60 masa të reja ligjore dhe administrative të përgatitura nga ministrat Tahiri e Haxhinasto në bashkëpunim me ekspertë vendas e të huaj, do të hyjnë në fuqi së shpejti pasi të konsultohen dy javët në vijim me publikun e me grupet e interesit.
Teksti i fjalës në takim jepet i plotë si më poshtë
Të nderuar pjesëmarrës,
Jemi mbledhur, këtu sot, për sigurinë rrugore dhe vet prania e 9 anëtarëve të kabinetit qeveritar, dëshmon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për qeverinë tonë, ky element i domosdoshëm i një bashkëjetese normale qytetare. Por, nga ana tjetër, është dëshmi edhe e bindjes tonë se siguria rrugore është rezultat i shumë aspekteve dhe ndërveprimeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës e të shërbimeve, me rendin ligjor e me vetëdijen qytetare dhe me qeverisjen në tërësi, pa dyshim.
Ndërtimi me vite të tëra i rrugëve, si kanale kulluese të parave të taksapaguesve apo financimeve të huaja në funksion të korrupsionit dhe si trofe partiakë, në funksion të zgjedhjeve të radhës, na ka sjellë sot në një situatë, ku jo vetëm shpenzimet e mëdha nuk kanë dhënë mbrapsht infrastrukturë me standarde normale, por ende më keq, na kanë dhënë rrugë me nivele tejet të larta pasigurie.
Një mik i huaj, që vizitonte njëra pas tjetrës Bosnjën dhe Shqipërinë disa kohë më parë, më pat thënë se nga Bosnja nuk i shqiteshin nga mendja shenjat e plumbave në godinat e Sarajevës, ndërsa nga Shqipëria përkujtimoret e vogla me lule, të aksidenteve buzë rrugëve, të vendit tonë. “Janë si dy kujtime paralele luftërash”, - më thoshte, edhe pa patur qenë si ne, dëshmitar i aksidenteve tragjike, ku kanë humbur jetën familje të tëra, madje grupe të rinjsh.
I falënderoj, jo formalisht, por sinqerisht, ministrat Tahiri dhe Haxhinasto, të cilët në këta muaj kanë bashkëpunuar intensivisht edhe me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të jetës, që lidhen me sigurinë rrugore, për të konceptuar dhe për të shkruar Paketën e Re Ligjore të Sigurisë Rrugore. Një Paketë Ligjore dhe Administrative, që sot, është shkruar, përfshin 60 masa të reja dhe ka nevojë edhe për një konsultim të fundit publik, përpara sesa të kthehet në një instrument të ri, për të rritur nivelin e sigurisë rrugore.
Qeveria jonë është jo vetëm shumë e vendosur, por edhe e mirë përgatitur që të ndërmarrë tanimë një hap të rëndësishëm, në funksion të rritjes së sigurisë në rrugë. Por më përpara, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj dhe të publikut disa shifra krahasuese, të cilat flasin vetë për degradimin e rëndë që ka pësuar niveli i sigurisë rrugore në Shqipëri, ndërkohë që janë hedhur para pafund për të ndërtuar e rindërtuar rrugë.
E megjithatë, në kushtet e katrahurës, në këtë aspekt të jetës shoqërore që ne gjetëm vendin, në kushtet e degjenerimit të pashembullt, ku ne gjetëm Policinë e Shtetit, në kushtet e një pune në shumë plane, ditën dhe natën, pa pushim, me mish e me shpirt, për të rivendosur gurët e themelit në vend, nga 16 shtatori i vitit 2013, kur kemi hyrë në qeveri, e deri më sot, në rrugët e Shqipërisë ka 21 të vdekur më pak nga aksidentet, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Paketa e masave, në lidhje me infrastrukturën dhe sigurinë rrugore, që tanimë ka përfunduar dhe nga java tjetër do të jetë në dispozicion për konsultimet e fundit, përpara se ne ta çojmë atë në parlament, në qeveri apo në udhëzimet përkatëse, sipas zbërthimeve të saj, integron pikërisht, të gjitha aspektet që prekin këtë element dhe synon të sigurojë këtë ndërveprim, për të cilin fola, ku përveç qasjes afatgjatë, ka objektiva afatshkurtër, konkret, për harkun e një viti.
- Pikësëpari, kjo paketë e re ndërton një lidhje, reciprokisht të përgjegjshme dhe transparente me biznesin e përfshirë në ndërtimin e rrugëve. Dhe këtu jemi në objektivin konkret të një harku 1 vjetor.
- Pikësëdyti, e sjell sigurinë rrugore, si ndërhyrje të integruar, ndërinstitucionale dhe si mobilizim tërësor, jo vetëm të shtetit, por edhe të shoqërisë.
- Pikësëtreti, shërben si instrument, i racionalizimit, të zhvillimit infrastrukturor të Shqipërisë, që s’mund të mbetet kurrsesi peng i korrupsionit, por s’mund të mbetet kurrsesi peng as i epsheve politike, ose nevojave elektorale, për të marrë lekët nga arka e shtetit edhe për të bërë, rrugë jashtë radhe, pa pasur një sens të integruar të zhvillimit dhe pa pasur instrumentet që objektivisht tregojnë pse duhet të investojmë në fillim këtu, pastaj aty, pastaj atje.
Për sa i përket marrëdhënies me biznesin, që është angazhuar në drejtimin e rrugëve, ne i kemi dhënë një rëndësi të veçantë. Ne kemi marrë përsipër të paguajmë një më një borxhet e trashëguara, sepse ne besojmë që një qeveri me borxhe, është një qeveri që s’ka gojë të kërkojë hesap. Shumë e thjeshtë! Nga ana tjetër, ne besojmë po ashtu, se çlirimi i kësaj sipërmarrje nga borxhet do të lehtësojë shumë marrëdhëniet, mes kësaj sipërmarrje dhe qeverisë, por edhe marrëdhëniet ekonomike në vend. Kjo do të bëjë vijimësisht, në kuadrin e një plani 1 vjeçar veprimi, i cili do të zhvillohet duke nisur, siç ka nisur, nga verifikimi i cilësisë së punës së derikëtushme nëpër rrugë dhe i gjendjes fizike të punimeve. Duke siguruar pagesën e borxheve, në funksion të verifikimit të çdo fature të nënshkruar më parë nga supervizorë që, në jo një rast, e kanë lëvizur lapsin jo sipas asaj që kanë parë, por sipas asaj që kanë marrë. Nga ana tjetër, do të eliminojmë krijimin e borxheve të reja, që është një sfidë më vete.