Vetëm në provën e katërt, pas ndërhyrjes së ekspertëve u bë e mundur prishja me eksploziv e godinës së ndërtuar në Rrugën e Elbasanit, në afërsi të vilave gjermane.
Ka nisur paraditen e sotme puna për shembjen e ndërtesës 7-katëshe pa leje të bllokuar një ditë më parë nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në zonën e “Vilave Gjermane” në Tiranë. Pas tre tentativave të dështuara për ta shembur godinën, kjo e fundit u arrit të hidhej në erë vetën para pak minutash. Shembja ishte parashikuar të bëhej rreth orës 15:00, por gjatë procesit të shpërthimit të lëndës eksplozive ka pasur një defekt, dhe u shty për në orën 17:00.
Policia kishte hapur rreth 150 vrima në të gjithë godinën dhe në to kishte vendosur eksploziv C4. Në orën 17:00 u arrit që të shembej godina. Nga zona ku ndodhi edhe shembja, shpërthimi ka qenë i madh dhe është ndjerë në një zonë të gjerë. Mësohet se nuk ka dëmtime në njerëz, por janë dëmtuar disa banesa në zonën ku ndodhej ndërtesa 7-katëshe. Godina u bllokua një ditë më parë nga INUK-u, ndërsa pronarët e godinës e kundërshtuan një vendim të tillë.
Sipas tyre, vendimi i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për shembjen e ndërtesës bie ndesh me dokumentacionin që ata posedojnë. Ata pretendojnë se nuk kanë kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe se ndërtesa prej disa muajsh gjendet në proces legalizimi. Por pretendimi i pronarëve është kundërshtuar nga INUK-u. Specialistët ndërtimor kanë hedhur poshtë pretendimet e pronarëve se objekti është në proces legalizimi. Sipas tyre, kërkesa që ata kanë bërë për pajisjen me certifikatë pronësie nuk është pranuar, pasi trualli në të cilin është ndërtuar është zaptuar në vitin 1996.