English

Arben Imami paditet sërish për shitjen e 500 tonëve tritol shoqërisë “BABASI COO sh.p.k”

S. Topi - Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami paditet sërish. Padia e dorëzuar tashmë në organin e akuzës bën fjalë për shitjen e 500 tonëve tritol shoqërisë “BABASI COO sh.p.k” , në shkelje të normave ligjore.

Pjesë e kallëzimit është dhe ish-drejtori i Uzinës së Lëndëve Plasëse të Mjekësit, Daniel Karanxha. Sipas padisë, me urdhër të ish-kreut të Mbrojtjes i është shitur kompanisë private 500 ton tritol, më 21 maj të vitit 2013.

Kjo shitje është realizuar nga Uzina e Mjekësit e cila nuk është e specializuar të eksportojë. Sipas padisë argumentohet se e drejta për trajtimin e materialit ushtarak i takon ndërmarrjes “MEIKO” dhe se blerësi fillimisht duhet të autorizohet për transferimin të mallrave ushtarakë nga Autoriteti Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.

Padia

Uzina e Mjekësit, me urdhër të Arben Imamit, ka realizuar shitjen e një sasie prej 500 ton TNT, bazuar në kontratën e shitjes Nr. 182 datë 21.05.2013 me blerës shoqërinë “BABASI COO sh.p.k. Sipas padisë së Ministrisë së Mbrojtjes, janë konstatuar shkeljet dhe mangësitë si vijon:

kontrata është lidhur përpara se blerësi të pajisej me autorizim nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për transferim ndërkombëtar të mallrave ushtarake, në shkelje të pikës 8 të udhëzimit nr. 4, datë 07.05.2010

“Për përcaktimin e procedurave dhe strukturave për shitjen e artikujve të dalë jashtë përdorimit e armatimit të FA që janë kategorizuar për përdorim ushtarak….;

kontrata është lidhur pa marrë miratimin e Ministrisë së Mbrojtjes, në shkelje të pikës 11 të udhëzimit nr. 4, datë 07.05.2010; është shkelur pika 4 e udhëzimit nr. 4, datë 07.05.2010, sipas të cilës, ULP Mjekës nuk është e specializuar për të realizuar eksporte, por kjo procedurë duhej të kryhej nga ndërmarrja “MEICO”;

kompensimi me mall i një detyrimi në para, rrjedhojë e procesit të demontimit, bie në kundërshtim me VKM-në nr 432 datë 26.06.2006 si dhe të udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes me Ministrinë e Financave, nr. 2, datë 06.02.2012,

sipas të cilit të ardhurat me para duhet të kalojnë në buxhet; çmimi prej 450 USD/ton është përcaktuar vetëm mbi bazën e kërkesës së blerësit (firma ‘BABASI COO shpk”), pa bërë testimin e tregut, pa përcaktuar specifikimet teknike dhe pa një vendim për përzgjedhjen e ofertës më të mirë;

çmimi i shitjes prej 600 USD i aplikuar nga firma “BABASI COO shpk”, për blerësin në Bullgari, pa bërë asnjë përpunim të mëtejshëm të mallit, ka favorizuar blerësin, gjë të cilën shumë mirë mund ta realizonte ndërmarrja “MEIKO”.

Për veprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin mbajnë përgjegjësi Arben Imami, ish- Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Daniel Karanxha, ish- Drejtor i ULP Mjekës. Më herët Ministria e Mbrojtjes paditi ish-ministrin Arben Imami.

Nën titullin e padisë së ministres aktuale të Mbrojtjes për “Shpërdorim detyre”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”, flitet për tenderin e reklamave me vlerën 1.2 milionë USD.

Babasi: Nuk kam më aksione në kompani

Akuzat e bëra nga Taulant Balla janë tërësisht politike. Kështu përgjigjet ish-deputeti i Partisë Demokratike lidhur me akuzat për blerje tritoli nga kompania “BABASI COO sh.p.k”. I kontaktuar nga “Shekulli”, ai deklaron se “BABASI COO sh.p.k” bën eksportimport ndërsa mohon të jetë pjesë e kësaj kompanie, duke pohuar se aksionet i ka shitur që në vitin 2005.

“Unë i kam shituar aksionet rreth vitit 2004-2005”, - pohon ai. Ndërsa shton se janë disa kompani me të njëjtin emër të cilat merren me eksploziv për shkak të punës së tyre. “Janë disa kompani me këtë emër dhe pjesa më e madhe e tyre merren me eksploziv sepse prodhojnë inerte”, - deklaron ai.

Imami: Akuza vetëm një flluskë sapuni

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami e cilësoi si një flluskë të radhës kallëzimin e dytë të Ministrisë së Mbrojtjes ndaj tij. Në një deklaratë për mediat, Imami u shpreh i bindur se kjo padi është një tjetër sulm personal.

“Një flluskë tjetër e radhës, gjë që ishte e parashikueshme. Është e sigurt që edhe ky kallëzim nuk ka asnjë sens, asnjë kuptim.

Ndërmarrja e Mjekësit mbi bazën e ligjit ka qenë licencuar. Të gjitha procedurat që ajo ndërmarrje ka kryer janë të rregullta. Ministri as nuk shet as nuk blen vetë drejtpërdrejt.

Jemi të bindur që kemi të bëjmë me një sulm drejtuar personit. Normalisht do të duhet të isha njoftuar, meqenëse ka një raport ”,- tha Imami ndërsa shtoi se në ditët në vijim do të shprehet më gjatë.

KOMENTE