English

Naço: Administrata publike e dëmtuar nga inercia politike

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, e ka cilësuar administratën publike të dëmtuar nga inercia politike dhe për këtë është ndërmarrë një nismë e re për hartimin e Kodit të Procedurës Administrative. Ai tha se kjo nismë ka si qëllim lehtësimin e nëpunësve civil dhe modernizimin e administratës publike.

“Administrata publike është dëmtuar nga inercia politike dhe çdo ndryshim politik ka sjellë dhe ndryshime administrative dhe burokraci të tepruar. Kjo nismë ligjore është hartuar edhe me mbështetjen e BE-së dhe vjen edhe në përputhje me unifikimin e ligjeve të tjera, si statusi i nëpunësit civil, ligji për organizimin dhe funksionimin e organizatës shtetërore etj”, u shpreh Naço.

Ministri i Drejtësisë tha se, ligjet përbëjnë hap të rëndësishëm në reformimin e sistemit gjyqësor, në rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit. Naço bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka ftuar OSBE-në, delegacionin e BE-së, unionin e gjyqtarëve, Gjykatën Kushtetuese etj., për të paraqitur komentet për projektligjin.

Të pranishëm në këtë tryezë janë edhe Albana Koçiu, drejtore e departamentit të Administratës publike, Igli Totozani, Avokat i Popullit etj. Sipas këtij të fundit, ajo çfarë është e rëndësishme veç të tjerave, është që të kërkohet që ligji të zbatohet, në përballje të qytetarit me administratën publike, gjë që do të bënte "të gëzonim një administratë publike të pavarur, që nuk do të ndryshonte sa herë që ndërrohen qeveritë"/Shekulli/

KOMENTE