Opozita dhe mazhoranca në Komisionin e Jashtëm parlamentar janë përfshinë në debate, pasi kryetarja e komisionit Arta Dade, ka akuzuar qeverinë paraardhëse se e ka futur vendin në listën e zezë të trafikimit të armëve. Nënkryetari demokrat në këtë komision, Aldo Bumçi, u shpreh se nuk bëhet fjalë për trafikim, por për tregti të ligjshme armësh.
Deputeti i Partisë Demokratike Kastriot Islami ka akuzuar mazhorancën se nuk po zbaton ligjin për shërbimin me jashtë.
“E kemi ngritur këtë shqetësim në mënyrë të vazhdueshme. Këtë mesazh ia adresoj edhe presidentit, që të mos bëhet pjesë e shkeljes së ligjit” u shpreh Islami.
Ndërsa deputetja e PS-së Arta Dade e cila është edhe kryetarja e komisionit të jashtëm theksoi se nuk janë shkelur kuotat e emërimeve politike por ajo kërkoi nga ministria e jashtme të emërojë më shumë gra si ambasadore.
Ndërkohë deputeti i PS-së Ben Blushi ka kundërshtuar kandidaturën për ambasador në Mbretërinë Arabe Ermir Gjinishi ndërsa ka ngritur pyetje se mbi çfarë kritetesh është përzgjedhur ai nga Ministria e jashtme ka theksuar se në disa raste Gjinishi ka shkelur parimet e laicitetit të shtetit shqiptar.
Por i menjëhershëm ka qënë reagimi i Gjinishit i cili ka theksuar se asnjëherë nuk i ka shkeluar parimet e laicitetit.
Ndërsa deputeti demokrat Aldo Bumçi ka kërkuar nga qeveria të paraqesë platformën e saj për shërbimin diplomatik si dhe të mbështesë diplomatët të cilët janë lënë në listë pritjeje.
“Ministria e jashtme nuk po paraqet platfotmën për shërbimin e jashtëm diplomatik. Ministria ka patur kohën e duhur dhe për herë të tretë ajo vjen pa raport në komision. Ajo ka nxjerrë në listë pritjeje 52 diplomatë karriere dhe opozita gjykon se ata duhen mbështetur. Në aplikimin e paketës së re fiskale, elita e diplomacisë tatohet me 23 përqind duke ulur ndjeshëm pagat. Kjo gjë duhet të korigjohet sa më parë” u shpreh Bumçi.
Dy prej kandidatuarat dhe konkretisht Pëllumb Qazimi dhe Ilir Boçka vijnë nga fusha e diplomacisë pasi kanë qënë ambasador të Shqipërisë në disa shtete ndërsa Ermir Gjinishi i cili kandidon për ambasador në Mbretërinë e Arabisë Saudite ka qenë anëtar i Komunitetit Mysliman.