Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Kombëtare mbi skemat mbështetëse financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural:
Dua ta hap fjalën time, jo për formë, por për fakt, duke përgëzuar Ministrin e Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për organizimin e këtij bashkëbisedimi të zgjeruar, me kaq shumë aktorë dhe faktorë të rëndësishëm për rrugën e këtij sektori strategjik për vendin tonë, në funksion të ndërtimit të një qasjeje të re dhe të qëndrueshme të skemave të mbështetjes ndaj këtij sektori.
Besoj se ne i kemi kushtuar fshatit dhe hapësirës rurale, si e tërë, një vend të veçantë në Programin e ‘Aleancës së Shqipërisë Evropiane’. Edhe pse shumë herët për të folur, besoj se në këta 4 muaj, i’a kemi dalë të vemë në vijë disa zotime, pikërisht në funksion të jetësimit një qasje të re për zhvillimin rural. Qasje, që duhet dhe do të bëjë të mundur ndërtimin e një ekonomie të re rurale, si një instrument për zhvillimin jo vetëm të sektorit, por edhe të ekonomisë kombëtare.
Ne jemi zotuar që ta bëjmë fermerin, përfitues të drejtpërdrejtë të skemave të zgjeruara të shtetit, duke vendosur një distancë të qartë nga praktikat diskriminuese dhe akoma më keq korruptive që kanë karakterizuar marrëdhëniet mes shtetit dhe sektorit në të gjithë këto vite.
Skemat e mbështetjes për vitin 2014 arrijnë në vlerën e 1.655.000.000 lekëve dhe përbëjnë një rritje financimi prej afro 70% në raport me skemat e vitit 2013.
Sigurisht që, sot ne jemi ende në kohën kur s’na mbetet tjetër veçse të krahasohemi me të kaluarën. Por, ambicia jonë është që në vitet në vijim krahasimin ta bëjmë me objektivat dhe jo thjesht me të kaluarën. Ka shumë fermerë që marrin mbështetjen për herë të parë, (si për shembull ata që merren me farërat dhe fidanët autoktonë).
Ndërsa është shtuar me 40% masa e përfitimit për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, duke shkuar në drejtim të objektivit tonë për të stimuluar, konkretisht, bashkëpunimin midis fermerëve dhe për ta mbështetur këtë bashkëpunim mbi baza të qarta interesash.
Nga ana tjetër, për herë të parë ne kemi siguruar mbështetje financiare për karburantin e përdorur në serat me ngrohje. Dëshirojmë të besojmë se ky do të jetë një element që do të ndryshojë në uljen e kostos së një pjese të prodhimit bujqësor.
Sigurisht që, në të gjithë fushën e veprimit, në tërësi, por posaçërisht në këtë sektor, skemat janë të orientuara tërësisht nën dritën e bashkëpunimit me BE-në dhe të koordinuara me politikën e përbashkët bujqësore.
Ato janë të zhvilluara në këtë logjikë, duke e kthyer fshatarin shqiptar në kontribuues të drejtpërdrejtë për të ardhmen evropiane të vendit. Ne e kemi rifomatuar tërësisht sistemin e skemave të mbështetjes dhe skemat e reja zgjaten në një shumëllojshmëri fushash, duke e tejkaluar më në fund ngërçin e përfshirjes së kufizuar të fermerëve, në financime publike.
Por, sidoqoftë, qoftë ne si qeveri, në bashkëpunim me grupet e interesit, aktorët ruralë dhe të gjithë banorët e zonave të fshatit, qoftë vetë ata që i japin jetë përditë këtij sektori, kemi përballë dy sfida kryesore.
E para, është t’i përgjigjemi dhe me anë të skemave të mbështetjes, gjendjes së sotme ku e kemi gjetur fshatin e cila dihet botërisht, dhe nuk themi asgjë të re, është shumë e vështirë.
Nevoja është e menjëhershme për mbështetje ekonomike, si instrument për të filluar të eliminojmë atë kufi varfërie që e izolon fshatin, por edhe atë kufi shumë të fortë pabarazie gjinore, që e karakterizon fshatin.
Sfida e dytë e cila është përsëri e përbashkët, është që ndërkohë që duhet me patjetër të reagojmë ndaj emergjencës së të tashmes, të përgatitemi ashtu si duhet për të ardhmen.
Kjo ka të bëjë me parashikimin e nevojave që do të ketë shoqëria dhe parapritjen e tyre, si në prodhimet për vendin dhe eksportin, ashtu dhe për sa i përket zhvillimit social dhe teknologjik, duke mbajtur gjithmonë parasysh edhe zhvillimin e pandalshëm demografik.
Në këtë aspekt është e rëndësishme që skemat të kontribuojnë në ruajtjen e vlerave dhe të prodhimtarisë të arritur në vite, por edhe të mundësojnë adaptimin ndaj nevojave të vazhdueshme të urbanizimit dhe transformimeve në kërkesën ushqimore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Të dyja këto sfida kanë të bëjnë dhe me rritjen e interesit për investime vendase e të huaja në bujqësi.
Nga ana tjetër mendoj që, ne vetë si qeveri, kemi përballë dhe një sfidë të tretë shumë të rëndësishme në bujqësi. Kjo është sfida e integrimit rajonal dhe veçanërisht ajo e integrimit të tregut tonë bujqësor e ushqimor me tregun e Kosovës, si fillim.
Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë dhe kemi hedhur hapat e para, në bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës, për krijimin e një tregu e oferte të përbashkët të prodhimit në hapësirat e dy shteteve tona.
S’ka dyshim se edhe në këtë aspekt s’mund të ndërmerren hapa të qëndrueshme pa konsultime të vazhdueshme me grupet e interesit dhe fermerët në të dy anët e kufirit, për të përvetësuar atë që eksperienca e territorit e ka të paçmueshme, prakticitetin dhe adaptueshmërinë me skemat që përndryshe mbeten vetëm në letër ose bëhen mundësi e qartë për dështim, e më keq akoma, për korrupsion.
2014 është shpallur nga Kombet e Bashkuara viti i bujqësisë familjare.
BE, në të cilën rreth 80% e bujqësisë është familjare, e mbështet posaçërisht këtë nismë, që sipas anëtarit të Komisionit Evropian për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, ka të bëjë me mbështetjen e 500 milionë sipërmarrjeve bujqësore familjare që kontribuojnë në mirëqenien e njerëzimit.
Skemat e reja të mbështetjes modestisht janë në këtë frymë.
Ato mbështesin sipërmarrjet bujqësore që janë faktorë në mirëqenien e secilit prej nesh dhe në garantimin e një rruge të qëndrueshme të mirëqenies për brezat më të rinj, me anë të kontributit në sigurinë ushqimore; në ekuilibrimin e burimeve natyrore dhe në ruajtjen e biodiversitetit.
Siç janë me siguri dhe faktorë në mbrojtjen e trashëgimisë e pasurisë kulturore të vendit, me anë të kontributit në ruajtjen e traditës dhe identitetit lokal e kombëtar.
Është një element i rëndësishëm i politikave evropiane, dhe gjej rastin ta nënvizoj këtu, edhe njohja dhe pranimi i fermerit si krijues i dijes, në fushën e bujqësisë.
E, për këtë arsye, lidhja mes nesh si qeveri dhe gjithë autoriteteve shtetërore që mbulojnë këtë fushë dhe njerëzve protagonistë të fushës, duhet të shkojë duke u forcuar vazhdimisht. Sepse, është një lidhje e ndërsjellë, me përfitim absolutisht reciprok dhe përjashtimi i fermerit dhe i gjithë forcave sipërmarrëse në këtë fushë, si mbartës i një dijeje që administrata nuk e ka, nuk është asgjë tjetër, veçse heqja nga vetja e një mundësie të jashtëzakonshme që ne duam me patjetër ta vëmë në shfrytëzim.
Në këtë aspekt, ne jemi shumë të vendosur dhe besojmë se do të gjejmë mbështetje edhe nga miqtë, partnerët, kontributorët e huaj, për të ndërtuar një sistem të besueshëm shkollash të mesme profesionale të teknikave të reja të bujqësore dhe blegtorale, pranë zonave ku ka aktivitet të zgjeruar bujqësor apo blegtoral.
Po ashtu edhe zgjerimi i bashkëpunimit me njerëzit në territor dhe në vlerësim të dijes së tyre dhe përfshirja e drejtpërdrejtë e vetë kontributorit të sektorit, në shërbimin arsimor profesional është një domosdoshmëri. Ne nuk duam shkolla profesionale që të jenë vende ku bëhet teori e shkëputur nga praktika dhe aq më pak kemi nevojë për shkolla profesionale që nuk stimulojnë lidhjen e drejtpërdrejtë mes nxënësve dhe sektorit, apo që janë të shkëputura tërësisht, qoftë nga nevojat, qoftë nga karakteristikat dhe shkalla e njohjes së vetë tregut të punës. Kështu që, edhe në fushën e bujqësisë është e njëjta gjë. Madje besoj që në fushën e bujqësisë, duke shfrytëzuar historitë e suksesit, duke shfrytëzuar zonat dhe pjesët e sektorit gjeografikisht apo si kapacitete njerëzore, ne mund të ndërtojmë një rrjet shumë të besueshëm dhe të qëndrueshme shkollash profesionale, që nga njëra anë t’i japim mundësi sektorit të forcohet me kapacitete teknike dhe nga ana tjetër t’i japim mundësi të rinjve që në rrugën e formimit profesional të garantojnë edhe punësimin e tyre të ndershëm dhe një jetë të bazuar tek puna e tyre e ndershme.
Sigurisht që, ka dhe një element që ne e dimë fare mirë. Sot, bujqësia është një nga sektorët me të ardhurat më të ulëta. Ne na duhet që të përballemi me këtë fakt dhe të bashkëpunojmë për ta ndryshuar këtë fakt. Për ta ndryshuar këtë fakt, nuk mjafton vetëm ajo çka bëjmë drejtpërdrejtë tek sektori, por është e domosdoshme, që planifikimi ynë strategjik të bëjë të mundur që bashkë me bujqësinë, ne të shikojmë si pjesë të zhvillimit të integruar, jo vetëm hapësirën rurale, por edhe të gjithë elementët e kësaj hapësire, si transporti, energjia, infrastruktura, mjedisi, turizmi, në mënyrë që bujqësia të kthehet në burim të ardhurash të larta për aktorët rural dhe posaçërisht për fermerin dhe familjen e tij.
Sfidat në këtë sektor janë të mëdha. Padyshim që, këtu, ka njerëz që prej vitesh kanë shumë për të thënë dhe s’kanë mundur që të gjejnë veshë të vëmendshëm për t’u dëgjuar. Ashtu sikundër këtu ka shumë njerëz, siç ka në të gjithë territorin e Shqipërisë, që nuk kanë nevojë për politika të mëdha dhe për gjëra të mëdha, por për politika të shënjestruara siç duhet dhe për politika të vogla që të bëjnë sukses akoma më të madh se ç’kanë bërë, në kushtet kur janë lënë tërësisht në mëshirën e fatit, në rastin më të mirë, apo kur as mëshira e fatit nuk ka qenë fati i tyre, sepse janë goditur, janë penguar, janë sakatuar për njëmijë e një arsye të mosarsyes, në përpjekjen për të bërë sukses.
Pikërisht, për këtë, ne duam që në bazën e të gjithë punës sonë të jetë dialogu me të gjithë protagonistët e suksesit në fushën e bujqësisë, në fushën e peshkimit dhe në gjithë atë çka përfshin aktiviteti, në hapësirën rurale. Një dialog, ku unë jam i bindur që, jo vetëm qeveria, por e gjithë administrata vetëm ka për të përfituar. Një dialog, ku unë jam i bindur se edhe partnerët tanë kanë vetëm për të përfituar. Një dialog ku unë jam i bindur se shumëçka duket sot e pamundur, mund të bëhet, pa shumë vështirësi e mundur, në rast se nëpërmjet dialogut ne përcaktojmë, jo veprimin e njëanshëm, por ndërveprimin si parakushtin e rrugës së suksesit tonë të përbashkët.
Pa këtë dialog është absolutisht e vështirë të besohet se skemat e përgatitura në letër, mund të kenë sukses në realitetin e ndërlikuar të bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, në Shqipëri.
Pa këtë dialog është vështirësisht e mundur të besohet se edhe ndihma, financimi, asistenca e miqve dhe partnerëve tanë, mund të ketë suksesin e dëshiruar. Ndërthurja e eksperiencave, ndërthurja e opinioneve, ndërthura e veprimeve është rruga e vetme që mund të garantojë sukses, për qeverinë, për politikat qeveritare në këtë fushë, për fermerin, për të gjithë investitorët e kësaj fushe dhe për të gjithë donatorët e kontributorët e tjerë që në këtë fushë janë të angazhuar.
Së fundi, duke qenë i bindur dhe po e përsëris, jo për formë, por për bindje, duke pasur në krye të dikasterit të Bujqësisë, të Zhvillimit Rural dhe të Administrimit të Ujërave një personalitet të fushës, ky dialog është pak më i sigurtë dhe i garantuar, jo vetëm për rastet kur ne mblidhemi të gjithë bashkë, por edhe për çdo rast që ka të bëjë me fatin e punës, të prodhimit dhe suksesit të cilitdo protagonisti individual. Do të doja ta mbyllja duke prekur edhe një element të cilin unë e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm edhe për fushën e zhvillimit rural, që është Reforma Territoriale.
Ne jemi shumë të vendosur, për të çuar përpara projektin e Reformës Territoriale, një projekt që si rrallë projekt tjetër, në thelb nuk ka asnjë kundërshti nga askush. Si rrallë, çështje tjetër edhe vetë politika shqiptare, që është e gatshme të ndahet edhe kur vjen puna për të përcaktuar nëse është natë apo është ditë, në këtë çështje është absolutisht e një mëndje; Duhet një Reformë Territoriale.
Reforma territoriale, në këndvështrimin tim dhe në këndvështrimin tonë, nuk është thjesht një ndarje e re administrative, nuk është thjesht shkurtim i domosdoshëm i shumë shpenzimeve të kota apo shkurtimi i domosdoshëm, i shumë bishtave të gjithë krijesës së korrupsionit kapilar, por është mundësia për kushte të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit; mundësia për sisteme të reja, të integruara, të administrimit të burimeve natyrore dhe të pasurisë së vendit; mundësia për t’i dhënë vetes një aftësi të re, në mirëtrajtimin e burimeve të jetës, duke filluar nga uji, duke vazhduar me tokën, duke shkuar më tej, me gjithë pasuritë e tjera natyrore, që janë edhe baza e punës dhe e të ardhurave në sektorin e bujqësisë.
Një territor kaq shumë i fragmetuar, i cili imponon fragmentimin e administrimit të sistemeve të ujit, të sistemeve të transportit, të sistemeve të mbledhjes e përpunimit të mbeturinave, të sistemeve të planifikimit dhe të financimit të aktiviteteve në hapësirën rurale, është në vetvete një bazë absolutisht e pafavorshme, për çdo politikë zhvillimi rajonal dhe kombëtar.
Për këtë arsye, njësitë e reja administrative, për ne janë në radhë të parë, hapësira që mundësojnë politika të integruara zhvillimi, që krijojnë kushte për uljen e pabarazive të thella midis zonave urbane dhe rurale, që mundësojnë shërbime shumë më cilësore dhe që e fundit, por jo për nga rëndësia, na krijojnë një instrument të ri për të kompaktësuar dhe maksimalizuar gjithë ndihmën e huaj, apo të gjitha financimet alternative, përpos financimit direkt nga buxheti i shtetit.
Për më tepër akoma, kur flasim për zhvillimin rural dhe kur flasim për sektorin bujqësor, Reforma Territoriale na krijon një hapësirë të re administrative për tregjet e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, dhe na jep mundësinë që të integrojmë brenda një njësie të tërë administrative, një zinxhir të tërë prodhues nga parcela në fshat deri tek tregu në qytet.
Me një fjalë, nëse flasim këtu sot për skema të reja mbështetje për bujqësinë, në këndvështrimin tim, reforma territoriale është kryeskema, e mbështetjes së bujqësisë, peshkimit dhe e nxitjes së zhvillimit rural në tërësi.
Duke ju falenderuar edhe njëherë për gjithë kontributet e dhëna; Duke falenderuar miqtë dhe partnerët tanë që prej vitesh kontribojnë drejtëpërdrejt qoftë në rritjen e kapaciteteve njerëzore, qoftë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të këtij vendi; Duke falenderuar në mënyrë të veçantë të gjithë aktorët dhe protagonistët që vijnë drejtëpërdrejt nga fusha e betejës, që është fusha e përpjekjes për të nxjerrë bukën, apo për të krijuar mirëqënie dhe vende të reja pune në këtë sektor, unë ruaj besimin që ky bashkëbisedim është një gur themeli në rrugën e përbashkët, ku me dialog të vazhdueshëm dhe me ndërveprim të vazhdueshëm, jam i bindur, ne do të mund të bëjmë një sukses të përbashkët.
Nuk e kemi bërë më parë këtë bisedë kaq të hapur dhe gjithëpërfshirëse sepse kemi qenë në një mendje me zotin Ministër, që tanimë ishte koha, që biseda e parë e kësaj natyre të bëhej mbi bazën konkrete të disa çështjeve konkrete për diskutim dhe të disa planeve konkrete të qeverisë. Plane të cilat, absolutisht nuk janë të përsosura, absolutisht nuk i besojmë të jenë të pakritikueshme e të papërmirësueshëm, por përbëjnë një bazë të mirë për të çuar më tutje këtë dialog.
Jeni të lutur që jo vetëm në këtë bashkëbisedim, që unë, për fat të keq nuk do të kem mundësi ta ndjek deri në fund sepse për pak, duhet të jem në bashkëbisedimin më pak të këndshëm të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe në vijim të mund të kemi një dialog konstant, qoftë bashkërisht, qoftë pjesë-pjesë dhe qoftë individualisht.
Thirrja ime për çdo protagonist të këtij sektori, këtu shoh një sërë prej tyre, është që të mos ngurrojnë për asnjë moment, t’i drejtohen Ministrit, t’i drejtohen drejtëpërdrejt Qeverisë apo dhe mua personalisht, për çdo problem që gjykojnë se duhet të jetë në vëmendjen tonë dhe për çdo lloj ngërçi, që nuk mund të kthehet më, në një paralizë të gjatë, për shkak të moskomunikimit.
Edhe njëherë shumë faleminderit dhe megjithë zemër sukses të përbashkët!