Sot presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, mbërrin në Tiranë me ftesë të presidentit shqiptar Bujar Nishani.
Vizita e kreut të shtetit bullgar zhvillohet në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Thellimi i dialogut politik dhe tregtisë mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, procesi i integrimit i Shqipërisë si dhe çështjet me rëndësi dypalëshe do të jenë në qendër të takimeve të kreut të shtetit bullgar me autoritetet shqiptare.
Presidenti Plevneliev do të zhvillojë sot në takim me homologun e tij shqiptar Bujar Nishani, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për mediat.
Gjithashtu, kreu i shtetit të Bullgarisë do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta.
Më pas në ambasadën bullgare në Tiranë, të dy presidentët Plevneliev dhe Nishani do të takohen me përfaqësues të biznesit, ku do të diskutohet për thellimin e tregtisë mes dy vendeve.
Më pas, të dy presidentët do të marrin pjesë në ekspozitën që do të zhvillohet me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatatike mes Shqipërisë dhe Bullgarisë që do të zhvillohet në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në këtë eveniment do të performojnë edhe grupet folklorike nga të dyja vendet.
Ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri, presidenti bullgar Plevneliev do të takohet me kreun e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ndërsa do të vendosë edhe një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.
Gjithashtu presidenti bullgar do të zhvillojë edhe një vizitë në qytetin e Krujës ku do të vizitojë edhe kalanë dhe muzeun etnografik.