English

Rama: Asnjë tolerim ndaj bilanceve të rreme. Koha e tallavasë me financat ka mbaruar. Portal online për ankesat e biznesit

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësuesit e biznesit se Qeveria do të ndërhyjë për të çmontuar monopolin e pullave fiskale.

"Së shpejti do të avancojmë edhe me disa koncesione që janë kthyer në problem. Ai i pullave fiskale është një problem shumë i madh sepse nuk ka garantuar asnjë lloj ndryshimi cilësor të këtij shërbimi. Eshtë një situatë e papranueshme. Ministria e Zhvillimit Ekonomik pothuajse është në përfundim të studimit dhe shumë shpejt qasja e zgjedhur do të jetë publike dhe ne do të japim propozimin tonë për Parlamentin", tha Rama.

Kreu i Qeverisë paralajmëroi se nuk do të tolerohet askush nga biznesi që do të vijojë së mashtruari me bilance të rreme.

"Ato dy bilance, tre bilance i bëni vetë ju. Ato probleme të mëdha që ndeshen në hendekun se çfarë i tregoni bankave, cfarë i tregoni shteti nuk i krijon ndonjë nga ata ekstremistët në Europë. Ne duhet të jemi të gjithë së bashku të bindur që koha e tallavasë me financat ka mbaruar. Ne përfaqësojmë shtetin që ka detyrimin të mos lejojë tallavanë me bilancet dhe me ato historitë e tjera që ju i dini më mirë", tha Rama.

Interesit të biznesmenëve për mënyrën se si do të shlyhen borxhet, Kryeministri Rama sqaroi se për këtë çështje do të ngrihet një komision për t'i dhënë hakun gjithësecilit.

Më pas në fjalën e tij Rama theksoi se është ngritur sekretariati i Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili do të trajtojë të gjitha problemet, ankesat dhe kërkesat e biznesit.
Ai gjithashtu bëri publik edhe ngritjen e një portali online ku biznesi mund të shpreh kundërshtinë apo dakordësinë për nismat e qeverisë.
“Do të prezantojmë një risi në shërbimin e sipërmarrjes dhe në vazhdën e ngritur me këshilllin ekonomik kombëtar që do të shërbejë si një forum ku do të trajtohen të gjitha kërkesat e sipërmarrjes në raport me administratën, qeverisjen dhe kuadrin legjislativ. Për ta bërë të mundur që komunikimi i cdo sipërmarrësi me qeverinë të jetë i drejtpërdrejtë, i hapur dhe konkret në mënyrë që ne të jemi në gjendja ti vijmë në ndihmë çdo biznesi kur ndeshet me pengesa arbitrare apo administrative ne kemi krijuar edhe sekretariatin e këshillit ekonomik kombëtar. Ky portal online i përgatitur enkas për sipërmarrjen, që ajo do të informohet për të gjitha nismat e qeverisë përpara se ato t`i kalojnë këshillit dhe nund ti kontribuojnë për të pasur një opinion pro dhe kundër një nisme të caktuar. Portali do të vlejë edhe për informimin në kohë reale të problemeve që mund ti dalin çdo sipërmarrësi në raport me shtetin, administratën doganore dhe tatimore. Ne këtë e shohim edhe si mbështetje për qeverinë për projektin e saj për luftuar informalitetin dhe arbitraritetin dhe është një përpjekje për të ngritur një nivel të ri qasjeje dhe sjelljeje të administratës doganore e tatimore” tha Rama.

KOMENTE