Deputetja Tabaku, denoncon si anti-kushtetues vendimin e Edi Ramës për kalimin e këtij fondi për interesa klienteliste
Qeveria me një vendim anti-kushtetues, ka hequr nga fondi i kompensimit fizik për ish-pronarët, një sipërfaqe prej 18 076 hektarë tokë bujqësore. Ky veprim nuk bëhet për interes publik, por për interesa private e klienteliste.
Me këtë vendim qeveria coi ne zero fondin e tokës bujqësore që ishte planifikuar ti shpërndahej ish-pronarëve për kompensimin fizik.
Me këtë vendim, Edi Rama u bëri të qartë ish-pronareve se Qeveria e tij, nuk do të kompensojë asnjë prej tyre, fizikisht, me tokë bujqësore.
Ky është një vendim antiligjor dhe antikushtetues, pasi Fondi i kompensimit për-ish-pronarët, nuk mund të preket nga asnjë qeveri për interesa private, përveçse për interes publik.
Me këtë akt, Rama nxori në pah mashtrimin e tij të madh që u bëri ish pronarëve në zgjedhje, si dhe cenoi haptazi parimin e sigurisë juridike, pasi janë bërë tashmë aplikime për kompensim fizik nga ky fond.
Ky vendim bie ndesh edhe me detyrimet që ka lënë Gjykata e Strasburgut në vendimin pilot të saj në çështjen “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” ku i kërkohet autoriteteve shqiptare që të fillojnë shfrytëzimin e formave të kompesimit fizik. Afati për të hartuar një skemë shperndarjeje të ketij fondi ishte fundi i vitit 2013 dhe aplikimi i kesaj skeme, pikërisht viti 2014.
Zerimi i ketij fondi, duke ia hequr ish-pronarëve dhe duke ia kaluar klientëve të Ramës, padyshim që do të zhbëjë tërësisht besueshmërinë e qeverisë jo vetëm ndaj kësaj pjese të shoqërisë sonë por edhe ndaj Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Kjo vendimmarrje, antiligjore, antikushtetuese e Edi Ramës, në dem të ish pronareve, do të ketë impakt të drejtpërdrejt në shqyrtimin e qindra ankesave të pezulluara nga Gjykata e Strasburgut, duke rënduar në këtë mënyrë faturën financiare që do të duhet të përballojë Buxheti i Shtetit.
Partia Demokratike i bën thirrje qeverise te anulojë sa me shpejt këtë vendim, t’i kërkojë falje ish pronareve për këtë hap antikushetutes dhe të informoje sa më parë Gjykatën e Strasburgut për të shmangur dëmin e jashtëzakonshëm që po i krijon shqiptarëve si në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut, por edhe në ekonominë e secilit prej tyre.