Qëndrimi i kryetarit të PD në grupin parlamentar, për dorëheqjen e deputeteve gra të PS; “Kjo është një kambanë alarmi, demonstrim i pashembullt i forcës së krimit, mu në zemër të demokracisë”. Partia Demokratike nuk do të qëndrojë jashtë Parlamentit, por ka vendosur të përballet në Kuvend dhe kudo tjetër me koalicionin Rama-Meta, për të cilin kreu i opozitës përdori gjuhën më të ashpër politike, shprehet kreu u PD-së z. Basha.
Fjala e tij e plotë
Dua të përgëzoj grupin parlamentar të Partisë Demokratike dhe aleatët për qëndrimin parimor dhe dinjitoz që mbajtën në seancën e sotme në Kuvend përballë një klani politik shumë të rrezikshëm të qeverisë me Edi Ramën në krye.
Sot, në zbatim të platformës së tij ogurzezë që ka shpallur që ditën e parë nga foltorja e Kuvendit, ku na njoftoi se s’kemi parë gjë akoma, dhe në vazhdën e akteve të njëpasnjëshme të arrogancës, paligjshmërisë, të urrejtjes ndaj ligjit, Kushtetutës, opozitës, institucioneve të pavarura, që ne i kemi denoncuar tashmë një për një e flakë për flakë përpara opinionit publik dhe para partnerëve ndërkombëtarë, Rama dëshmoi edhe njëherë më qartë se kurrë bashkë me klanin e tij, se nuk janë gjë tjetër veçse krahu politik i krimit, krahu politik i mafies më të rrezikshme në Kuvend, shërbëtorë në Parlament dhe në qeveri të krimit, pengje të mafias që u dikton vendimet, vijën e sjelljes dhe gjithçka.
Katër gra socialiste u detyruan të japin dorëheqjen nga mandati i deputetit nën kërcënimin e dhunës më të egër që ka miratimin dhe bekimin e Edi Ramës. Kjo është një ditë e zezë për Kuvendin e Shqipërisë, për shoqërinë shqiptare, për gratë shqiptare, për bijtë dhe bijat e Shqipërisë. Kjo është një kambanë alarmi e paprecedentë për demokracinë shqiptare. Shqipëria e di dhe falë angazhimit tonë, bota mbarë do ta marrë vesh këtë demonstrim të pashembullt të forcës së krimit, mu në zemër të demokracisë dhe institucionit numër një të saj që është Parlamenti.
Grupi Parlamentar dhe aleatët nuk u pajtuan, u ngritën në këmbë. Gratë deputete të Partisë Demokratike reaguan në emër të dinjitetit të gruas shqiptare që nuk mund të pranojë të dhunohet, fyhet e poshtërohet në këtë mënyrë. Të gjitha forumet e grave në vend, të gjitha gratë e Shqipërisë do të ngrihen në këmbë kundër këtij poshtërimi. Ne do ti mbështesim. Partia Demokratike do t’i mbështesë. Gjithë bota demokratike do të tronditet nga kjo që ka ndodhur në Shqipëri sot, e do t’i mbështesë gratë e Shqipëri sepse ky nuk është thjeshtë një problem i këtyre mandateve, por është shumë më i thellë se kaq. Është problemi i revanshit që ka marrë dhe po merr krimi, i ekzistencës ose jo të demokracisë të stilit perëndimor në Shqipëri.
Rilindja apo tritoli ka qenë që në pikënisje prognoza e qeverisë Rama-Meta. Rilindja tashmë është arkivuar si një mashtrim i madh i Edi Ramës, për të mashtruar ata që u mashtruan. Tritol-politika është qeverisja e tij. Me paaftësinë, papërgjegjshmërinë flagrante, urrejtjen ndaj opozitës dhe shtypit të lirë, pamundësi për të bashkëjetuar me Kushtetutën dhe ligjin e demokracisë, ai ngre në këmbë me shpejtësi një sistem të pasigurisë totale dhe terrori të mirëfilltë.
Po ju lexoj, jo për ju që ishit në sallë, por për publikun vetëm një fjali nga monologu i tij i sotëm pa pikë e presje në Kuvendin e Shqipërisë. “Unë e di se disa prej jush duke u nisur nga pragu i shtëpisë janë në hall të madh se kanë bërë shumë të këqija”.
Kështu e ndërsen krimin kundër opozitës ky palo kryeministër që mendon se mund të bëjë prokurorin dhe gjyqtarin, t’i tregojë ai dhe jo ligji e drejtësia se kush ka bërë keq e kush jo.
Një kryeministër që flet kështu nuk pranohet kurrë në klubin e demokracive perëndimore, por flaket jashtë si një relike e vjetër e antishtetit, antiligjit e antidemokracisë. Edi Rama ka zgjedhur të dalë para opozitës dhe opinionit si rreziku më i madh publik sot në Shqipëri. Përballë do të na ketë. Përballë në Kuvend, përballë në çdo hapësirë të komunikimit me qytetarët, në sheshet e protestave dhe revoltës që po ngrihet anë e mbanë vendit kundër kësaj qeverie. Ky është qëndrimi ynë dhe dua edhe njëherë të përshëndes qëndrimin e prerë, parimor dhe dinjitoz të grupit tonë parlamentar dhe të aleatëve tanë sot në Kuvend.