English

PD-ja Policia e Shtetit e implikuar në serialin e krimeve të rënda

Deputeti Ristani denoncon lidhjet mes drejtuesve të Policisë së Durrësit, dhe të arrestuarit si i dyshuar për porositjen e vrasjes. “Reagimi i ushtarit të Zanit, tregon se ai përfaqëson shefat e tij politike”

Fakte të reja e tronditëse, të bëra prezent sot në medja, po e nxjerrin Policinë e Shtetit të implikuar në serialin e krimeve të rënda që kanë ndodhur kohët e fundit.

Shefi i komisariatit të Durrësit, rezulton se për 8 vite, ka qenë shoferi i biznesmenit të arrestuar si i dyshuar për porositje të vrasjes së rivalit të tij.

Drejtori i Policisë i qarkut të Durrësit, është mik i ngushtë i po këtij biznesmeni.

Tani të gjithë e dimë, se anëtari i bandës së vrasjeve me pagesë, tentoi të bënte denoncim në Policinë e Durrësit për krimet e kryera dhe krimet që do të kryheshin.

Policia e Durrësit, nuk e mori parasysh denoncimin e tij, dhe anëtari i bandës që bëri të mundur zbardhjen e rrjetit kriminal që vriste me pagesë, u detyrua të vinte në Tiranë e të shkonte në redaksitë e medias.

Sot, është e qartë se anëtari i bandës që vendosi të bashkëpunonte me policinë, ishte në rregull mendërisht, por në rregull nuk paskan qenë dy drejtuesit e Policisë së Durrësit, të dy të lidhur ngushtë me biznesmenin e dyshuar si porositës i vrasjeve.

Këto fakte të tmerrshme, që pasojnë gjithë të tjerat që kemi denoncuar përditë, janë arsyeja përse Partia Demokratike është e shqetësuar dhe ngre çdo ditë zërin, për situatën e krimit dhe pasigurinë e krijuar në vend.

Në mënyrë të përsëritur kemi theksuar dhe do vazhdojmë ta bëjmë, deri sa mali që z’bzan të fillojë të lëvizë, se në postet kyce të Policisë së Shtetit, janë vendosur njerëz partiakë e klientelistë, sigurisht jo profesionistë, por edhe më keq, të lidhur me elementët dhe grupet kriminale.
Për më tepër, dje, ne denoncuam përfshirjen në policinë e Vlorës të ushtarit të Zani Çaushit, dhe i kërkuam qeverisë të reagojë e të japë shpjegime.

Një ditë më pas, reagon ushtari i Zani Çaushit, tashmë polic i antidrogës në Policinë e Vlorës, dhe kërcënon opozitën.

Partia Demokratike nuk pret përgjigje nga banditët, por nga shefat e tyre politikë.

Fakti që nuk reagon qeveria, por banditi i Zani Çaushit, tregon se eprorët e tij, Tahiri dhe Rama janë bërë njësh me krimin, dhe zëri i ushtarit të Zanit, është zëri i Tahirit dhe Ramës.

KOMENTE