“Top-Story” këtë të enjte u zhvendos nga studiot e tij të zakonshme për në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për një arsye të thjeshtë… rikujtimin e 21 Janarit më famëkeq të historisë së Shqipërisë, atë të vitit 2011.
Drejtëpërdrejtë nga Bulevardi, Sokol Balla u rikthye në vendngjarjen që krijoi një plagë ende të freskët në shoqërinë shqiptare, për të ritreguar edhe një herë ato fakte që ne njohim, por edhe një këndvështrim të ri të kësaj ngjarje në emisionin e përjavshëm politik të së enjtes.
Sot, në bulevard dhe përreth godinës së Kryeministrisë, shumë gjëra kanë ndryshuar. Mbi të gjitha janë hequr kangjellat që përbënin një gardh rrethues të këtij institucioni,
21 janari
“Drejtësia të gjejë fajtorët e 21 Janarit”
“Viktimat e 21 Janarit u përdhosën”
Tre vjet nga vrasja e 4 protestuesve
e është hequr edhe porta e madhe e saj.
Tashmë, Kryeministria është e hapur. Ndoshta prej kontekstit që dëshironte të transmetonte kryeministri i ri, zoti Rama, i vendosur që të japë një mesazh të qartë se njerëzit gjatë qeverisjes së tij do të trajtohen ndryshe. Natyrisht, në këto tre vite që kanë kaluar shpejt, kanë ndryshuar edhe shumë prej figurave politike të vendit.
Ai kryeministër që qëndronte në dritaren e zyrës së tij duke parë turmën në 21 Janar nuk është më, e është zëvendësuar nga njeriu që thirri atë protestë pas transmetimit të atij videoskandali nga “Fiks Fare”.
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili atë ditë qëndronte në tarracën e Kryeministrisë për të mbikqyrur protestat së bashku me snajperistët e gardës, tashmë është kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Gjatë këtyre viteve, u zhvillua edhe procesi gjyqësor, i cili vendosi në bankën e të akuzuarve dy përgjegjësit kryesorë Agim Llupo dhe Ndrea Prendi, të cilët rezultuan të dy të pafajshëm pas një procesi të mbushur me shumë polemika.
Ishin pikërisht ata të dy, që ndonëse u shpallën të pafajshëm, përtej të gjithë dyshimeve u provuan si qitësit në vrasjen e të paktën tre prej katër viktimave të asaj dite nga FBI dhe Prokuroria Shqiptare.
E për të risjellë në vëmendje të gjithë atë që ndodhi atë ditë fatkeqe, në këtë tregim të parrëfyer të atyre ngjarjeve, Sokol Balla realizoi lidhjen e parë të mbrëmjes me Brukselin, ku kanë fituar statusin e azilantit politik Fatos Mahmutaj, gazetari që të gjithë e mbajmë mend për plumbin që i kaloi vetëm centimetra pranë kokës duke e plagosur në dorë dhe Hysni Peposhi, miku i të ndjerit Hekuran Deda dhe personi që regjistroi një video amatoriale tepër tronditëse të atyre ditëve.
“Plumbi i parë më kapi mua në dorë dhe i radhës të ndjerin Deda në kokë. Ai ishte ngjitur me mua”, tregoi Mahmutaj. “3 vjet më pas jam edhe më i bindur se atë 21 Janar ajo ishte një vrasje e qëllimshme. Unë e kam fiksuar mirë në mendje dhe s’do të më shkulet nga kujtesa momenti kur ai gardisti në bodrum e kishte armën e drejtuar përtokë, e ngriti, e drejtoi dhe qëlloi mbi ne. E kam fiksuar mirë kur shihja flakën që dilte nga gryka e armës së tij dhe goditja e plumbave. Pashë flakët dhe nuk e ndieva plumbin që më goditi, por më kujtohet shpërthimi i mbytur i kafkës së Dedës dhe trungu e gjethet e pemës që binin. Vetëm më vonë kuptova që edhe unë isha i plagosur”, kujtoi Mahmutaj.
Ish-reporteri që i shkoi vetëm centimetra larg vdekjes në 21 Janar, asnjëherë nuk besoi se procesi gjyqësor ndaj gardistëve Llupo-Prendi mund të kishte pasur një përfundim të ndryshëm. “Do të doja që çdo ngjarje e trishtë të harrohej. Të përkujtohej po, por jo që njerëzit të jetojnë me të. Disa pika të errta duhen harruar për të ecur përpara. Nga ana tjetër, sistemi i drejtësisë, ajo ngjarje e 21 Janarit ka për të qenë jo një njollë e errët, por një damkë e errët, pasi vetëm drejtësi nuk u arrit në atë formë, ndonëse unë e kam paralajmëruar këtë në ekranin tuaj në një-vjetorin e asaj proteste. Pasi pashë ecurinë e hetimeve dhe ngutjes për ta çuar në gjykatë me provat e masakruara nga prokuroria, nga përvoja që kisha si reporter i gjyqësorit krijova bindjen, fatkeqësisht të vërtetë që nuk do të kishte drejtësi. Besoj se Rama ka dashamirësinë për ta zbardhur këtë ngjarje, e uroj sinqerisht që t’i dalë deri në fund e këtë ta bëjë jo për mua, pasi dora ime tashmë është shëruar, por për ata tetë jetimë që kanë mbetur pa baballarët e tyre”.
Nga Brukseli, zoti Peposhi kujtoi edhe një herë arsyet që e shtynë atë dhe të ndjerin Deda që të dilnin në atë protestë. “Qëllimi i parë dhe i vetëm ishin kushtet e jetesës. Unë isha i pakënaqur, ndonëse për shumë vite me radhë kam qenë përkrahës i qeverive të djathta. Kështu ndihej edhe Hekurani”.
“I kujtoj të gjithë miqtë ende në tavolinë përpara protestës dhe ndihem shumë keq. Gjithçka e kam të regjistruar në kujtesë. Ishte një vrasje me dashje e unë kurrë nuk do të marrë vesh se si mund të ketë një vrasje rastësore kur dikush të qëllon drejtëpërsëdrejti”, shtoi personi, vaji i të cilit për mikun në fund të jetës në bulevard, në videon që u transmetua pak më pas, bëri xhiron e Shqipërisë.
E ndërsa Hysni Peposhi humbi një mik, Zabit Deda humbi një vëlla. “Sa herë që vijmë këtu ndiejmë trishtim, ndiejmë një pengesë që se kemi vëllain tonë. Nuk ndihemi mirë. Hera e parë na është vrarë vëllai këtu dhe për herë të dytë na u vra në gjykatë, ku po e zvarrisin punën, po e nëpërkëmbin. Qeveria e re na ka premtuar që do i vënë përpara drejtësisë ata, por sa kohë Berisha të jetë në skenën politike nuk kemi shumë shpresa. Unë Hekuranin e takova një ditë më parë dhe atë mëngjes. Unë u nisa për në punë dhe ai në protestë. Kjo është hera e fundit që e pashë”, thotë ende i lënduar zoti Deda.
Megjithatë, të gjithë këto histori personale dhe version i të gjithë ngjarjeve mund të kishte qenë i ndryshëm, nëse nuk do të kishte qenë për një njeri, për gazetarin Artan Hoxha, që provoi përtej çdo dyshimi që vrasjet ishin bërë nga gardistët dhe jo nga brenda turmës.
Për të rikujtuar, versioni i parë që u hodh në media pas atyre ngjarjeve ishte ai i kryeministrit Berisha, i cili tha atëherë: “Ka prova për praninë e armëve të sofistikuara, çadra pistolertë, stilolapsa pistoletë, thika me helm që do të përdoreshin në stade të caktuara të këtij grushti shteti, të kësaj përpjekje të turpshme për të marrë pushtetin me dhunë. Disponoj të dhëna se grupe prej pesë vetësh, ndoshta dhjetë të tilla, u stërvuitën ditë të tëra në zona të ndryshme me armë sulmi. Disponohen të dhëna se ky puç u financua me së paku dy milionë dollar”.
Pak orë më pas, videot e Artan Hoxhës treguan se si i ndjeri Ziver Veizi qëllohej direkt nga bodrumi i Kryeministrisë. i rikthyer në të njëjtin pozicion ku realizoi xhirimet, Hoxha rrëfeu: ”Ky është pozicioni ku unë jam vendosur për të ndjekur protestën. Atë ditë nuk kam pasur ndonjë detyrë specike nga TV ku punoja, dua të them që s’ishte detyra ime të raportoja nga terreni, ndaj u vendosa këtu që të kisha fushëpamje dhe gjëja që më interesonte më shumë ishte vendosja e forcave speciale të gardës dhe policisë, sepse pamje të tilla i doja për emisionin tim “Xhungël””.
“Kemi qenë atë ditë në tre pozicione të ndryshme me tre kamera të ndryshme”, vazhdoi Hoxha. “Kemi atë pesë metra nga unë ku ka qenë i vendosur një kameraman dhe një tjetër nga lart. Për fat e kanë kapur të dyja kamerat momentin kur u rrëzua Ziver Veizim, por një plan ka pasur edhe qitësin më të e momentin kur binte viktima. Që në moment kam qenë i bindur që i ndjeri u godit nga brenda Kryeministrisë, pasi dukej qartë që garda po qëllonte me armë zjarri. Madje debatoja me kolegët që bënin lidhje direkte dhe u kam thënë kur transmetuan gabimisht me titra që po qëllohet me plumba luftarakë dhe jo manovre, sepse degët e pishave po copëtoheshin. Ajo që ndodhi nuk e prisja pasi ndodhi në momentin kur intensiteti i protestës ishte në rënie dhe momenti kur u zgjodh të goditej ishte kur qitësit nga brenda kishin pamje të qartë”.
Pjesa e dytë e Top Story nisi me dëshminë e Erald Vishës, protestues i 21 janarit që vetëm 1 centimetër e ndau nga vdekje. Themi një centimetër pasi Eraldi ishte njëri prej të plagosurve që mori një plumb në kraharor, 1 centimetër larg zemrës. “Plumbi më ka shpuar tej për tej dhe ka kaluar 1 cm larg zemrës. Kur jam qëlluar kam qenë shumë pranë vendit ku është vrarë Hekuran Deda. Rreth orës 16:00 janë dëgjuar të shtënat e para. Në atë moment kam ndjerë një goditje të fortë në gjoks dhe për fat ishte një ambulancë këtu afër dhe kam shkruar drejt Spitalit Ushtarak. Kur është qëlluar me armë kanë qenë momentet e fundit të protestës, kur shumica ishin duke ikur, njerëzit po largoheshin. Traumën në moment asnjë s’e kupton sepse nuk e kupton se cfarë ka ndohur, trauma përjetohet me kalimin e orëve”, kujton Eraldi.
“Sa herë që kaloj, ky vend më jep një plogështi, një hidhërim. Dukemi si vend pa shpresë, pa drejtësi, por urojmë që të gjendet drejtësi, kemi shpresë”, shton ai.
Viktima e tretë e cmendurisë së asaj ditë ishte Faik Myrtaj. Në fakt familja Myrtaj, përvec humbjes së Faikut, disa muaj më vonë u përball edhe me humbjen e njërit prej djemve, që i dha fund jetës. Ai që foli për Top Story ishte Renato, djali i vetëm i Faikut. “Isha në Greqi kur më morën në telefon dhe u nisa në shtëpi. Nuk më treguan menjëherë, por e kuptova se dicka nuk shkonte. E kam marrë vesh kur mbërrita. Nuk them që opozita e atëherëshme nuk ka përgjegjësitë e veta, por me ato cfarë kam parë unë, përgjegjësia bie mbi ish-kryeministrin dhe kriminelët e tij.
Lidhur me shpresën për të vendosur drejtësi për 21 janarin, Renato thotë: “Duke patur parasysh lëvizjet e fundit të ish-kryeministrit në drejtësi, lëvizjet që bëri në drejtësi, s’më habit fakti që kjo drejtësi”, tha ai.
Aleks Nika. U plagos rëndë dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital në Turqi. Është e viktima e vetme për të cilën nuk dihet se kush ka qëlluar. Në Top Story, xhaxhai i tij, Marku rrëfen dyshimet e tij: “Nuk është koincidencë, është e papranueshme për ne që pas 3 viteve cështja ngeli enigmë dhe nuk është zbuluar. Aleksi u ekzekutua me snajper nga gardistët. Aleksi është vrarë duke qenë mes shokëve, me duar në xhepa dhe me trup më të shkurtër se të tjerët. Ai ka qenë një objektiv sepse ai ka qenë aktiv në protesta dhe mbështetës i PS dhe Edi Ramës dhe ka qenë në të gjitha protestat e PS”, thotë ai.
Marku shprehet optimist për vendosjen e drejtësisë: “Besoj që mazhoranca e re ka mandatin e plotë të nevojshëm për ta bërë hetimin e plotë, dhe kjo do të realizohet atëherë kur mazhoranca do të bëjë një reformë në drejtësi duke larguar njerëzit e korruptuar dhe me lidhje direkte me Sali Berishën. Na duket e papranueshme që ai që drejtoi vrasjet ndodhet sot në parlament. Familja jonë është shumë e tronditur jo vetëm nga vrasja, por për faktin se drejtësia po hesht, kur ka të gjitha mundësitë për ta cuar cështjen në gjyq. Ne pretendojmë sepse edhe plumbi është deformuar për të mos u identifikuar. Edhe ekspertiza amerikane ka thënë në një masë të konsiderueshme si provë se është arma e Ndrea Prendit”.
Në pretencën e Prokurorisë, nuk hetohet për gjetjen se kush ka dhënë urdhërin për të qëlluar, që në një proces të tillë duhej të ishte baza e hetimit.
Gazetari Artan Hoxha thotë: Është një argument kryesor që do të shpjegonte më pas tërësinë e 4 vrasjeve. Duke patur parasysh ngjarjen, pozicioni që kam zgjedhur unë atë ditë ka patur një efekt dhe një pamje që të fiksonte në të njëjtën kohë edhe viktimat edhe qëlluesin. Kemi daljen e dy mjekëve që mbështesin kryeministrin. Ajo që vret më shumë është mënyra se si u trajtua më pas kjo ngjarje, si u fajësua media, si u fajësuan të gjithë të tjerët në mënyrë që të mbroheshin agresorët”.
Pas 21 janarit Mero Baze, Artan Hoxha dhe Sokol Balla kanë qenë ndër emrat e gazetarëve të përfshirë në komisionin hetimor parlamentar të njëanshëm të mazhorancës së asaj kohe, që do të hetonte “puçin e shtetit”. Balla dhe kolegët rrëfyen në Top Story për herë të parë, tavolinën në restorantin e vendosur në godinën përballë Kryeministrisë, ku kishte qëndruar gjatë 21 janarit, së bashku me kolegë dhe kolege.
"Tavolina e puçit"
Mero Baze kujton: “Akuza ishte joserioze dhe pjesë e gjithë skenografisë së Berishës. Unë mendoj që unë dhe të gjithë ne ishim të predispozuar të shkonim në seancë, ajo do të ishte serioze. Do shkonim atje dhe do të dëshmonim se cfarë pamë, ndaj kjo i bëri ata që të mos na thërrisnin. Askush nga institucionet e shtetit shqiptarë që u akuzuan si puçistë nuk patën fuqinë që t’i vinin prangat Berishës më 21 janar”.
Në ‘tavolinën e puçit’ këtë të enjte ishte Arben Meçe, megjithëse në janarin e 2011 ai nuk ndodhej aty, emri i tij u lakua në komisionin parlamentar. Meçe, një ish-deputet dhe anëtar i PD, rrëfen: Unë isha në një shtab me 7-8 gazetarë një kat më poshtë, dirigjoja gazetarët. Deri në momentin kur ka dalë xhirimi i Artan Hoxhës në të gjithë skenën dhe prapaskenën, unë deri në 12 që ka dalë ky xhirim, nëse do të më thonin që isha pjesë e puçit kisha shumë frikë sepse kishte kohë që ishte ndërtuar një skenar. Nuk ishte e rastësishme vrasja selektive, të gjithë të qëlluarit janë goditur në organe jetike, në zemër ose në kokë. Të gjithë personat janë vrarë me seleksionim. Është e pamundur që në një turmë të godasësh me armë dhe të qëllosh vetëm 6 persona në kokë ose në zemër dhe të mos plagosësh asnjë tjetër”.
Artan Hoxha plotësoi: Gjithë personat janë qëlluar ose në kokë ose në zemër me tek plumb. Katër vdiqën dhe dy për fat mbijetuan.
Pretenca e prokurorisë kërkoi 23 dhe 26 vjet burg për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Por a janë ata përgjegjësit e vetëm? Për Mero Bazen jo.
“Ende nuk ka një proces serioz për 21 janarin, për përgjegjësit që s’janë Agim Llupo dhe Ndrea Prendi, por është ish-kryeministri i Shqipërisë që ka marrë përsipër vrasjet me dy qëndrime të ndryshme. Ditën e parë, pra më 21 janar tha që janë vrarë nga opozita dhe të nesërmen, pasi ra skenari pas transmetimit të Artanit, zyrtarisht kryeministri deklaroi se vramë, vramë se ishte puç shteti. Nëse provohet puçi i shtetit duhet të ulet në bankën e të akuzurave Edi Rama, Bamir Topi dhe të tjerët me radhë, por nëse nuk provohet Sali Berisha duhet të përfundojë në burg dhe të mos dalë më. Prokuroria duhet të provojë nëse ka puç shteti apo jo. Pika e dytë duhet të përdoret në favor të akuzës faktet që ka bërë Berisha në javën e parë pas 21 janarit, ka fshehur provat, ka mbrojtur personat që kanë fshirë të dhënat etj”, tha Baze.
“Ajo që bashkon sot Edi Ramën, Ilir Metën, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën është që sot po na shohin, por fati i 4 viktimave ishte tjetër. Politikanët harrojnë, ndaj është mirë dhe detyra jonë që t’ua kujtojmë”, Sokol Balla/Top Channel/