Me një investim prej 10,4 milion lekë Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar rrugën “Preng Jakova” në njësinë bashkiake nr.7. Përgjatë kësaj rruge është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, ujësjellësi është vendosur, ndriçimi rrugore dhe gjelbërimi, një standart i ri i sjellë në çdo rrugë të ndërtuar apo rikonstruktuar nga Bashkia në dy vitet e fundit, si dhe është bërë zëvendësimi i mureve rrethuese me kangjella.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo e ka cilësuar përfundimin e kësaj rruge shprehje të vullnetit të Bashkisë për të përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve të kryeqytetit.
“Ky është një tjetër investim i Bashkisë Tiranë, një tregues i përkushtimit të Bashkisë për të përmirësuar standardin e jetesës në të gjitha lagjet, edhe në lagjet e Tiranës, është një rrugë e cila siç e shikoni ka marrë një pamje të mrekullueshme, 500 m lineare instalime, tubacione të ujërave të bardha dhe të ujërave të zeza, rikonstruksion i plotë i rrjetit të ujësjellësit, rreth 20 copë pemë bli dekorative dhe janë prishur në shumicën dërrmuese të rrugës, muret rrethuese për t’u zëvendësuar me kangjella në mënyrë që të marrë një pamje edhe më të bukur. Besoj se kjo rrugë por edhe rrugë të tjera që do të jenë në vijim, edhe të gjitha veprat me të cilat Bashkia e Tiranës interesohet dhe ka investime, tregon edhe njëherë përkushtimin ndaj komunitetit dhe mbajtjen e premtimit tonë për një Tiranë europiane, për një Tiranë të shekullit të XXI-të”-tha Bozdo.
I pyetur për kërkesën e operatorëve të transportit urban për rritjen e çmimit të biletës, nënkryetari i Bashkisë ka deklaruar sërish qëndrimin e Bashkisë kundër rritjes së çmimit.
“Ju e dini tashëm pozicionin shumë të fortë të Bashkisë së Tiranës, çmimi i biletës për Bashkinë e Tiranës nuk duhet të rritet në asnjë mënyrë. I takon qeverisë të shikojë mekanizma të tjerë financiar të pa eksploruar akoma, të cilët mund t’i sjelli operatorët në kushte më të mira, të përfitueshmërisë së tyre ekonomike. Në mënyrë që cilësia e shërbimit në Tiranë të ngelet ajo që është, kemi bërë një sforco të madhe për t’a sjellë cilësinë e shërbimit të transportit urban në Tiranë, në këtë nivel që është sot. Ju siguroj, më shumë se gjysma e flotës së autobusëve është i ri, përmirësimi është i dukshëm dhe i prekshëm. Ne kemi shumë nevojë që këtë standard ta mbajmë, por këtu qeveria duhet të ndërhyjë jo duke rritur çmimin por duke eliminuar ndoshta akcizën, ndoshta TVSH-në për karburantin, ndoshta edhe taksën e re që u rrit dhe ja ka bërë jetën të gjithëve më të shtrenjtë”-theksoi Bozdo.