English

Tre shqiptarëve në Jemen, 2 prej tyre në burg. Të mbyllet menjëherë çështja-deklaron presidenti i vendit

"Të mbyllet çështja ndaj tre shqiptarëve në Jemen”. Ky ka qenë vendimi i Presidentit të Republikës së Jemenit, Abd Rabbuh Mansur Hadi, në një dekret të përpiluar në 5 janar të këtij muaji.

Presidenti i vendit ku aktualisht ndodhen të burgosur tre shqiptarë, ka kërkuar që çështja e anijes së bashku me ngarkesën e saj të mbyllet.

Më tej në dokumentin zyrtar përcaktohet qartë që anija të kthehet në Irak, duke i kërkuar këtij vendi që të marrë përsipër angazhimin ligjor për të mos përsëritur më veprime të tilla.

“Gazeta Shqiptare” ka mundur që të marrë këtë dekret, ku konkretisht citohet: “Rreth shqyrtimit të përmbajtjes së memos së paraqitur në lidhje me lirimin e ngarkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Irakut, e ngarkuar në anijen moldave (EOS), si dhe uljen e dënimit për dy nga anëtarët e ekuipazhit...

Në bazë të kësaj, lëshohet udhëzimi për mbylljen e çështjes së anijes së bashku me ngarkesën e saj, që anija të kthehet në Irak duke marrë angazhimin ligjor nga pala irakiane për mospërsëritjen e një veprimi të tillë, duke e konsideruar atë si të papajtueshëm me metodat, rregullat dhe ligjet që rregullojnë transportin ndërkombëtar”.

Por, edhe pas këtij dekreti, dy prej shqiptarëve ndodhen në burgun e Mukallës, ndërsa mekaniku i anijes ka dalë i lirë nga gjykata. Konkretisht në burgun e Jemenit ndodhet kapiteni i anijes, Arif Bakillari dhe oficeri i parë, Mihal Cangonji, ndërsa prej disa kohësh ka mundur që të dalë i lirë mekaniku Nezir Shahaj.

Ky i fundit edhe pse ka fituar të drejtën për të qenë i lirë, nuk po kthehet dot në Shqipëri, pasi autoritetet jemenase nuk i dorëzojnë dokumentet. Kanë qenë të shumta përpjekjet e familjarëve për të trokitur në dyert e institucioneve shqiptare për të reaguar ndaj kësaj situate, por deri tani nga ana e tyre ka pasur vetëm heshtje.

“Nuk e kuptojmë se përse edhe pas dekretit të Presidentit të Jemenit, të afërmit tanë mbahen akoma në burg. Çështja është mbyllur dhe ata duhet të lihen të lirë”, pohojnë familjarët e kapitenit Bakillari.

Nga ana tjetër, edhe mekaniku kërkon të dijë arsyen se pse nuk po arrin të kthehet dot në vendin e tij.

“Kam dy muaj që rri në hotel, kur më kanë nxjerrë të lirë. Presidenti e ka mbyllur çështjen, ndërsa ne vuajmë akoma këtu në Jemen, në kushte jo fort të mira. Shteti ynë duhet të bëjë më shumë për ne dhe të mos na braktisë”, shkruan nga Jemeni, mekaniku Shahaj.

Ngjarja

Mëngjesin e 18 dhjetorit të vitit 2012, kur anija jonë EOS u ankorua në portin e Mukallas në Jemen, autoritetet e këtij vendi vunë në pranga tre shqiptarët, të cilët janë duke vuajtur akoma në këtë vend.

Gjykata e Apelit e këtij vendi vendosi që dy prej shqiptarëve të vuanin dënimin në burg, ndërkohë që u la i lirë kryemekaniku Nezir Shahaj. Ky i fundit vetëm pak kohë më parë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregoi se ndodhej në një hotel në Jemen, në një kohë që në këtë vend po zhvillohen trazira të shumta.

Tre shqiptarët u akuzuan për trafik armësh, ndërkohë që nga shteti shqiptar nuk ka asnjë reagim zyrtar për këtë çështje.

Ngarkesa me armë ishte blerë në portin e Tivarit dhe udhëtimi i saj i parë ka qenë drejt Greqisë, më pas ka ndaluar në portin Berinçe në Turqi, pastaj në Aleksandri të Egjiptit dhe në fund ka ndaluar në Jemen.

Tre shqiptarët dhe familjarët e tyre i kanë sytë nga shteti shqiptar për të ndërhyrë në zgjidhjen sa më parë të kësaj çështjeje. Së fundmi, vetëm Ministria e Jashtme është shprehur se po negociohet për këtë situatë.

KOMENTE