Ngushtohet rrethi i të dyshuarve për aktin e rëndë terrorist, në fund të vitit 2013, ndaj shtyllës së tensionit të lartë në Milot, akt i cili shënoi edhe fillimin e valës së shpërthimeve me tritol në të gjithë Shqipërinë, ku u hodhën në erë qytetarë të thjeshtë, politikanë, biznesmenë, kryekomunarë, makina, komisariate dhe shtëpi. Dyshimet për shpërthimin e Milotit, pas një pune të gjatë hetimore, janë fokusuar te një personazh i lartë politik, i cili është konsideruar edhe si drama e pluralizmit shqiptar. Bëhet fjalë për Sali Berishën, njeriu i cili, që kur u rrëzua nga pushteti në 23 Qershor, kërkon shpëtim tek tritoli dhe terrorizmi për t’u ngjitur aty ku u përmbys.
Sipas burimeve, shkruan Agjencia e lajmeve Sot News, Sali Berisha është i dyshuari kryesor si organizator dhe frymëzues i aktit terrorist në vendin e quajtur Nderlalaj, në Milot, me qëllim për të lënë pa drita gjysmën e Shqipërisë si dhe për të prokuruar destabilizimin e vendit. Burimet kanë konfirmuar se vala e shpërthimeve është stimuluar nga ky njeri, si reaksion ndaj aksionit të qeverisë për të shembur pallatet e paligjshme në bregdet, por edhe për të provokuar trazira në vend. Ndërkaq, ndërsa misteri i hedhjes në erë të shtyllave të tensionit të lartë, biznesmenëve dhe politikanëve me tritol, ka marrë përgjigjen e parë nga shteti ligjor, nga ana tjetër, paniku tashmë ka pushtuar ata të cilët kanë paguar atentatet me tritol, emrat e të cilëve do të dalin njëri pas tjetrit.
Akuzat
Dyshimet se, Sali Berisha fshihet pas tritolit të Milotit, janë përforcuar dje edhe nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, në seancën e jashtme plenare. Tahiri hodhi dyshime për implikimin e Berishës në shpërthimin e Milotit, ku u tentua të hidhej në erë një shtyllë tensioni. “Ke folur për të gjitha, ke folur për tritol, ke folur për eksploziv, për shpërthime; ke hyrë në familjet tona; nuk ke lënë gjë pa thënë – nuk ke guximin tani të ngresh as kokën të më shohësh në sy! E vetmja gjë që nuk ke folur, ishte pikënisja, tritoli te shtylla e tensionit të lartë, të kujtohet, se ke dijeni për to! Dhe ki kurajon të dalësh këtu të flasësh dhe për atë kujtohesh se ke dijeni ti. Në kohën kur bëje opozitë asokohe para 12-13 vjetësh, kur tritoli kërciste në shtyllat e tensionit të lartë. Kështu nisi dhe kësaj radhe në dhjetor e mban mend mjaft mirë, tritoli në shtyllën e tensionit të lartë, me mesazhet politike të qarta për të cilën sot nuk ke folur akoma, për të cilën askush nga ju sot s’ka folur akoma”, tha Tahiri.
Paralajmërimi
Ministri i Brendshëm ka paralajmëruar edhe një herë Berishën se ata që kanë frymëzuar shpërthimet me tritol, nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë. “Kjo që ka ndodhur dhe kjo që po ndodh ka një rritje artificiale, ka një fryrje të panatyrshme, lidhur me situata kriminale të theksuara që janë akte të pastra terroriste. Po ta dini fort mirë ju, deri ditën e fundit të detyrës time, dhe deri ditën e fundit të kësaj mazhorance, askush nga ju që guxon të nxisë, të frymëzojë kriminalitetin në këtë vend nuk do ta kalojë paq”, tha Tahiri.