Lidhur me mosmiratimin e dy dekreteve për kandidaturat e Gjykatës së lartë në faqen zyrtare të presidentit të Shqipërisë është dhënë një njoftim nga ana e Presidentit Nishani për të qartësuar publikun lidhur me këtë çështje.
Në deklaratë thuhet:
Me propozimin e Komisionit të Ligjeve dhe votat e Shumicës Qeverisëse, Parlamenti refuzoi dy kandidaturat e propozuara me Dekret Presidencial për në Gjykatën e Lartë.
Arsyeja e sjellë nga ai Komision sipas të cilit dy kandidatët nuk plotësonin kushtin për të pasur formim specifik në të drejtën administrative, është një gjykim i thjeshtëzuar, një arsyetim i pabazuar, një justifikim i sforcuar.
Si President i Republikës, në të gjitha vendimmarrjet, i jam bindur dhe do t’i bindem vetëm Kushtetutës së Shqipërisë, dhe ndihem i palëkundur për të garantuar cilindo shtetas të Republikës së Shqipërisë se tek Presidenti do të gjejnë Kryetarin e Shtetit Shqiptar, garant i tërësisë së parimeve kushtetuese.
Kjo frymë është ndjekur gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, gjatë bashkëpunimit me përfaqësuesit e Kuvendit dhe deri në dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Bazuar në detyrimet kushtetuese dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, të Republikës së Shqipërisë”, që siç dihet është ndryshuar me miratim dhe konsensus të gjerë politik, realizuam këtë proces duke bërë njoftimin publik për fillimin e procedurave, shpallëm publikisht emrat konkretë të kandidatëve të cilët plotësonin kushtet ligjore, procedura, të cilat u bënë prezent gjatë procesit të këshillimit me përfaqësues të grupeve parlamentare.
Vlerësova veçanërisht procesin e bashkëpunimit me përfaqësuesit në Kuvend dhe dakortësinë e tyre për kushtet dhe kriteret konkrete bazuar ne listën e konkurrenteve për një përbërje cilësore të Gjykatës së Lartë.
Në një vështrim më të thellë, e shprehur në mënyrë të kondensuar, ajo që ndodhi me votimin, është një tregues më se i qartë se konsensusi politik i arritur mes palëve pas kërkesës së Bashkimit Europian për Ligjin e ri të Gjykatës së Lartë, të bind se konsensusi në fjalë nuk e kaloi provën.
Çfarë vihet re fare qartë është se refuzimi u bë përmes një truku procedurial.
Flitet për “Presidentin” nga njëra anë, dhe nga ana tjetër për “Shumicën Qeverisëse” qe ka përballë një palë armike politike. Çka është një qasje apo tablo thellësisht e gabuar.
Presidenti, nuk vendos në një moment, dhe aspak i vetëm. Presidenti zbaton procedura.
Analizon, shqyrton, në një proces të gjatë dhe të hollësishëm konsultativ me institucionet përkatëse dhe individë ekspertë kompetentë, derisa më në fund, dhe vetëm atëherë, konkludon, dekreton.
Në përfundim të këtij procesi të rëndësishëm, me dekretimin e zotërinjve Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca, i kam qëndruar korrekt kritereve ligjore të: vjetërsisë në profesion; cilësisë së lartë të punës së kandidatit; ecurisë në karrierë; integritetit të lartë moral, pa anashkaluar përbërjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë sipas raportit të përcaktuar nga ligjvënësi.
Në të kundërt të kësaj, me keqardhje, Presidenti konstaton se në rastin e refuzimit të fundit, refuzuesit kanë vepruar në rend të kundërt.
Kanë marrë një vendim, direktivë, ndoshta sugjerim, ndoshta urdhër, dhe në përputhje me këtë, kanë hartuar relacionin, u kanë sugjeruar grupeve parlamentare të Shumicës refuzimin.
Zbatimi rigoroz i procedurave, ruajtja me çdo kusht e procedurave nga moskompromentimi, është gur themelor në mbarëvajtjen e punëve ndërinstitucionale të një vendi.
Konfliktet nuk lindin vetiu. Konfliktet e kanë një origjinë. Zënë fill dhe bëhen pak nga pak orteqe të pandalshme më së shumti dhe më së shpeshti pikërisht nga mos zbatimi me rigorozitet i procedurave.
Çka dihet se shpie në një kosto të lartë, jo vetëm për ata që degradojnë procedurat, por për të gjithë.
Nga ky këndvështrim dhe në këtë kuptim, jo votimi i djeshëm i Shumicës Qeverisëse si i tillë, por qëndrimi në tërësi ndaj procedurave institucionale, lë sigurisht për të dëshiruar, dhe nuk mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Është në favor të interesit të përgjithshëm të vendit dhe qytetarëve shqiptarë, që vendimmarrje të tilla që në thelb kanë edhe parimin e luajalitetit ndërinstitucional, të mos cenohen nga interesa të grupimeve politike.