Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Itali për një vizitë pune, vizitoi konsullatën e Shqipërisë në Milano, i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati. Qëllimi i kësaj vizite ishte të njihej me kushtet, problematikat e kërkesat e stafit diplomatik, për një shërbim më efikas e cilësor ndaj qytetarëve shqiptarë, rezidentë në shtetin fqinj.
Konsulli Rezart Shkëmbi informoi Kryeministrin se konsullata në Milano është një pikë referimi e rëndësishme për shqiptarët në Itali, e cila trajton çdo ditë problematika të ndryshme të mbi 100 qytetarëve në ditë. Por ai ngriti shqetësimin se infrastruktura aktuale e konsullatës e vështirëson shërbimin e shpejtë e cilësor ndaj tyre.
“Muajt e fundit, ne jemi përpjekur të përdorim një teknikë tjetër të menaxhimit të njerëzve. Të gjithë njerëzit që paraqiten në konsullatë, ne, pavarësisht vështirësive që kemi dhe hapësirës që kemi, i marrim në konsullatë në mënyrë që t’u shërbejmë. Unë mendoj që problemi i kësaj konsullate është problemi i menaxhimit të njerëzve, pasi kjo konsullatë ka një karakter specifik, është një konsullatë në të cilën paraqiten çdo ditë 100-120 qytetarë për shërbime konsullore të ndryshme, si edhe për pasaporta dhe tërheqjen e tyre. Me këtë hapësirë që ne kemi, e kemi të pamundur. Kështu që unë mendoj se është imediate që ne të kalojmë diku, në disa ambiente të reja, në mënyrë që të plotësojmë detyrën funksionale që kemi në shërbim të njerëzve,” - informoi diplomati Shkëmbi.
Ministri Bushati nënvizoi se, pas evidentimit të shkeljeve në këtë përfaqësi, iu dha menjëherë fund një praktike abuzive, deri dhe korruptive, vendosjes së shërbimit Call Center me pagesë, çka rëndonte financiarisht shqiptarët që i drejtoheshin konsullatës për shërbime të ndryshme.
“Të kalojmë diku tjetër në mënyrë që të kemi më shumë ambiente për konsullatën tonë këtu dhe që të ofrojmë shërbime sa më të mira. Kemi bërë një gjë jashtëzakonisht të mirë që i dhamë fund Call Center-it, që i gërryente lekë shqiptarëve në mënyrë totalisht korruptive, totalisht të pamerituar. Sot, konsullata, pavarësisht se operon në kushte të vështira, përpiqet për t’u shërbyer njerëzve në kohë dhe objektivi ynë është që të kemi shërbime sa më të shpejta, sa më transparente dhe sa më të lira, për të gjithë qytetarët shqiptarë. Dhe duam që edhe me zhvendosjen që do bëjmë, edhe më të ardhurat që gjenerohen, fondet të ngelen këtu, në funksion të promovimit sa më të mirë të Shqipërisë,” - u shpreh Ministri Bushati.
Kryeministri Rama, pasi dëgjoi çdo shqetësim të stafit diplomatik, theksoi se fokusi i përpjekjeve është shërbime të shpejta, cilësore dhe transparente. Kryeministri mbështeti kërkesën e tyre për kalimin e konsullatës në hapësirë të re, edhe për faktin se pranë konsullatës do të atashohet edhe konsulli i Kosovës dhe ajo do të fillojë të funksionojë si përfaqësi e të gjithë shqiptarëve.
“Ne - theksoi Kryeministri - do të fokusohemi shumë fort tek shërbimet për qytetarët, të cilat kanë trashëguar një histori korrupsioni, një histori arrogance dhe një histori banaliteti që praktikisht nuk i bën nder jo shtetit, por nuk i bën nder askujt. Duhet të bëjmë sa më shpejt spostimin në një vend ku të mund të përballohet ky fluks, duke pasur parasysh që fluksi do të jetë edhe më i madh, për shkak se në të njëjtën hapësirë do të ofrojë shërbimet e veta dhe konsulli dhe stafi i konsullit të Kosovës, gjë që ne kemi rënë dakord dhe do të aktivizohet shumë shpejt. Kështu që praktikisht konsullata e Milanos do të jetë konsullata e shqiptarëve, e të gjithë shqiptarëve, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës. I siguroj të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në Itali dhe që kanë të bëjnë me këtë konsullatë apo me konsullatat e tjera, se në një kohë të arsyeshme, por jo të gjatë, do të shohin vetë një ndryshim rrënjësor në mikpritje, në trajtim dhe në dhënien e shërbimit ndaj tyre.”