Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani:
Të dielën në darkë, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një lokal në autostradën Fushë-Krujë - Lezhë, ku dy persona janë plagosur me armë zjarri dhe janë dërguar për mjekim në spitalin ushtarak.
Kjo ngjarje nuk ka dalë në media, sepse Policia e Shtetit është kujdesur për ta mbajtur të fshehur.
Në komunikatat e policisë të ditës së ngjarjes si dhe deri më sot, nuk shkruhet asnjë radhë për këtë plagosje të rëndë të dy shtetasve me inicialet, S.Z dhe A.K.
Është e dukshme se Policia e qarkut të Lezhës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, kanë zbatuar me përpikëri porosinë politike të Ministrit dhe Kryeministrit, për të mos bërë publike të tilla ngjarje, me devizën, po nuk doli në media, nuk ka ndodhur. Me këtë devizë kanë arritur të fshehin deri tani rreth 40% të ngjarjeve të ndodhura.
Kjo do të thotë se, kur Ministri i Brendshëm, ose kryeredaktori i buletineve të policisë, të dalë para medias, do të tregojë me krenari se
kriminaliteti na qenka ulur pasi ka më pak plagosje të rënda, ose tentativa për vrasje.
Fshehja e plagosjes së dy shtetasve, është një akt Kriminal, po aq sa edhe vetë ngjarja e rëndë kriminale që ka ndodhur.
Policia e shtetit, ashtu si në mënyrë të përsëritur Partia Demokratike ka theksuar, po keqpërdoret politikisht, duke deformuar realitetin, dhe duke mos bërë transparencë.
Partia Demokratike vazhdon të këmbëngulë se kjo sjellje e Drejtuesve të Policisë dhe e Ministrit të Brendshëm, nxit edhe më shumë rritjen e kriminalitetit në vend, pasi autorët e krimeve stimulohen në veprimtarinë e tyre kur ngjarja mbahet e fshehtë, nga ana tjetër viktimat e krimit ndihen të tradhtuar kur qeveria dhe shteti nuk bëjnë publike fatkeqësinë e tyre.
Ne i kërkojmë Drejtuesve të Policisë së Shtetit të mos bëhen vegla qorre të Ministrit dhe Kryeministrit, në përpjekjen e tyre djallëzore për të manipuluar realitetin e frikshëm të kriminalitetit dhe pasigurisë në vend.
Partia Demokratike i kërkon Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit ta mbajnë publike Policinë e Shtetit dhe të mos e kthejnë në Polici partiake, të bëjnë transparencë si minimumin e detyrimit ligjor dhe kushtetues që kanë në ushtrimin e detyrës.
Manipulimi, mungesa e transparencës dhe fshehja e ngjarjeve kriminale, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse i vënë drejtuesit e policisë dhe Ministrin e Brendshëm në të njëjtin pozicion dhe në të njëjtin moral, me autorët e ngjarjeve të rënda kriminale.