English

Parandalohet një tjetër atentat me i telekomanduar në Tiranë

Efektivët e Komisariatit Nr. 6 në kryeqytet kanë mundur të parandalojnë një tjetër atentat me minë të telekomanduar, ndërsa është kapur në flagrancë një person.

Ai quhet Albert Stafa, është 30 vjeç dhe mësohet se është kapur në parkingun e një lokali në aksin Tiranë- Vorë, duke montuar një minë poshtë një automjeti.

Ndryshe nga rasti i arrestimit të Julian Sinanajt, ku policia nxitoi të nxirrte shoqërimin e tij me pamje live nëpër të gjitha mediat vizive, me rastin e mëngjesit të djeshëm të zbuluar në Tiranë, policia është treguar mjaft e kujdesshme.

Sipas të dhënave të policisë bëhet me dije se, 30-vjeçari është kapur në kushtet e flagrancës bashkë me dy aparate telefonikë, që të dy model i vjetër, njëri tip Nokia dhe tjetri Samsung, duke kryer montimin. Megjithëse Stafa për gjatë ditës së djeshme nuk ka qenë në gjendje t’u tregojë ekspertëve të policisë dhe prokurorëve se kush ishte personi të cilit do t’i vihej mina, policia ka mundur të zbulojë porositësin.

Zyrtarisht policia e Tiranës nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me aktin e rëndë të parandaluar nga oficerët e terrenit të Komisariatit Nr. 6, po ka bërë me dije se është zbuluar se kush e ka porositur atentatin.

Është zbuluar edhe i zoti i mjetit të vënë në shënjestër, ndërsa policia ka sekuestruar materialet e gatshme të cilat po vendoseshin në mjetin e parkuar në afërsi të një lokali. Emri i Stafës, sipas policisë, rezulton i njohur prej kohësh, pasi ai ka një sërë akuzash, ndonëse nuk është i dënuar ndonjëherë me vendim gjykate.

Emri i Stafës ka dalë rreth 4 vite më parë në një operacion ndaj një rrjeti për shfrytëzim prostitucioni, por që më pas është lënë i lirë për mungesë provash, ndërsa policia saktëson se emri i tij është i dyshuar edhe për një pengmarrje të bujshme. Pritet të vihet në pranga porositësi i atentatit, ndërsa policia mban sekret mjeshtrin tjetër të minave të telekomanduara.

Dyshohet se është pjesë e rrjetit të Sinanajt, ndërsa po hetohet për një sërë ngjarjesh pa autor të ndodhura në Tiranë dhe që për lëndë të parë kanë patur tritolin/Shekulli/

KOMENTE