English

Moisiu: “Berisha dhe Nano janë përgjegjës për këtë turbullirë 23-vjeçare”. Basha të shkëputet nga stili Berishian

S. Topi - Ish-Presidenti Alfred Moisiu në një intervistë për “Shekullin” vlerëson hapat e parë të qeverisë ndërsa i kujton Ramës ti përmbahet deklaratës se: “nuk kemi ardhur në pushtet për të siguruar rizgjedhjen tonë por kemi ardhur në pushtet për të bërë shtet”

- Moisiu e konsideron jo normale mosinformimin nga ana e SHISH-it ndërsa pohon se ngjarjet e fundit janë akte terroriste dhe ligji i Shërbimit Informativ Shtetëror përcakton që ai duhet të mbledhë informacione dhe të informojë Presidentin dhe Kryeministrin. Sipas ish-Presidentit të Republikës, hapat e parë të qeverisë “Rama” janë në rrugën e duhur. Por thekson ai, Kryeministri duket i përmbahet deklaratës së tij se “nuk kemi ardhur në pushtet për të siguruar rizgjedhjen tonë por kemi ardhur në pushtet për të bërë shtet”.

Zoti Moisiu ngjarjet e fundit të shpërthimeve janë kthyer në një argument për debat të fortë politik mes opozitës dhe mazhorancës sidomos pasi kjo e fundit ka akuzuar Shërbimin Informativ Shtetëror për mosdhënie informacioni. Ju si i cilësoni këto deklarata?

Çështja e Shërbimit Informativ është një histori, për fat të keq, e hershme tek ne. Jam ndeshur me këtë problem që kur isha në detyrën e Kryetarit të Shtetit, në 2005 që u bë ndërrimi i pushteteve. Atëherë menjëherë, kryetari i mazhorancës së re, në atë kohë Berisha, kërkonte që SHISH-in ta bënte pjesë të Ministrisë së Brendshme. Në atë kohë ndodheshim në New York, në sesionin e OKB-së,si unë dhe Berisha. Në një intervistë që i kam dhënë “Zërit të Amerikës” për këtë gjë kam thënë: “Këtë problem unë e kam ndjekur nëpërmjet shtypit por me kryeministrin akoma nuk e kemi diskutuar konkretisht. Unë mendoj se këto hapa duhet të jenë të menduara, të peshuara mirë dhe të gjykuara bashkërisht, duke parë gjithë legjislacionin dhe përvojën e hidhur të së kaluarës për të arritur mandej në konkluzione të përshtatshme. Shërbimi Informativ ka një përvojë shumë të hidhur që në kohën e Gazidedes sa i përket politizimit të tij. Kurse kohët e fundit mendoj se kemi arritur ta depolitizojmë këtë shërbim me qëllimin e mirë për ti shërbyer interesave të vendit dhe kërkesave që parashikon ligji dhe Kushtetuta. Njëkohësisht ky shërbim ka detyrime dhe marrëdhënie shumë të ngushta me aleatët tanë, veçanërisht sa i përket luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe fenomeneve të tjera negative për të cilat rajoni i Ballkanit, ku dhe në drejtim të vendit tonë, herë pas here ka pasur akuza për sa i përket këtyre problemeve. Pra gjykoj se ky problem duhet parë me kujdes që hapat të hidhen në mënyrë shumë të menduar. Sa i përket detyrimit kushtetues dihet se drejtori i Shërbimit dekretohet nga Presidenti i Republikës. Ajo është taksative dhe as që diskutohet se do të ndryshojë, sepse një gjë e tillë kërkon ndryshim të Kushtetutës dhe ndryshimi i saj bëhet vetëm kur gjykohet i nevojshëm”. Me këtë dua të them se tek ne ekziston një tendencë shumë e keqe për të vënë dorë tek Shërbimi Informativ, për ta kthyer atë në shërbim të pushtetit, nga e cila duhet hequr dorë. Por po të shikojmë tani, për shembull, çështja e bandës së bombave, ministri i Brendshëm thotë se nuk kam asnjë informacion. Kjo për mua është e papranueshme, sepse këtu ke të bësh me një akt terrorist dhe përshkruhet në nenin 3 të ligjit për SHISH-in, i cili e detyron këtë strukturë t’i ndjekë këto probleme dhe t’i japë informacionin e duhur Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit si dhe të bashkëpunojë me organet e tjera të sigurisë për arritjen e qëllimeve. Ligji e përcakton qartë dhe në mënyrë eksplicite se ky shërbim, pavarësisht se drejtori emërohet nga Presidenti, varet nga Kryeministri. Pra nuk e kuptoj se si është arritur në këto marrëdhënie. Nuk është aspak normale që Shërbimi Informativ të mos ndjekë këto probleme dhe mos t’i japë informacionet e duhura Kryeministrit apo ministrit të Brendshëm. Ky shërbim duhet të koordinojë veprimtarinë e tij bashkë me organet e tjera të sigurisë në vend. Një gjë e tillë është e papranueshme. Cilat janë arsyet unë nuk e di, por mendoj se shqetësimi që ka shfaqur mazhoranca qëndron dhe duhet rregulluar. Si duhet rregulluar? Për këtë duhet parë Kushtetuta dhe ligjet, në mënyrë që çdo gjë të jetë e harmonizuar. Nuk lidhet me dëshirat e x apo y por në përputhje me ligjet e vendit tonë dhe në përputhje me interesat e Shqipërisë.

Nga ana tjetër Presidenti Nishani ka vlerësuar rolin e SHISH-it ndërkohë që opozita ka kërkuar që Ajazi të përgjigjet në Kuvend për akuzat ndaj tij...

Kjo është normale, është e drejtë e Komisionit të Sigurisë. Parlamenti e ka këtë të drejtë dhe kjo është specifikuar dhe në ligjin e Shërbimit Informativ se deri ku mund të hyjë interesimi i deputetëve për aktivitetin e këtij shërbimi. Pra këto gjëra janë të parashikuara në ligj dhe unë kujtoj se ka pasur debate në të kaluarën dhe si pasojë e tyre janë kristalizuar të drejtat dhe detyrimet, problemi është se duhen zbatuar.

Në këto kushte njëra palë ka të drejtë, por për mendimin tim fakti që SHISH-i nuk ka kontribuar për sa i përket zhvillimeve të fundit, sidomos problemi i bombave, ato vërtet kanë futur tmerr tek njerëzit, flet se nga ana e tij ka mangësi që duhen korrigjuar urgjentisht. Dikush thoshte që na është bërë zakon që në mëngjes kontrollojmë përfund makinës. Kjo nuk është normale. Unë mendoj se SHISH-i në këto situata duhet të ishte më shumë aktiv.

Kryeministri Rama ka paralajmëruar një reformimit ligjor dhe strukturor të Shërbimit Informativ Shtetëror. Është e nevojshme një gjë e tillë?

Normal kur gjërat çalojnë sigurisht duhet gjetur zgjidhje. Zgjidhja fillon nga rishikimi i ligjeve por kuptohet dhe nga ana strukturore. Por gjithmonë duke pasur parasysh që ky shërbim është shumë i rëndësishëm për vendin dhe nuk duhet të jetë në shërbim të asnjë force politike por vetëm në shërbim të vendit.

Si po qeveris mazhoranca e majtë?

Në këto 23 vjet për fatin tonë të keq Shqipëria është turbulluar shumë. Ka pasur shumë gabime, shumë deformime në politikë. Forcat politike gjithmonë kanë synuar të marrin pushtetin me çdo kusht dhe ta mbajnë me çdo kusht. Mirëpo duke vepruar në këtë mënyrë gjithmonë këto synime të çojnë në gabime që kanë pasoja. Pasojat vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot, vërtet është bërë një lëmsh. Unë shpresoj dhe kam bindjen, që të paktën sa është thënë, si gjatë fushatës qoftë edhe në fjalimet e ndryshme që ka mbajtur Kryeministri, që ky lëmsh do të fillojë të zgjidhet, por nuk është e thjeshtë. Populli thotë kur prishet uji duhet të kalojë shtatë gurë që të pastrohet. Unë uroj që për këtë mazhorancës ky të jetë guri i parë, të fillojë kthjellimin e situatës kaq të turbullt që është krijuar gjatë këtyre 23 vjetëve. Më pëlqen shumë një shprehje e Kryeministrit që “nuk kemi ardhur në pushtet për të siguruar rizgjedhjen tonë por kemi ardhur në pushtet për të bërë shtet”. Shpresoj ta ketë seriozisht këtë punë.

Hapat e parë, janë premisë pozitive në këtë drejtim?

Më duket se kjo mazhorancë nuk po punon keq. Sigurisht që në këtë lëmsh 23-vjeçar nuk është e lehtë të vendosësh rregull që nga konceptimi, mentaliteti i politikanëve. Mentaliteti i tyre për fat të keq ka qenë mjaft i gabuar, është luftuar për pushtet dhe jo për të bërë shtet. Për fat të keq, tek politikanët tanë ka pasur mungesë të kulturës ligjore dhe politike. Kryesorja ka qenë marrja e pushtetit me çdo kusht dhe ruajtja e pushtetit me çdo kusht. Gjë që ka çuar në gabime të rënda në politikën tonë. Unë gjykoj dhe më duket se kjo mazhorancë, megjithëse është herët akoma për ta gjykuar, pasi janë vetëm 4 muaj dhe mazhoranca për angazhimet e saj mund të gjykohet në fund të 4 viteve, megjithatë mund ta them me bindje se kahja më duket pozitive.

Emërimi i të rinjve, vendim pozitiv

Pjesë e kabinetit qeverisës por dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme, janë kryesisht të rinj. Tashmë ku kanë kaluar 4 muaj nga nisja e punës së qeverisë mendoni se “Rama” ka bërë zgjedhjen e duhur duke angazhuar të rinj?

Këtë fenomen unë e gjykoj si gjënë më pozitive. Të emërosh persona të përfolur në qeveri nuk do të ishte aspak pozitive. Këta njerëz, të paktën shumica dërrmuese e tyre, janë të papërfolur. Vetë ky element, duke vendosur njerëz pa ngarkesa nga e kaluara mendoj se është shumë pozitiv. Si do ta bëjnë detyrën ata është tjetër çështje, duhet ta shikojmë.

Si e shikoni mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë?

Mendoj që ne jemi dy shtete shqiptare dhe se këto dy shtete shqiptare duhet të merren vesh, për këtë nuk mund të ketë diskutim. Përkundrazi duhet kritikuar pse nuk është bërë më parë. Të ngrejë Kosova probleme për doganën shqiptare më shumë se për atë maqedonase apo serbe është fare pa sens. Nuk di çfarë emri ti vë. Sigurisht që jemi një komb dhe pavarësisht se jemi dy shtete është detyrë atyre që janë në krye të shteteve të merren vesh sa më mirë me njëri tjetrin. Për mendimin tim takimet duhet të bëhen sa më të shpeshta, se po u bënë të rralla dalin simbolike. Nuk kemi nevojë për takime simbolike por për fryte konkrete.

Partia Socialiste ka bërë pjesë të bashkëpunëtorëve strategjikë dhe Turqinë. Është kjo një lëvizje e drejtë?

Çdo qeveri përpunon strategjinë e saj, shikon interesat konkrete të zhvillimit dhe në këtë kuadër zgjedh dhe partnerët që i duken më të udhës për realizimin e tyre. Nuk më duket ndonjë gjë e jashtëzakonshme.

Rrëzimi i dekreteve, ish-Presidenti: Palët të korrigjojnë qëndrimet

“Për emërimet unë gjithmonë kam ndjekur praktikën e konsultimeve dhe mendimet i kam thënë, por jo në deklarata publike”

Përplasja mazhorancë-presidencë për emërimin e gjyqtarëve është një çështje e vjetër por që duhet të gjejë zgjidhje. Ish-Presidenti Moisiu ndërsa kujton se dhe disa nga dekretet e tij janë rrëzuar apo kontestuar, thekson se kjo situatë nuk është aspak normale dhe dëmton imazhin e vendit. Moisu nuk pranon të komentojë deklaratën publike të Presidencës kundër vendimit të Parlamentit por shton se ai vetë ka zgjedhur ti thotë mendimet, por në tryeza bisedimesh, jo deklarata publike.

Çështja e SHISH-i por dhe emërimet e gjyqtarëve, rasti më i fundit i rrëzimit të dekreteve të Presidentit Nishani për dy gjyqtarë të Gjykatës Lartë, a janë një përplasje mazhorancë - presidencë?

Këto situata nuk janë të reja. Më kanë ndodhur dhe mua, me të dy krahët e politikës. Për shembull kur kam propozuar për anëtare të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tushën, megjithëse më parë kisha marrë miratimin e PS-së, ma rrëzuan dekretin në Parlament. Po kështu më ka ndodhur edhe me mazhorancën e djathtë, më ka rrëzuar dekretin e Artan Hoxhës gjithashtu për në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa për gjyqtaren Gjenovefa Gaba akoma dekreti qëndron pezull në Parlament. Unë nuk e di si do shkojë puna sepse nuk është normale që një dekret i një Presidenti të qëndrojë pezull. Kuvendi është i detyruar të japë pëlqimin po ose jo. Në atë kohë nuk e ka dhënë, por mendoj që këtë parlamenti i sotshëm duhet ta shikojë, pasi sikurse e përmenda, një dekret presidencial nuk ka pse të rrijë aty pezull, është veprim antikushtetues. Dhe këtë duhet ta marrë në konsideratë edhe Presidenti Nishani, pavarësisht se dekretin e ka dërguar një tjetër më parë. Vetëm kështu mund të vendosim rregull në shtet. Po kështu më ka rrëzuar Lutfi Dervishin, të cilin e propozova për anëtar të Komisionit të Kontrollit të Medias. Në atë kohë, sipas ligjit nga 7 anëtarë 1 ishte i presidentit, ndarja ishte e drejtë 3 për secilën palë dhe i shtati emërohej nga Kryetari i Shtetit. Parlamenti ma rrëzoi pa argument fare. Pra këto gjëra për fat të keq tek ne kanë ndodhur, nuk janë të reja. Unë për këto raste gjithnjë ndiqja metodën e konsultimeve paraprake me grupet parlamentare. Ka pasur raste, kur një nga ato emra që unë mendoja, nëse njëra palë nuk binte dakord, në këto kushte unë e kam tërhequr emrin, nuk e kam dekretuar. Nuk e di si ka bërë zoti Nishani, di që ka pasur konsulta por nuk di nëse kanë qenë emërore apo të përgjithshme. Gjithsesi kjo nuk është normale, duhet korrigjuar nga të dy krahët, qoftë Kryetari i Shtetit duhet të bëjë korrigjimin e duhur por dhe mazhoranca. Të rrëzosh një dekret të Presidentit nuk është aspak normale sepse shteti është shtet dhe institucionet duhet të funksionojnë, duhet të merren vesh, të gjejnë mirëkuptimin bazuar në Kushtetutë e ligje. Kjo nuk është mirë as për vendin, kur ne aspirojmë për në BE. Mosakordanca midis Kryetarit të Shtetit dhe Parlamentit krijon një shenjë jo pozitive.

Si e konsideroni reagimin publik të presidencës për rrëzimin e kandidaturave për Gjykatën e Lartë nga Parlamenti?

Nuk e kam zakon të flas për presidentët, nuk e quaj etike por mund të them këtë, kur kam qenë në detyrë, për rastet që përmenda nuk kam bërë prononcime publike. I kam shprehur mendimet e mia në takime të ndryshme, jo publike.

“Berisha dhe Nano janë përgjegjës për këtë turbullirë 23-vjeçare”

“Opozita, Basha duhet të largohet nga stili berishian. Ish-kryeministrat, nëse nuk japin llogari, të paktën nuk duhet të ngatërrojnë më punë”

Sali Berisha dhe Fatos Nano janë përgjegjësit e turbullirës 23-vjeçare dhe ata duhet të japin llogari për këtë. Nëse nuk japin llogari të paktën nuk duhet të ngatërrojnë punë. Kështu pohon ish-Presidenti Moisiu sipas të cilit opozita duhet të ndryshojë mënyrën e opozitarizmit. Sipas tij shteti bëhet duke diskutuar dhe jo me gërr-vërre, siç i cilëson ai, debatet mes palëve.

“Nuk na japin gjë emërtimet: krizë greke, gjeorgjiane apo ukrainase. Jemi shqiptarë dhe duhet të punojmë për këtë vend, për këtë janë zgjedhur politikanët tanë. Sa do jetë i zoti Basha të shkëputet nga ndikimi i këtij stili të vjetër i opozitës berishiane nuk e them dot. Unë uroj që të shkëputet”, - pohon Moisiu. Sa i përket rendit, ai vlerëson punën e deritanishme të Policisë së Shtetit ndërsa kritikon PAMECA-n.

Zoti Moisiu si e shikoni situatën e rendit në vend?

Këta muajt e fundit ka pasur disa probleme shqetësuese. Kanë ndodhur disa ngjarje të rënda, që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe kanë tronditur njerëzit, për sa i përket problemit të sigurisë. Por në të njëjtën kohë, ditët e fundit ka pasur dhe disa arritje të mira policisë, në zbulimin e ngjarjeve të vështira. Të tilla kanë qenë: kapja e grupit të të rinjve që goditën autobusin, kapja e bandës që vendosnin bomba në makina dhe kryenin vrasje me pagesë, ndërsa është zbuluar dhe kapur banda e vjedhjes së pikave të karburantit. Këto fakte tregojnë që policia është në krye të detyrës, po punon dhe është aktive dhe efikase në luftën kundër krimit. Por vetëm dua të them, që është për të ardhur keq kur dëgjojmë që policia edhe pas këtyre rezultateve, në vend që të inkurajohet kritikohet pa vend. Kritikat më tepër bëhen të karakterit politik sesa profesionalisht. Këtë do ta konsideroja jo vetëm të gabuar, por shumë të dëmshme, sepse policia në fund të fundit po i shërben të gjithë qytetarëve. Krimi nuk dallon nëse je i majtë apo i djathtë, apo je jashtë këtyre krahëve, asnjanës. Në këtë mënyrë, duke e gjykuar policinë politikisht, dëmtojmë punën e saj, në vend që ta inkurajojmë. Njëkohësisht mos harrojmë se në çfarë gjendje e ka katandisur politika jonë e mbrapshtë Policinë e Shtetit gjatë këtyre njëzet e tre viteve të tranzicionit. Gjatë një vizite të komisionerit Stefan Fule vjet, në takimin me disa intelektualë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, ngrita me forcë problemin, që BE-ja bën një investim shumë madhor tek ne, që është PAMECA, me qëllim të ngrejë një polici bashkëkohore mbi bazën e kërkesave dhe ligjeve të BE-së.

PAMECA është shumë e hershme këtu tek ne, por cili ka qenë rezultati i saj?

Rezultati i saj është se ne jemi bërë me dy polici, një në punë dhe një në shtëpi. Me ndërrimin e pushteteve ndërron dhe policia. Për këtë punë të dobët PAMECA-n e kam kritikuar që në kohën kur kam qenë Kryetar Shteti.

Pse ka ndodhur kjo?

Pasi PAMECA në krye të saj ka pasur funksionarë të zot, por pensionistë. Pra ata vërtet ishin profesionistë, por në të njëjtën kohë pensionistë, të interesuar më shumë për të zgjatur afatin e kontratës së punës. Kështu ju shkonin përkrah kërkesave të kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm, pavarësisht se kush ishin dhe si ishin. Dhe ky është një rezultat shumë negativ. Policia me Kushtetutë dhe me ligj është e depolitizuar, por për fat të keq mazhorancat tona duke dashur që ta kenë nën ndikim atë, më shumë janë munduar të çojnë aty njerëz ‘të besuar’, militantë sesa profesionistë. Dhe kur pushtetet ndërrohen, për fat të keq fillon dhe ndryshimi i drejtuesve të policisë dhe kuadrove të rëndësishme, sepse vendosja e tyre është bërë pa kriter. Një mungesë kriteri sjell një tjetër mungesë kriteri dhe në vend që ne ta rregullojmë këtë punë, e prishim. Unë mendoj dhe shpresoj se kjo mazhorancë, duke bërë ndryshimet që i ka konsideruar të nevojshme, duhet të arrijë të krijojë një polici të shtetit dhe jo polici të pushtetit. Opozita ka shprehur kritika për emërimet në polici.

Mendoni se është në rrugën e duhur?

Unë mendoj se policia po ecën në rrugë të drejtë dhe duhet mbështetur. Po ndiqja në një emision televiziv mënyrën se si është kapur Sinanaj. Vërtet ata që e kanë arrestuar janë treguar shumë kurajozë dhe profesionistë, sepse ai është një vrasës shumë i rrezikshëm dhe këta njerëz nuk bëhen zap lehtë. Mënyra se si polici e kishte goditur me qytë dhe më pas kishte qëlluar, për t’i thënë mblidh mendjen se nuk ke ku shkon, tregon se janë njerëz kurajozë dhe profesionistë që duhen përshëndetur, duhen vlerësuar dhe duhen dekoruar, pasi në fund të fundit shembulli pozitiv është i nevojshëm për t’u njohur nga masa, por dhe inkurajuar në radhët e policisë, sepse sigurisht jo të gjithë janë njëlloj.

Të bërit opozitë është në nivelin e duhur?

E kam thënë publikisht me kohë që, si Berisha dhe Nano janë përgjegjës për këtë turbullirë 23-vjeçare që i është shkaktuar vendit tonë dhe ata duhet të japin llogari. Nëse nuk japin llogari, të paktën nuk duhet të ngatërrojnë më punë. Ndikimi i Berishës duket qartë, sepse stili nuk ka ndryshuar. Është stili berishian i të bëri opozitë, duke folur kundër çdo gjëje... Nuk them se nuk ka gabime, por ama, në radhë të parë, ne shqiptarët jemi të interesuar që të bëjmë shtet dhe shteti nuk bëhet me gërr-vërre. Shteti bëhet duke diskutuar seriozisht ligjet në parlament, si t’i ndryshojmë, si t’i rregullojmë. Aty mund të ketë përplasje, por përplasje jo për t’i bërë gjërat si i duhen njërës palë apo tjetrës, por si i duhen këtij populli. Nëse do vazhdojmë të merremi me gërr-vërre, kjo është për të ardhur keq, sepse opozita është një pasuri e madhe kombëtare dhe pa opozitë nuk mund të ecë demokracia. Unë mendoj se opozita me stilin e vjetër nuk sjell asgjë të mirë, ai duhet ndryshuar urgjentisht. Nuk na japin gjë emërtimet: krizë greke, gjeorgjiane apo ukrainase. Jemi shqiptarë dhe duhet të punojmë për këtë vend, për këtë janë zgjedhur politikanët tanë. Sa do jetë i zoti Basha të shkëputet nga ndikimi i këtij stili të vjetër i opozitës berishiane nuk e them dot. Unë uroj që të shkëputet sa më parë për të mirën e këtij populli të shumëvuajtur.

KOMENTE