“Mozaiku i vlerave” të realizuar nga Don Dominik Qerimi është çertefikuar nga autoritetet e librit Guinness të Rekordeve.
Lajmin e ka konfirmuar për ‘KultPlus’, autori i kësaj vepre i cili është prift katolik dhe drejtor i qendrës “Don Bosko” në Gjilan.
“Mozaiku i vlerave”, përbëhet nga 51 mijë e 865 boça të pishave. Kjo vepër është e gjerë 15 metra dhe e gjatë shtatë metra, ndërsa në të janë portretizuar figura e humanistes Nënë Terezës, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Don Boskos. Ceremonia zyrtare e dorëzimit të çmimit do të mbahet më 8 shkurt në Gjilan.
Qerimi është prift katolik. U lind më 1971 në fshatin Janosh të Gjakovës. Aktualisht është drejtor i Qendrës “Don Bosko” në Gjilan.
“Mozaiku i vlerave” ka kaluar një proces të verifikimit prej datës 26 dhjetor 2013, kur janë dërguar të gjitha dokumentacionet dhe materialet e nevojshme pranë zyrës së Guinnessit.
Vepra ka hyrë në kategorinë e re të krijuar enkas për këtë mozaik, me titullin: “Largest pine cone mosaic” (Mozaiku më i madh në botë me boça pishash), me numrin e regjistrimit ID: 437233.
Vepra përbëhet nga 51 mijë e 865 boça të pishave, të cilat janë mbledhur në një periudhë prej katër vitesh.
Vepra është përuruar më 21 dhjetor të vitit që lëmë pas, në mjediset e Teatrit të Qendrës Edukativo-Sociale “Don Bosko” në Gjilan.
“Një ndër karakteristikat që njeriu veçohet nga krijesat e tjera, është edhe fakti se njeriu nuk jeton vetëm nga ato që i plotësojnë nevojat dhe prirjet e tija fizike, por edhe nga nevojat dhe prirjet e tija shpirtërore, ndër të cilat mund t’i radhisim vlerat dhe virtytet. Andaj ky mozaik quhet ‘Mozaik i vlerave’, sepse ka për qëllim që të na bëj të dashurohemi dhe të na edukojë shpirtin në ato vlera, universale, kombëtare dhe lokale”, ka thënë Don Qerimi.