Komisioni i ligjeve miraton shkarkimin e kreut të ILDKP-së, Zana Xhuka. Kërkesa e 51 deputetëve të mazhorancës u miratua me 13 vota pro dhe 1 kundër në Komision, ndërkohë që opozita nuk ishte e pranishme në mbledhje.
Kryeinspektorja e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive Zana Xhuka nuk u paraqit në komisionin e ligjeve për tu njohur me raportin e grupit të kontrollit dhe nismës së 51 deputetëve të mazhorancës që kërkonin shkarkimin e saj.
Në komision munguan dhe deputetët e opozitës, të cilët u përfaqësuan vetëm nga nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi. Por, pas disa minutash edhe ai është larguar, duke deklaruar se ky veprim i mazhorancës është një sulm i turpshëm dhe i paligjshëm.
Sipas Bylykbashit edhe kontrolli parlamentar ndaj ILDKP-së ishte në shkelje të hapur me ligjin. Sipas tij shumica po kërkon të kapë institucionet e pavarura dhe opozita nuk do bëhet pjesë e kësaj farse.
Ndërkohë, kreu i komisionit, Fatmir Xhafaj, tha se me mungesën e saj të përsëritshme Zana Xhuka po tregon se nuk respekton institucionin e Parlamentit.
Xhafaj tha se, Xhuka është njoftuar zyrtarisht për mbledhjen e sotme dhe nuk ka dërguar asnjë shkresë zyrtare për mungesën saj. Mbledhja ka vijuar edhe pa praninë e opozitës ku relatori i çështjes Armando Subashi ka lexuar raportin për shkarkimin kreut të ILDKP-së.