Kryetari i Partisë Demokratike, tryezë konsultative me biznesin. Taksat e rritura, manipulimi i të dhënave të serverit të tatimeve dhe ulja e rimbursimit të sipërmarrjes kanë ndikuar në përkeqësimin ekonomik të vendit.
Efektet negative që paketa fiskale po sjell çdo ditë në ekonominë e vendit, pasiguria në rend, diktuar nga veprat kriminale dhe pasiguria e biznesit pas vjedhjes së të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim - Taksave ka qenë në qendër të takimit që kryetari i PD ka zhvilluar me biznesin. “Rritja me 50 % e tatimit mbi fitimin nga njëra anë dhe mungesa e çdo stimuli zhvillimi apo instrumenti nxitës nga ana tjetër, është ndierë dhe po ndihet nga biznesi dhe nga ekonomia në tërësi” - deklaroi kryetari i PD Lulzim Basha.
“400 milionë dollarë mori qeveria borxh me aktin normativ të vitit të kaluar dhe tha se do shlyejë borxhet e biznesit. Pagoi vetëm 30 milionë dollarë apo 7.5 % të kësaj shume. Për ta vënë në rrafsh krahasimor, në të njëjtën periudhë tetor-nëntor të vitit 2012 që pa dyshim mbahet mend si një nga vitet më të vështira të ekonomisë shqiptare në dekadën e fundit, ndonëse prapë një vit jashtë krizës ekonomike, qeveria e atëhershme disbursoi 120 milionë dollarë. Opozita ka vënë re se në krahasim me disbursimin mesatar prej 10 milionë dollarësh në muaj, vetëm për 8 muajt e parë për vitin 2013, pra një total prej 80 milionë dollarësh, në tre muajt e qeverisë së re, disbursimi total është 8 milionë dollarë ose më saktë 7.6 milionë dollarë, pra më pak se sa disbursimi mesatar njëmujor i tetëmujorit pararendës”, tha Basha.
Një ndër kostot që shqiptarët paguajnë sot, sipas zotit Basha, është mungesa e transparencës, e konsultimit, kalimi i paketës fiskale në errësirë të plotë qeveritare. Shenjat e refleksionit, sipas kryetarit të PD janë hipokrizi, nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete.
“Paketa juaj fiskale nuk funksionon, ekonomia po shkon drejt një kolapsi, me një thepisje të shpejtë. Nuk ka vend për kokëfortësi. Reflektoni mbi paketën fiskale! Eliminoni barrierat që i keni vënë biznesit dhe punëdhënësve, lehtësoni barrën fiskale, përmirësoni transparencën, qëndrojini përkushtimit tuaj për të larë borxhet, rimbursoni tvsh-në, zbardhni skandalin e Tatimeve dhe siguroni biznesin se e vetmja forcë që do e vërë ekonominë përpara është konkurrenca dhe jo dhuna.
Jemi të gatshëm dhe nga kjo tryezë i bëj sot thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të ulen me ne dhe me ju, të analizojnë pasojat e paketës fiskale në këto 4-5 javë të para dhe me një vështrim vetë-kritik, racional të hedhin hapat për të përmirësuar situatën, sa nuk është vonë. Mësimet e rajonit na tregojnë se reagimi një javë më parë e jo një javë më vonë mund të shpëtojë mijëra vende pune, mund të shpëtojë qindra, mijëra familje nga rënia në mjerim, mund të gjenerojë shpresë, optimizëm, investime, rritje dhe punësim. Mosreagimi mbyllja e syve para realitetit, përpjekja për të mbuluar efektet negative të paketës fiskale në ekonomi, shoqëruar edhe me efektet negative në aspektet e tjera që diskutuam sot, si pasiguria ligjore, rendi dhe siguria, abuzimi administrativ mund dhe do të përkeqësojë në palcë një situatë e cila dukshëm ka marrë për keq” – deklaroi z. Basha.
Pasiguria në vend, sipas zotit Basha, është kthyer në një shqetësim të madh, jo vetëm për qytetarët por edhe për biznesin. Sot, për fat të keq, Shqipëria po kalkulohet si një vend jo i sigurt për investime. Kjo situatë bëhet dhe më shqetësuese nga akti mafioz i vjedhjes së të dhënave nga serveri i drejtorisë së Tatim - Taksave. Kryetari i PD ka shprehur vendosmërinë e opozitës, për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së këtij skandali.
“Megaskandali i vjedhjes të të dhënave tatimore të 20 viteve të fundit nga serveri i Tatim-Taksave, e cila përtej të qënit një çështje korrupsioni e tipit mafioz, të tipit të presionit, ja ku i kam të dhënat, ja sa borxh ke, hajde merremi vesh ose përndryshe…, është edhe çështje e shkatërrimit të themelit të konkurrencës së lirë. Kush bën biznes, me kë? Me çfarë vlerash? Prej sa kohësh? Cilat janë linjat e furnizimit? E shumë faktorëve të tjerë konfidencialë si numri i të punësuarve në kohë, rritja e ulja sipas sezonit apo viteve, performanca e tyre, të gjitha këto të dhëna të mbrojtura me ligj në çdo vend normal të mbrojtura edhe këtu në Shqipëri, tashmë janë potencialisht në duart e krimit, në duart e shantazhuesve, në duart e klientelës korruptive të pushtetit. Si opozitë e kemi ngritur këtë shqetësim që në ditët e para të skandalit, kemi përdorur levën tonë kryesore që është kërkesa për transparencë parlamentare dhe nuk do të rreshtim derisa ky skandal të zbardhet plotësisht, dhe përgjegjësit të vihen para ligjit” – u shpreh z. Basha.
Çështja e sigurisë ka qenë një shqetësim i shprehur dhe nga biznesi. Përfaqësuesi i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku theksoi se është shumë e rëndësishme që Shqipëria të mos dalë nga harta e vendeve të sigurta.
“Çështja e sigurisë dhe rendit publik, i cili është shkak shumë i rëndësishëm për nxitjen e biznesit dhe për investimet sidomos ato të huaja. Në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojmë që Shqipëria të dalë nga harta e vendeve të sigurta për biznes. Roli i Partisë Demokratike është i pazëvëndësueshëm në marrjen e nismave ligjore të nevojshme si dhe bashkërendimin e punës të gjithë institucioneve kushtetuese për rendin dhe sigurinë në vend” - deklaroi z. Buxhuku
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka theksuar se opozita është e gatshme për kompromis, për konsensus, sa herë që kompromisi dhe konsensusi avancojnë axhendën dhe interesat e qytetarëve në tërësi, të biznesit, të sipërmarrjes.