English

Përfshihet nga flakët makina e ish-drejtorit të KESH, Gjergj Bojaxhiut

Automjeti i Gjergj Bojaxhiut, ish-drejtor i KESH-it, është përfshirë nga flakët mesnatën e së hënës, kur ndodhej i parkuar në oborrin e shtëpisë në periferi të Tiranës.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës në afërsi të fshatit Lundër të komunës Farkë në Tiranë. Burime nga policia thanë se për shkak të zjarrit që ka përfshirë automjetin tip “Fiat” të Bojaxhiut, flakët kanë kaluar edhe tek automjeti tjetër, po “Fiat”, që ndodhej i parkuar pranë, duke e djegur tërësisht edhe atë. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e komisariatit Nr.1 të Tiranës, si dhe një automjet zjarrfikës.

Djegia e makinave është dyshuar si aksidentale, për shkak të ndonjë shkëndije elektrike. Nga policia nuk është përjashtuar as zjarri i qëllimshëm, që sipas Policisë ka më shumë të dhëna të jetë i tillë, për shkak edhe të provave të gjetura në vendin e ngjarjes.

Pas shuarjes së zjarrit, ekspertët e Policisë dhe zjarrfikësit kanë bërë këqyrjen e të dy automjeteve, për të siguruar provat lidhur me shkaqet e ngjarjes. Burimet thanë se nga verifikimet paraprake të kryera në vendin e ngjarjes, por edhe për shkak të mbetjeve të blozës së benzinës, dyshohet se zjarri është i qëllimshëm. /Panorama/

KOMENTE