Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati gjatë takimit me kryeministrin e Greqisë, Antonis Samaras, ka deklaruar se Shqipëria është gati të trajtojë “të gjitha çështjeve të hapura midis dy vendeve në frymën e besimit të ndërsjellë, përmes dialogut dhe konsultave në të gjitha nivelet, në përputhje me realitetin e ri në Ballkan”.
Edhe Samaras, ka shprehur vullnetin e palës greke për të shkuar drejt një marrëdhënieje të orientuar nga zgjidhja e problemeve, duke mos mbetur peng e së shkuarës. Të dy zyrtarët kanë shprehur besimin në ndërtimin e një klime bashkëpunimi konstruktiv në të mirë të të dy vendeve.
Duke qenë se Greqia aktualisht mban Presidencën e BE-së, Bushati ka shprehur besimin se, “Greqia do të vijojë të jetë avokate e ankorimit të rajonit në rrjedhat evropiane”. Samaras dhe Bushati duke vlerësuar rëndësinë e projektit TAP, e kanë konsideruar këtë projekt si një mundësi e bashkëpunimit të mëtejshëm mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë.