English

Hoxhaj në SHBA. Pa njohje, s’ka normalizim

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar ditën e djeshme vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në Uashington, Hoxhaj do të zhvillojë takime të shumta me përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe përfaqësues të tjerë shtetëror.

Në ditën e parë, ministri Hoxhaj ka mbajtur një ligjëratë dhe diskutim me një audiencë të veçantë të vendimmarrësve në Atlantic Council në Uashington D.C.

Çështjet kryesore ku është fokusuar ministri Hoxhaj ishin të arriturat e Kosovës në shtetndërtim, stabiliteti politik dhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës.

Ndër të tjera, ministri Hoxhaj përmendi të arriturat e Kosovës në dialogun me Serbinë, avancimin e agjendës evropiane, sigurinë e brendshme në Kosovë dhe suksesin në njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Duke folur për të arriturat dhe sfidat në dialogun me Serbinë, ministri Hoxhaj në veçanti përmendi se ekzistojnë pesë çështje në të cilat kërkohet të ketë rezultatet për të konsideruar marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si normale.

“Së pari, të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani duhet të zbatohen pa tendencat për t’i rinegociuar dhe ndryshuar.

Së dyti, procesi i shpërbërjes së strukturave paralele në veri duhet të përfundohet sa më shpejtë dhe të mos mbeten aspekte të paqarta në këtë drejtim.

Së treti, kërkohet angazhim për integrimin e plotë të serbëve të Kosovës në strukturat institucionale, siç ka ndodhur me valën e suksesshme të integrimit të serbëve pas pavarësisë së Kosovës.

Së katërti, sovraniteti i Kosovës duhet të respektohet, duke përfshirë këtu largimin e barrierave për anëtarësim në organizata rajonale, evropiane dhe mbi të gjitha në OKB. Dhe së fundi, normalizimi i plotë do të ndodh atëherë kur të kemi njohje reciproke të shtetësisë dhe pavarësisë ndërmjet dy vendeve tona”, tha ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka shprehur përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e FSK-së me standarde të NATO-së, dhe pas arritjes së kapaciteteve të plota si dhe pas rishikimit të sektorit të sigurisë, Kosova të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe dhe anëtar i NATO-s.

KOMENTE