Policia ka mundur të ndërhyjë në zinxhirin e një grupi kriminal, organizator kryesor në një seri vrasjesh me pagesë, brenda dhe jashtë vendit. Një prej tyre, më i rrezikshmi, Julian Sinanaj, mendohet të jetë autor i të paktën 20 vrasjeje jashtë kufijve shqiptare dhe një sërë krimesh të tjera në vend, përfshirë edhe krimet me eksploziv të telekomanduar që kanë tronditur vendin kohët e fundit.
Strukturat e policisë së shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e policisë së Tiranës dhe atë të Durrësit kanë prangosur 3 shtetas mes tyre Julian Sinanin dhe Marjon Mitron, ndersa ka shpallur ne kerkim dy te tjere. Drejtori i policisë së Tiranës, Ardian Çipa, në një konferencë për mediat dha detaje mbi megaoperacionin e policisë dhe veprimtarinë e rrjetit të strukturuar kriminal, i cili dyshohet të jetë përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura në qytetet e Tiranë, Durrës dhe Vlorë, në një hark kohor prej dy vjetësh.
“Policia e shtetit ka arrestuar persona të dyshuar si vrasës me pagesë dhe aktivitete të rënda kriminale, duke zbardhur zinxhirin e plotë që nga porositësi i vrasjeve, te ndërmjetësuesit, e deri tek ekzekutorët e vrasjeve qoftë me armë qoftë me eksploziv.Policia e shtetit ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal që sipas të dhënave të para të hetimit dyshohet të jetë përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës në një hark kohor prej dy vjetësh.Si rrjedhim i një operacioni të gjerë policior pas hetimeve intensive Drejtoria e policisë qarku Tiranë në bashkëpunim me atë të Durrësit, departamentin për krime të organizuara dhe krime të rënda në policinë e shtetit dhe prokurorinë për krime të rënda Tiranë e Vlorë, bëri të mundur dokumentimin ligjor të aktivitetetit kriminal të shtetasve:
1. J.S., 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë, i pa dënuar më parë.
2. N.Gj, 30 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.
3. Genis Bardhyl Mëhillaj, 43 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i pa dënuar më parë.
4. Andon (Erion) Ismet Mëhillaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i pa dënuar më parë.
5. Marion Kostandin Mitro, 42 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i pa dënuar më parë.
Policia ka mundur të arrestojë shtetasit J.S, N.Gj dhe Marion Mitro dhe njëkohësisht të parandalojë vrasjen e një biznesmeni që ishte porositur dhe ishte duke u realizuar nga personat e lartëpërmendur. Ndërhyrja në kohë e policisë ka bërë të mundur që të dështonte plani i vrasësve dhe të shpëtonte jeta e biznesmenit”tha Çipa.
Deri më tani veprat penale të dokumentuara të kryera nga i dyshuari si vrasës me pagesë, Jualian Sinanaj, janë kryseisht vrasje në qytetin e Vlorës. “Nga veprimet hetimore proçeduriale të kryera ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorët e dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale”, ka nënvizuar Çipa, i cili ka renditur ngjarjet kryesore:
1) Vrasja e shtetasit Sokol Veizi, më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës;
2) Vrasja e shtetasit Agron Çela, në datë 20 gusht 2013 në Vlorë;
3) Vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi, më datë 1 qershor 2013 në Vlorë;
4) Vendosje e lëndës plasëse në automjetin e Prefektit të Vlorës
5) Besnik Dervishi, në datë 13 dhjetor 2013 në Tiranë;
6) Vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E.B. në rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013;
7) Vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E.B. në Vlorë në datë 31 gusht 2013.
Në banesën e tij tek Rruga e Kavajës në Tiranë, Sinanajt iu gjetën një seri armësh të kalibrave të ndryshëm si edhe lëndë eksplozive të llojit C4 dhe tritol. Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Genis dhe Andon Mëhillaj, si bashkëpunëtorë të tij nën akuzën e “veprave penale me qëllime terroriste”.