English

Reforma e re e pensioneve. Ja skema

O. Manjani - Rreth 1 milion qytetarë shqiptarë rrezikojnë të mbeten pa pension, nëse skema aktuale e sigurimeve nuk ndryshohet.

Aktualisht raporti kontribuues- përfitues është 1.1 me 1, ndërsa duhet të ishte 4-6 kontribuues dhe 1 përfitues. Sipas përllogaritjeve, rreth 45 % e kësaj skeme financohet nga buxheti i shtetit me afro 42 miliardë lekë në vit.

Për të shpëtuar skemën reforma e re synon forcimin e tre shtyllave: kontributin e detyruar, kontributin vullnetar alternativ dhe skemën private.

''Që një sistem pensionesh të funksionojë duhet të ketë një element të mjaftueshmërisë, pra për ata që janë përfitues duhet të fitojnë të ardhura gjatë moshës së tretë

për të jetuar me dinjitet, por gjithashtu duhet të kenë edhe një element tjetër, atë të përballueshmërisë. Skema që kemi ka dështuar me sukses në të dy elementët", tha dje Erjon Veliaj, ministër i Çështjeve Sociale dhe Rinisë.

Grupi i punës i ngritur me përfaqësues të gjithë grupeve të interesit, do të punojnë gjatë gjithë vitit për reformimin e skemës së pensioneve. "Mbi 1 milion shqiptarë sot, që janë në moshë punë dhe nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve, rrezikohen të mos marrin fare pension në pleqëri, çka do të përbënte një katastrofë sociale", tha Erjon Veliaj.

Ky grup do të gjejë format se si do të financohet skema e pensioneve, pasi aktualisht niveli i kontributit cilësohet shumë i ulët.

Reforma

Grupi i punës që po harton variantet e skemës së re të sigurimeve, ka arritur në konkluzionin se sistemi ynë i pensioneve ka dështuar qartazi në përmbushjen e këtyre objektivave.

Së pari, masa e përfitimit është shumë e ulët, dhe në bazë të tendencave demografike, këta tregues mund të përkeqësohen në raport me pagat – çka lë të kuptohet se skema nuk garanton mjaftueshmërinë e benefiteve për pensionistët.

Së dyti, skema është e papërballueshme dhe nuk e mban dot veten. Deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore është thelluar vit pas viti duke arritur në 42 miliardë lekë, ose 45% e shpenzimeve të ISSH-së, në vitin që sapo lamë pas.

Kjo sjell si pasojë një taksim të dyfishtë të të punësuarve, një herë si kontribute dhe njëherë tjetër me taksa për të financuar deficitin. Sipas grupit të punës, raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve është ngushtuar shumë. Ky raport është kaq alarmant edhe për faj të informalitetit. Çdo biznes i vogël siguron mesatarisht vetëm 1.45 punonjës.

Nga ana tjetër, vetëm 65% e forcave të punës marrin pjesë në sistemin e sigurimeve shoqërore. Problemi tjetër është fakti se edhe ata që janë pjesë e skemës derdhin kontribute vetëm për pagën minimale. Kjo edhe për faj të vetë skemës:

lidhja e dobësuar mes kontributeve dhe benefiteve, ku ata me paga të larta derdhin pesëfishin e kontributeve dhe mund të marrin vetëm dyfishin e pensionit të atyre me paga të ulëta, ka bërë që ata të derdhin kontribute vetëm për pagën minimale. Në periudhë afatgjatë parashikohet që zhvillimet demografike (plakja e popullsisë, etj)

do t’i përkeqësojnë treguesit e skemës, dhe ndërhyrja tani mundëson që t’i paraprihet problemit. Duhet pasur parasysh që aktualisht 9.7% e shqiptarëve janë mbi 65 vjeç, por në vitin 2050 do të jenë mbi 65 vjeç 25% e shqiptarëve, e nëse nuk veprohet tani mund të jetë shumë vonë.

Heqja e tavanit për kontributet

Të gjithë ata që paguajnë kontribute për pagën deri në 90 mijë lekë edhe pse e kanë atë më të lartë, nga janari i 2015- ës do të derdhin para për vlerën reale të rrogës.

Kështu nëse dikush e ka pagën 100 mijë lekë, sot paguan për sigurimin shoqëror 10 mijë lek, ndërsa pas hyrjes në fuqi të reformës së re do të paguajë 11 mijë e 500 lekë.

Ministri Veliaj, në një mbledhje të një grupi pune ndërministror tha se, :nuk do të preket asnjë qytetar që është afër moshës së daljes në pension”. Sipas kësaj ministrie, me këtë reformë nuk do të synohet rritja e moshës së daljes në pension, por lufta kundër informalitetit.

15 shkurti është afati për ISSH-në dhe Ministrinë e Financave të dorëzojnë draftin me ndryshimet ligjore dhe formulën e re të llogaritjes së pensioneve. Deri në muajin mars do të ketë disa variante të cilat do të shkojnë për votim në parlament deri kur të marrin konsensusin e grupeve të interesit.

Përmbajtja dhe qëllimi i reformës

Zbardhen pesë pikat ku do të mbështetet grupi i punës për reformë në pensione.

Së pari, çdo pensionist nuk do të humbasë asnjë të drejtë të fituar deri më tani. Pra, kjo reformë nuk u drejtohet pensionistëve të sotëm, por të punësuarve të sotëm.

Së dyti, reforma nuk cenon të drejtat e fituara nga qytetarët që janë afër moshës së daljes në pension. Së treti, gjatë gjithë këtij viti, ministria në bashkëpunim me ISSHnë do të ndërmarrë një veprim të gjerë për pastrimin e skemës së pensioneve nga çdo abuzim.

Qëllimi Së pari, duhet të garantohet që çdo i moshuar të ketë mundësinë të ketë një pension kur të mbushë moshën e përcaktuar, por me ketë shkallë kaq të ulët pjesëmarrjeje në skemë kjo nuk është e mundur të garantohet.

Së dyti, është e domosdoshme që të forcohet lidhja mes kontributeve dhe pensionit, jo vetëm për të nxitur qytetarët për të kontribuuar, por për të qenë edhe të drejtë me ta. Ndaj është e arsyeshme që të hiqet pensioni tavan e t’i jepet kujtdo mundësia për të kontribuar më shumë në rast se dëshiron një pension më të lartë.

Vlerësime Shehit për Pensionet

Në lidhje me procesin, ministri Veliaj siguroi se me të gjithë qytetarët, punëdhënësit e punëmarrësit, skema “do t’i nështrohet një diskutimi të gjerë e gjithëpërfshirës”. Do të ngrihet edhe këshilli për këtë proces. “Janë të ftuar të kontribuojnë nga gjithë spektri politik.

Jam krenar që jam pasues i Dashamir Shehit që ka themeluar bazat për skemën e pensioneve. Do të doja të kishte diskutime edhe me grupet e ndryshme parlamentare, ekspertët që partitë politike mund të ofrojnë, veç atyre të qeverisë".

Veliaj bëri të ditur se është planifikuar një konferencë kombëtare bashkë me Bankën Botërore, punëmarrësit etj. Konferenca do të mbahet në Mars, kur do të hartohet edhe “dokumenti për politikat për zhvillimin e skemës së pensioneve”. Kjo gjë, sipas ministrit “do të reflektojë në gjithë aktet ligjore e nënligjore”.

Dixhitalizohen regjistrat, pensionet online

Pensionet do të jenë online. Drejtorja e ISH-së, Vjollca Braho, vërejti se është e domosdoshme dhe po bëhet dixhitalizimi i sistemit aktual. "Ky dixhitalizim,- shpjegon Braho,- bëhet me mbështetjen teknike nga ana e Bankës Botërore". Reforma konsiston në dixhitalizmin e sistemit, për grumbullimin e gjithë materialit dokumentar për vjetërsinë në punë në Shqipëri.

“Me financimin e Bankës Botërore dhe qeverisë, u bë i mundur ndërtimi i arkivës qendrore në Lundër. Ka filluar të mblidhet gjithë dokumentacioni për vjetërsinë në punë. Është bërë e mundur zhvillimi i sistemit on-line të pagesave të pensioneve”, vërejti Braho.

Sipas saj, një pjesë e madhe e pagesave të pensioneve bëhet përmes Postës Shqiptare dhe projekti do të fillojë të zbatohet edhe për fshatin. Ajo bëri të ditur edhe se “Është përgatitur regjistri elektronik i pensioneve”.

Braho tha se është duke u bërë edhe zhvillimi dhe implementimi i llogarisë on-line të pensioneve dhe dixhitalizimi i vjetërsisë në punë. “Ka përfundur ky proces për kooperativat dhe është duke u bërë për ndërmarrjet shtetërore”.

Brahaj: Marrim nga buxheti 101. 8 miliardë lekë

'Sistemi i sigurimeve shoqërore në Shqipëri nuk është i balancuar dhe arsyeja kryesore e skemës deficitare të sigurimeve shoqërore, së pari, është numri i vogël i kontribuuesve, në të njëjtën kohë lëvizjet demografike, emigracioni, gjithashtu evazioni është një faktor mjaft i rëndësishëm'', tha Vjollca Braho, Drejtore e ISSH-së.

Reforma e pensioneve shihet si e detyrueshme, duke parë edhe tendencën për plakjen e popullisë. Aktualisht 9.7 % e shqiptarëve janë në moshën 65 vjeë, ndërkohë që në vitin 2050 rreth 25 % e shqiptarëve do të jenë 65 vjeç. Buxheti i ISSH-së është mjaft i madh, afërsisht sa ¼ e buxhetit të përgjithshëm ose rreth 101.8 miliardë lekë. ISSH kontakton çdo muaj dokumentet për mbi 1.2 milionë njerëz, të cilët janë kontribuues ose përfitues të skemës.

Zhvillimet ekonomike, demografike dhe sociale herë pas here kanë bërë të domosdoshme ndërmarrjen e një reforme në sistemin e sigurimeve shoqërore me qëllim përgjigjen më të mirë të ndryshimeve që kanë ndodhur. Nga viti 1993 dhe deri sot Ligji i Sigurimeve Shoqërore ka pasur disa ndryshime, ndër të cilat, si më të rëndësishme përcaktohen:

Reforma e rritjes së moshës së daljes në pension me 5 vjet si për burrat dhe për gratë, viti 2002, ku aktualisht masa ligjore e pensionimit ka arritur në 65 vjet për burrat dhe 60 vjet për gratë; vendosja e një

formule të re të llogaritjes se pensioneve të fshatit në vitin 1998, vendosja e sistemit të pensioneve të reduktuara dhe ulja e periudhës së sigurimit për pension të pjesshëm nga 20 në 15 vjet.

Gjithashtu, duke filluar nga viti 2006, megjithëse ende nuk kishte përfunduar reforma e rritjes graduale të moshës së daljes në pension, u identifikua nevoja për ndërmarrjen e reformave të mëtejshme, sidomos në drejtim të modernizimit të sistemit, rritjes së qëndrueshmërisë financiare të tij dhe një reformë e plotë për ngritjen e kapaciteteve institucionale të sistemit.

Nga ana e ekipit të BB, në bashkëpunim dhe me aktorë të tjerë u përcaktua nevoja për një reformë parametrike e sistemike e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe krahas saj një reformë administrative, si

dhe të ngritjes së një infrastrukture moderne që t’i përgjigjej nevojave të kohës dhe të së ardhmes. Sipas drejtores së ISSHsë, skema e sigurimeve shoqërore funksionon mbi bazën e parimit “Pay As You Go”, që do të thotë që pensionet që paguhen në një vit financohen nga kontributet e mbledhura po atë vit.

Skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht, pra kontributet e mbledhura nga personat e siguruar nuk mjaftojnë për të paguar përfitimet që jep skema brenda të njëjtit hark kohor (një vit).

Kjo paqëndrueshmëri financiare vjen si rezultat i numrit të ulët të kontribuuesve, evazionit (mosdeklarim të punësimit dhe deklarim jo saktë i pagave), numrit relativisht të lartë të pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, moshës së ulët të pensionistëve, si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim

të viteve 90, ndryshimeve demografike, nivelit të papunësisë, nivelit të lartë të emigracionit të personave që janë në moshë pune. Aktualisht deficiti i skemës shkon në 1.5% të GDP-së.

KOMENTE