English

Intervista e Edi Ramës. Si hyri në politikë dhe deri tani. Synimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë

Edi Rama në një intervistë për Hans Ulrich Obrist flet gjatë për jetën e tij dhe për hyrjen në politikë. Kryeministri tregon për “sherret” me babain e tij, për mënyrën se si u bë ministër Kulture dhe për kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës. Për propozimin e Nanos, Rama tregon: “Ra telefoni. Ishte kryeministri, Fatos Nano. Më bëri një pyetje të drejtpërdrejtë: “Ministër i Kulturës, do të qëndrosh apo do të largohesh.” Pa hezitim, i thashë: “Do të qëndroj”.

Hans Ulrich Obrist: Më vonë shkuat në Paris, ku jetuat me Anri Salën. Si hytë më vonë në politikë?

Rama: Në vitin 1998, babai im u nda nga jeta nga një atak në zemër dhe unë planifikova që të kthehem sërish në Shqipëri për tre ditët e funeralit, por nuk u largova më. Unë dhe babai ishim shumë të afërt me njëri-tjetrin, por që gjithsesi ne konfliktoheshim për pikëpamjet tona, pasi ai ishte komunist ndërsa unë antikomunist. Ai ishte një artist shumë i njohur në vend, por njëkohësisht edhe një njeri që njihej për tolerancën e tij. Unë gjithnjë do t’i jem mirënjohës ai që më lejoi të rritesha pa limite në mënyrën e të të menduarit. Kur ai u nda nga jeta, unë e përjetova keq. Pas funeralit, tek recepsioni i shtëpisë sonë, unë shkova të bëja kafetë në kuzhinë. Telefoni ra dhe pas tij dallova kryeministrin Fatos Nano, i cili atë kohë ishte në krye të qeverisë së riorganizuar pas trazirave politike dhe kolapsit ekonomik të vitit 1997. Ai më pyeti shpejt: “Zoti Ministër i Kulturës, doni të qëndroni këtu apo do të largoheni?" Ai po më propozonte që të merrja një pozicion në kabinetin e tij qeveritar. Dhe pa hezituar, i thashë: "Do të rri." Ai tha: "Vërtet? Dëshiron edhe ca kohë që të mendohesh?" Iu përgjigja: “Nëse unë do ta mendoj pak më gjatë, do të largohem."Pastaj e mbyllëm. Më vonë, nga zyra e tij më kërkuan CV-në. Unë i shkrova vetëm kaq: “Edi Rama, i lindur në 4 korrik. Kaq është mjaftueshëm”. Ditën tjetër u bëra ministër.

Hans Ulrich Obrist: Ka një traditë të madhe të artistëve dhe intelektualëve që më vonë u bënë burra shteti. Në Evropën Lindore, ishte shkrimtari dhe poeti Václav Havel, i cili u bë presidenti i parë i Republikës Çeke, për shembull. A ishin këto modelet në të cilat ju u bazuat?

Rama: Ju e dini, kjo mbivendosje politiko- kulturore ishte tipike për vendet ishkomuniste, për shkak se klasa politike thjesht u zhduk së bashku me regjimet. Kështu shkrimtarë, filozofë, artistë e aktivistë socialë, mbushën hapësirat boshe që u lanë. Por në të njëjtën kohë, inteligjenca politike aktualisht nuk ka sjellë shumë ndryshime në aspektin e politikave. Merrni Havel, i cili mbeti margjinal deri në fund. Ai ishte shumë i aftë të përfaqësonte popullin, por nuk kishte ndikim në qeveri.

Hans Ulrich Obrist: Çfarë ndryshoi kur u bëtë ministër i kulturës? Çfarë ndryshuat?

Rama: Kur kam filluar si ministër i kulturës në vitin 1998, unë isha krejtësisht i pavarur. Unë nuk isha anëtar i asnjë partie. Gjëja e parë dhe më e rëndësishme që kam mësuar në lidhje me politikën dhe imazhin kishte të bënte me mënyrën se si unë vishesha, e cila ishte edhe mënyra e veshjes sime përpara se të bëhesha ministër, në një mënyrë krejtësisht jokomformiste. Me xhaketat e mia të kuqe, këmisha e shkëlqyeshme apo pantallona të verdha, unë kam qenë si një objekt i paidentifikuar fluturues në mes të një deti kostumesh dhe kravatash. Dhe unë mendoj se kjo gjë bëri që shumë të rinj të ndiheshin të përfaqësuar nga unë, nga stili im. Kam qenë shumë i ri në atë kohë. Kam qenë tridhjetë e katër vjeç. Fillova të organizoja shumë evente për të rinjtë, si dhe konkurse ndërkombëtare për artistët, këngëtarë të operës, producentë, dhe shpërblime arti dhe më pas një bienale. Unë rihapa teatrot, të cilat ishin inekzistente atë kohë dhe më kryesorja kinemanë që ishte e ndaluar. Dhe unë u shpreha shumë ashpër kundër traditës, kundër themelimit. Kështu u bëra i famshëm. Kjo është arsyeja pse unë fitova me një lumë votash në zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë, dy vjet më vonë. Ajo ishte shkalla më e madhe e pjesëmarrjes së të rinjve në zgjedhje.

Hans Ulrich Obrist: Anri Sala e bëri videon e parë të fushatës?

Rama: Po. Kjo ishte shenjë paralajmëruese e atij që do të bëhej më pas projekti urban. Ne morëm një fotografi të vjetër të qendrës së Tiranës. Më pas e vumë fotografinë në ujë, e pastaj hodhëm bojë me ngjyrë në ujë. Filmuam çdo gjë.

Hans Ulrich Obrist: Ky ishte një ngacmim.

Rama: Ishte vetëm një sekuencë, nuk kishte mesazh në të.

Anri: U shfaq si një virus i gjallë në televizion.

Rama: Njerëzit do ta shihnin këtë fotografi bardhezi, por më pas do të merrte ngjyrat e kuqe, të verdhën, blunë, dhe jeshilen që ngjyrosnin fotografinë dhe kjo ishte. Vetëm për disa sekonda. Kjo ishte e para fushatës aktuale që kishte filluar. Kështu ajo paralajmëronte diçka. Sapo u bëra kryetar bashkie, fillova të pikturoja ndërtesat. Fillimisht, pikturuam fasadat me ngjyra të ndritshme, në radhët e bllokut të zymtë të strehimit socialist dhe kjo ishte transformuese. Ngjyrat lidheshin së bashku në hapësirat të cilat ishin shtuar pak nga pak nga nevoja e njerëzve për të shtuar hapësirat e tyre të jetesës, por që nuk ishin të shqetësuar për format e prodhuara nga ndryshime të tilla. Kjo gjë sillte shpërfytyrim të fasadave. Mendova se do të ishte një mënyrë e lirë dhe efektive për të ndryshuar perceptimin e njerëzve për vendin e tyre dhe hapësirën e tyre të përbashkët. Dhe funksionoi. Në këtë mënyrë shtypi ndërkombëtar gjeneroi projektin e parë mbi Shqipërinë pas ndryshimit të regjimit.

Hans Ulrich Obrist: Kjo shkaktoi një ortek gjërash

Rama: Pas projektit fillestar të ngjyrave, pas Bienales së parë të Tiranës, në vitin 2001dhe pasi u vlerësua nga artistët (falë ftesës që ata të merrnin pjesë në projektin e fasadave në vitin 2003), dukej se të gjithë do të donin të bënin diçka lidhur me ngjyrat e fasadave. Mua më vjen shumë keq që ky projekt nuk vazhdoi për shkak të mungesës së fondeve.

Hans Ulrich Obrist: Dhe nuk rifilloi më?

Rama: Po, nuk rifilloi.

Hans Ulrich Obrist: Ndoshta në shkallë vendi, kjo mund të ndodhë në çdo qytet tani. Dhe, jo vetëm në qendrat urbane, por edhe në fshatra, pasi siç thotë Rem Koolhaas, e ardhmja është fshati.

Rama: Ne do të vazhdojmë me prishjen e ndërtimeve pa leje, me zhvillimin e një plani ekonomik, por ne kemi shumë nevojë për ndryshim vizual. Kështu për shembull, në fshatrat në bregdetin e Jonit, po përpiqemi që të ndërtojmë një sintezë mes shtëpive të vjetra dhe atyre të reja duke prodhuar kështu një koherencë, dhe jo thjesht një ngjyresë siç bëmë me Tiranën. Dhe ngjyra nuk është domosdoshmërish e vetmja zgjidhje. Ndoshta eventet jetësore do të prodhojnë një traditë të re, rituale artistike që lënë pas gjurmë dhe forma që përfundimisht do të rikonfigurojnë këto hapësira. Unë shumë shpejt do të vizitoj të gjithë bregdetin jugor, me disa miq e artistë të përfshirë më parë me projektin e fasadave në Tiranë, në mënyrë që të mund të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë që idetë ekzistuese të zbatohen në shkallë vendi, por edhe për qasje të reja.

Hans Ulrich Obrist: Ç’mund të themi për përdorimin nga ana juaj të medieve sociale, një model ky i ndërveprimit të vazhdueshëm.

Rama: Unë kam qenë pak a shumë personi i parë që e kam përdorur Twitter-in për debat publik. Dhe ky lloj debati në kohë reale është fantastik. Si kryeministër, unë kam vendosur që të mbaj seanca të rregullta në Twitter. Hyj në internet për dy orë në mënyrë që t’i përgjigjem pyetjeve të njerëzve.

Hans Ulrich Obrist: Por sa qasje kanë shqiptarët në internet në të vërtetë?

Rama: Ne kemi bërë shumë progres.

Hans Ulrich Obrist: Si mundet që këto platforma digjitale të përkthehen në hapësirë fizike publike?

Rama: E pra, një nga gjërat që unë dua të bëj është ndërtimi i një muzeu ndërfetar. Shqipëria është një rast unik për shkak se muslimanët, të krishterët ortodoksët dhe katolikët, të gjithë bashkëjetojnë në paqe këtu. Ne patëm një periudhë të persekutimit të tmerrshëm nën sundimin komunist, kur kishat hidheshin në erë me dinamit dhe veprat fetare të artit digjeshin në rrugë. E megjithatë, pavarësisht të gjithave, historikisht, ne kemi pasur një atmosferë të madhe tolerance. Një muze si ky do të mund të shqyrtojë të gjithë rajonin e Ballkanit, ndoshta do të bashkonte gjeneratat e reja të shqiptarëve së bashku, flas këtu për shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës, si dhe serbët, malazezët, maqedonasit e grekët, si pjesë e një historie të përbashkët besimesh. Brezat e rinj janë krejtësisht të paditur kur bëhet fjalë për historinë e komunizmit dhe për krimet që kanë ndodhur gjatë asaj kohe. Ata nuk e kanë jetuar atë kohë, ata nuk kanë si ta kuptojnë, ata nuk kujdesen për këtë pjesë të historisë, ata janë indiferentë për të, për mënyrën se si kemi arritur në këtë pikë si një shoqëri harmonike në termat e besimit dhe se cilat mund të jenë rreziqet.

Sala: Është mirë të të menduarit e rajonit si një komunitet i referencave të përbashkëta. Është më mirë se sa t’i mendosh vendet si të veçuara ose si shtojcat të Evropës.

Rama: Muzeu do të mund të aktivizojë këtë histori ndër-kulturore, jo vetëm me ekspozita, por edhe me hapësira për workshop-e, debate apo konferenca. Ajo nuk do të jetë një hapësirë e ngrirë, një hapësirë zyrtare ku ju të hidhni një vështrim pasiv. Ne kemi zhvilluar tashmë një konkurs për hartimin e muzeut. Një komponent të cilin unë e dua më së shumti është kopshti i muzeu, i cili do të mund të mbledhë dhe të shfaqë për të gjithë, bimët e përmendura në Bibël, Kuran dhe libra të tjera të shenjtë.

Sala: Në të njëjtën kohë, ka objekte ekzistuese të tilla si piramida – e braktisur, një mauzoleun sureal i cili u ndërtua për ish-udhëheqësin shqiptar, Enver Hoxhën, së cilës mund t;i jepet edhe një rol tjetër, një përdorim ndryshe.

Rama: Edhe ish-vendbanimit të Hoxhës, rezidencës së tij, gjithashtu. Mua më pëlqen ideja e të përdorurit të asaj godine si një bujtinë. Jam dakord për ta mbajtur shtëpinë ashtu siç është, për të mbajtur çdo gjë, madje edhe mobiliet e Hoxhës, por për të ndryshuar natyrën e jetës brenda. Për momentin, kjo është një bujtinë për politikanët, por ajo mund të kthehet edhe në një bujtinë për shumë njerëz, një vend për çdo gjë dhe çdokënd që Hoxha do të kishte urryer t’i kishte rreth e rrotull. Ai do ta urrente një artist bashkëkohor aty, në rezidencën e tij.

Sala: Kjo do të jetë si një transfuzion gjaku. Ju mund ta hapni atë edhe për publikun. Tani për tani, kjo godinë është e mbyllur prapa mureve, ashtu siç ishin edhe shumë hapësira nën regjimin e Hoxhës. Po nëse ju ktheni një pjesë të kopshtit të kësaj godine në një park...

Rama: Po. Dua të hap kopshtin përreth shtëpisë. Tërë blloqet e zonës dikur mbroheshin me ushtarë të armatosur. Këto u hapën më në fund, në vitin 1991. Rrugët atë kohë u mbushën me turma njerëzish të cilët kurrë nuk kishin qenë në gjendje që të fokusonin qoftë edhe një pamje të kësaj godine, pa përmendur faktin se çfarë kishte aty brenda. Pak më vonë, kur e kam parë këtë shtëpinë vetë, jam tronditur. Pata një ndjenjë të pabesueshme ngathtësie. Ju mendoni një njeri që mban një shtet nën gishtin e tij për vite të tëra, dhe pastaj ju provoni një shije aq banale sa kuptoni mënyrën krejtësisht banale të jetesës së tij.

Nga prishja e kioskave te bienalet e Tiranës

Hans Ulrich Obrist: Në vitin 2000, ju iniciuat projektin "të pastër dhe të gjelbër" , me anë të së cilit strukturat e ndërtuara në mënyrë të paligjshme i prishët për të krijuar më shumë hapësira në park. Ky projekt më kujtoi parullën e Joseph Beuys-it për 7000 Oaksët e tij (1982-1987) ku thuhej: "Pyllëzimi i qytetit në vend të administrimit të tij." Shumë arkitektë janë të interesuar për Shqipërinë, për shkak se ajo është relativisht e parregulluar, ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës dhe në të njëjtën kohë të gjitha këto ndërtime pa leje. Juve ju duhet të përballeni me një gjendje e vështirë: për të hequr qafe këto strukturave ilegale, por në të njëjtën kohë të mos bini edhe në grackën e risive që vijnë - për shkak se shumë pjesë të Evropës janë të shqetësuara për arkitekturën e vërtetë.

Rama: Kultura është infrastrukturë. Nuk është thjesht sipërfaqe. Çfarë mund të bëjmë në aspektin e kulturës këtu? Sigurisht, për financimin e këtyre ideve është gjithmonë ka probleme, por ne kemi pasur ide që kanë funksionuar shumë mirë përkundër mungesës së fondeve. Ne kemi organizuar të vetmen bienale në botë që nuk ka kushtuar asgjë. Dhe Harald Szeemann ishte aq i shokuar nga ajo që po ndodhte në Tiranë saqë kjo e frymëzoi atë të kuronte një shfaqje të tërë "Gjaku dhe mjalti" në muzeun Essl - Kunst der Gegenëart , në Klosterneuburg të Austrisë, në vitin 2003. Ai madje mori pjesë si një artist në edicionin e dytë të Bienales sonë, në vitin 2003.

Hans Ulrich Obrist: Më kujtohet. Ajo ishte një nga shfaqjet e fundit në të cilën ai mori pjesë.

Rama: Po, dhe shumë të rinj erdhën. Kështu që unë dua t’i rikthehej këto lloje standardesh kulturore .

Hans Ulrich Obrist: Bienialet caktojnë vende të ndryshme në hartë. Por në të njëjtën kohë, ato nuk janë padyshim prani të qëndrueshme. Çdo dy vjet një qytet merr një injeksion dhe pastaj asgjë. Besoj se ju duhet ky lloj injektimi çdo ditë, jo një herë në disa vjet.

Rama: Po, dhe kjo është se si unë dua të shoh Shqipërinë dhe Tiranën dhe Ballkanin si një e tërë: si një lloj ngjarjeje që ripërsëritet dhe rikombinohet.

Unë dhe Ardian Klosi te “Refleksionet”

Rama: "Klosi dhe unë ishim shumë të mërzitur, që në momentet e para të ndryshimit dhe me mënyrën se si lëvizja demokratike po manipulohej

Hans Ulrich Obrist: A do ta quanit veten një artist-aktivist?

Rama: Kur isha i ri, po. Politika gjithnjë më ka interesuar, por asnjëherë nuk kam menduar të hyj në botën e saj formalisht. Kam bërë asokohe një jetë udhëtari, jetën e një njeriu që shet art, që blen bileta aeroplanësh për të zbuluar botën. Por në të njëjtën kohë, kam shkruar edhe me një frymë opozitare kundrejt apo diçkaje që më shqetësonte, pra pak a shumë kam funksionuar si një njeri që sjell telashe. Por, në fund të fundit, unë isha piktori që jetonte mes ngjyrash dhe konfliktesh. Punimet e mia ishin abstrakte, thuajse si një kod për një lëvizje sekrete. Tani jam afër të pesëdhjetave. Por që nga fillimi, unë mendoj se fakti që unë nisa të bëja art në kohën kur ende ishte i fortë regjimi komunist – kur akademia e Arteve ishte tërësisht e kontrolluar dhe realizmi socialist ishte metoda e vetme e pranueshme, por që kishte edhe mënyra për t’ia larguar nëse përdorje imagjinatën tënde- që më bëri mua një artistaktivist. Në një farë mënyre, i gjithë arti joakademik ose edhe diskutimet e asaj kohe, në këtë situatë, mund të shihen si procese aktinizmi-një mënyrë e mirë për të kaluar në anën tjetër të murit, qoftë edhe formalisht apo literalisht.

Hans Ulrich Obrist: Më pas ju u përfshitë tërësisht në lëvizjen studentore; pas rënies së qeverisë komuniste, ju filluat të jepnit mësim në akademi. Ju keni shkruar edhe një libër atë kohë me titullin “Refleksione”, në vitin 1991. Ishte diçka në lidhje me utopinë e politikës dhe artit.

Rama: Po. Unë e kam shkruar atë vepër së bashku me një mikun tim, Adrian Klosin, një nga figurat më të rëndësishme të protestave kundër regjimit komunist, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta. Kemi menduar disa herë që ta ribotojmë këtë libër duke i shtuar edhe një kapitull tjetër për kohën më pas, pasi ai u shndërrua papritur në një libër profetik. Klosi dhe unë ishim shumë të mërzitur, që në momentet e para të ndryshimit dhe me mënyrën se si lëvizja demokratike po manipulohej. Ishte e para parti opozitare e njohur nga regjimi i deriatëhershëm, por u kthye papritur në një lëvizje artificiale populiste. Sheshet e qytetit ishin plot me njerëz, dhe të gjithë të mbushur me një energji të çuditshme - çdokush mund ta ndiente kundërshtinë dhe urrejtjen në grimcat e ajrit, por nuk gjeje një vështrim pozitiv askund, nuk kishte asnjë pamje drejt së ardhmes. Turmat po keqpërdoreshin; ata u bënë një lloj ornamenti. "Refleksionet" tona filluan të shiheshin si një diagnozë dhe një alternativë, në brendësi të së cilës gjeje krahasimin me lëvizjen ulëritëse jashtë. Gjatë asaj kohe, Ardiani dhe unë iu bashkuam një eventi në hollin e vjetër të teatrit të Akademisë së Arteve. Nuk kishte tribunë, as skenë, as panel, asgjë përveç një hapësire të errët. Njerëzit nuk mund ta shihnin njëri-tjetrin, kështu që gjithçka fokusohej tek zërat. Mikrofonat ishin përqark dhe njerëzit i dëgjonin të gjithë, e zërat e panjohur dhe të gjithë rrëfenin të vërtetat që njerëzit kishin frikë t’i thonin në publik. Kjo ishte hera e parë ku e kam parë situatën të artikuluar qartësisht, dhe kjo solli një pozicionim shumë të shpejtë dhe radikal kundër regjimit
Përktheu: Luela Myftari Marrë nga: artforum.com

KOMENTE