Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën dje me në një inspektim të palajmëruar në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit në Shkodër. Në këtë pikë të kalimit kufitar Kryeministri ka inspektuar punën që bëhet në një ditë në doganë por edhe ka parë nga afër mjediset e pikës që lidh Shqipërinë me Malin e Zi. Në këtë inspektim, Kryeministri Rama shoqërohej nga Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali.
Më pas, Kryeministri Rama u ndal në Fototekën Kombëtare “Marubi”, në qytetin e Shkodrës, e cila strehon një pasuri të çmuar të vendit, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
Pas një prezantimi që Drejtori i Fototekës, Luçjan Bedeni i bëri ambienteve të Fototekës, sipas të cilit, “aty ku ruhen mjetet e pastrimit, ruhen edhe aparatet fotografikë”, Kryeministri i cilësoi kriminale kushtet e papranueshme, të lagështirës dhe ambienteve të pamjaftueshme, për këtë thesar kombëtar, që përfshin veprat e dinastisë Marubi, Pietro Marubit, Kel Marubi, Gegë Marubi, Mati Kodheli Marubi, Kel Kodheli Marubi, të Kol Idromenos, Shan Pici, Dedë Jakova, Pjetër Raboshta, Angjelin Nënshati etj.
“Ky thesar i kombit tonë nuk mund të rrijë më në këtë qeli, si të jetë i burgosur politik që duhet vdekur, pa dritë, pa ushqim, pa ajër, pa komunikim me publikun, pa asnjë gjë. Kjo është një gjë kriminale,” – u shpreh Kryeministri.
Ministrja Kumbaro informoi Kryeministrin se godina e Fototekës, edhe pasi pronarët e saj ia dhanë Ministrisë së Kulturës dhe jo ndërtuesve, edhe pse këta të fundit bënë oferta joshëse, prej dy vitesh është lënë një gërmadhë. “E lanë kështu. Të vetmet restaurime që janë bërë, janë ato jashtë, e që nga ai moment s’ka ndodhur asgjë,” – informoi ministrja Kumbaro.
Kryeministri Edi Rama premtoi kthimin e Fototekës Kombëtare “Marubi” në një pikë referimi të kulturës shqiptare. “Ne këtë do ta bëjmë model. Kjo duhet të transformohet në një pikë referimi, për të gjithë Shqipërinë dhe për gjithë çfarë e vizitojnë, apo duan ta dinë se çfarë është Shqipëria.”