English

Rama: Bizneset të respektojnë kontratat, pasi qeveria u përgjigj borxheve

Kryeministri Edi Rama inspektoi dje pasdite fazën e dytë të punimeve për ndërtimin e bypass-it të Durrësit, një investim me vlerë 8 milionë euro, financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim. Projekti i bypass-it të Durrësit parashikon ndërtimin e mbikalimit në rreth rrotullimin e Shkozetit, që e lidh atë me autostradën Tiranë - Durrës, si dhe ndërtimin e kolektorit të grumbullimit të ujërave në zonën e Plepave.

Kryeministri Rama pasi u njoh nga specialistët me fazën në të cilën ndodhen punimet, kërkoi që të punohet me intensitet maksimal për përfundimin e bypass-it. “Ajo që ne kemi shqetësim, është që duhet t’i japim intensitet maksimal punës. Punonjësit nuk duhet të vishen me kostum dhe me kaska vetëm kur vjen Ministri me Kryeministrin, por duhet të vishen me kostum e me kaska ditën dhe natën, duhet të punojnë në mënyrë sistematike, në bazë të kontratave”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Rama nënvizoi se kompanitë tani duhet t’u përgjigjen kushteve të kontratave të lidhura. “Ky lloj “teatri” këtu se po vijmë ne, nuk duhet të jetë “teatër”, por duhet të jetë e përditshmja e punës së kompanisë. Deri tani kemi pasur objektivin që të garantojmë borxhet që ju kemi, të garantojmë edhe financimet për të vazhduar punën. Ndërkohë që tani që edhe borxhet e garantuara edhe financimet për një pjesë janë të garantuara, të gjithë duhet t’i përgjigjen një më një kushteve të kontratës. Duhet të jenë në krye të detyrës drejtuesit e kompanive, supervizorët, Drejtoria e Rrugëve e të gjithë me radhë që të bëjnë punën”, nënvizoi Kryeministri Rama.

Në këtë inspektim Kryeministri shoqërohej nga Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako si dhe deputetë të zonës së Durrësit.

Punimet për Bypass-in e Durrësit rifilluan në muajin janar 2014.



***

Kryeministri Rama vizitë në një Call Center në qytetin e Durrësit

Kryeministri Edi Rama vizitoi gjithashtu gjatë ditës së sotme dhe një kompani Call Center në qytetin e Durrësit, e cila ka hapur 200 vende pune, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për punësimin në këtë qytet.

I shoqëruar nga Ambasadori Italian në Tiranë, Massimo Gaiani dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, Kryeministri bisedoi me të rinjtë dhe të rejat e punësuar në këtë kompani.

Kryeministri Rama dhe ambasadori Gaiani vlerësuan se është domosdoshmëri përhapja e gjuhës italiane ndër brezat e rinj në Shqipëri, pasi kompanitë e reja italiane, të cilat do të vijnë të investojnë në vendin tonë, kanë interes për profesionistë e teknicienë që e njohin këtë gjuhë.

Kryeministri Edi Rama theksoi se përfshirja e gjuhës italiane në arsimin profesional është në konsideratë të qeverisë. “Me këtë trend dhe këtë interes që ekziston nga pala italiane për të zhvilluar sistemin e Call Center, është një parashikim prej rreth 12 mijë vende të reja pune, ndaj duhet të konsiderojmë futjen e gjuhës italiane në sistemin e arsimit profesional”, nënvizoi Rama.

KOMENTE