Rreth 385 apartamente në zonën e Shkozës në Tiranë, janë gati për të strehuar qytetarët në nevojë. Në bllokun e banesave, të shtrirë në 3 mijë metër katrore, mund të strehohen deri në 1 400 banorë të Tiranës, të cilët ndodhen në gjendje të vështirë ekonomike, apo atyre që janë të pastrehë, raporton “Vizion Plus”.
Qiraja në një apartament mund të shkojë nga 4 mijë deri në 10 mijë lekë në muaj, në varësi të sipërfaqes, që do të miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak. Në një banesë të tillë familja në nevojë mund të qëndrojë për vite me radhë, derisa ajo të rimëkëmbet ekonomikisht. Këto apartamente tashmë janë pronë e bashkisë së Tiranës, edhe pse ato janë ndërtuar prej vitesh, marrja e tyre në dorëzim u vonua, pasi sipas nënkryetares së bashkisë, administrata paraardhëse kishte një sërë borxhesh të pashlyera.