Për lirimin dhe mandatimin e disa anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit.

Me anë të këtij vendimi lirohen dy prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit për shkak të përfundimit të mandatit dhe mandatohen në detyrë të dy anëtarë të rinj.

3. Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Gjeorgjisë, për udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.

Marrëveshja parashikon që mbajtësit e pasaportave të vlefshme diplomatike dhe të shërbimit, shtetas të secilës palë, kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në territorin e palës tjetër pa vizë për një periudhë deri në 90 ditë brenda 180 ditëve nga data e hyrjes së parë.

4. Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”, të ndryshuar.

Vendimi ka si qëllim përditësimin e listës së miratuar të personave të shpallur si financues të terrorizmit me listën e shpallur si të tillë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

5. Për një ndryshim në vendimin nr.500, datë 6.7.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e kryetarit dhe të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil”, të ndryshuar.

6.Për emërimin e z. Adrian Thano në detyrën e anëtarit të bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC).

7. Për një ndryshim në vendimin nr.849, datë 19.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për funksionimin e Fototekës Kombëtare “Marubi” dhe për kalimin e përgjegjësisë së administrimit nga bashkia e Shkodrës Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”.

8. Për një ndryshim në vendimin nr.840, datë 21.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e kabllit nëndetar ndërkombëtar me fibër optik Bari (Itali) – Gjiri i Lalzit (Shqipëri) (projekti Balkans – Itali Network)”, të ndryshuar.

Ndryshimi i propozuar me këtë vendim ka si qëllim ripërtëritjen e afatit të lejes, deri në shkurt 2017, për realizimin e shtrimit të fibrës optike nënujore, e cila, do të ketë si pikë nisjeje qytetin e Barit në Itali dhe si pikë hyrëse Gjirin e Lalzit në Shqipëri.

KOMENTE