“Crown Agents” ka nisur punën dhe bashkë me të edhe pagesa. Ministria e Financave ka ngurtësuar fondin për kompaninë “Crown Agents” sipas marrëveshjes së nënshkruar me qeverinë shqiptare në vlerën 400 000 euro.
Në faturat e pasqyruara në Thesarin e Shtetit, rezulton se, sipas marrëveshjes nr.15600/11 më 30 dhjetor 2013, qeveria shqiptare ka nisur kryerjen e pagesave të saj.
Në fund të janarit, qeveria prezantoi në Shqipëri agjencinë “Crown Agents”, e cila do të ofrojë asistencë në shërbimin doganor.
Kompania britanike “Crown Agents” me një ekip prej 12 pjesëtarësh nën drejtimin e Dejvit Smith do të punojë në vendin tonë. Sipas, z.Smith, “Crown Agents” sapo ka nisur nga puna dhe arritjet do të duken shumë shpejt.
“12 pjesëtarë të ekipit tonë do të flasin për programin. Sa kemi filluar dhe kemi shumë për të thënë sa u përket arritjeve, dhe shpresoj që prezantimi i ardhshëm të flasë për atë që kemi arritur në mënyrë të pjesshme. Është java e parë dhe e dytë e veprimtarisë dhe jemi mjaft të zënë.
Sot bëhet përzgjedhja e trajnimit të personelit të doganave, blerja e automjeteve, në momentin që jemi rekrutuar, prej 5 javësh do të dislokojmë ekipet në të gjitha pikat kufitare”, do të shprehej Smith në 27 janar.
Marrëveshja me kompaninë "Crown Agents" rregullon marrëdhëniet juridiko-civile me shoqërinë "Crown Agents Limited", e cila do të japë shërbim asistence për përmirësimin e performancës, rritjen e të ardhurave dhe zvogëlimin e korrupsionit në administratën doganore shqiptare.
Kompania "Crown Agents" është e njohur në botë dhe me aktivitet aktualisht në rreth 100 vende të botës. Crown Agents bashkëpunon me qeveri e organizma joqeveritare, është me reputacion dhe zbaton standarde të larta.
Sipas kontratës së lidhur me kompaninë, “Crown Agents” i mundëson qeverisë heqjen e çmimeve të referencës në dogana që nga fillimi i vitit 2014.
Të ardhurat që pritet të realizohen pas instalimit të kompanisë britanike “Crown Agents” për asistencën e doganave, janë përllogaritur në rreth 90 milionë euro.
Ndërsa kostoja që buxheti i shtetit do të paguajë për asistencën doganore do të jetë sa 5 % e të ardhurave që do të realizohen nga rritja e performancës në strukturat doganore në rang vend/shekulli/