Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim lamtumirës zëvendësambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kelly Degnan, e cila e përfundon misionin në Republikën e Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar zëvendësambasadoren Degnan për angazhimin dhe punën e madhe gjatë misionit në Kosovë, duke vlerësuar lartë kontributin e saj për Kosovën, gjatë kësaj periudhe.
Hoxhaj po ashtu ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e gjithanshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën në të gjitha fushat.
Zëvendësambasadorja e deritashme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kelly Degnan, ka falënderuar ministrin Hoxhaj për bashkëpunimin e ofruar gjatë misionit të saj në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e saj të mëtutjeshme për Kosovën.