“Nesër nën moton ‘Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi’, protesta më e madhe e historisë! Të dashur miq, nesër të gjithë protestojmë në Tiranë nën moton “Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi”!
Protestojmë për dinjitetin tonë dhe kundër mashtrimeve të Edvin Kristaq Ramës. Për rritjen e rrogave, pensioneve dhe kundër ngrirjes së tyre trevjeçare, kundër rritjes së taksave dhe heqjes së shpërblimit të fundvitit nga Edi Rama. Protestojmë për punësimin, për legalizimet dhe shëndetësinë falas dhe kundër shkatërrimit të vendeve të punës dhe kundër tritolit në shtëpitë tuaja nga qeveria Rama – Meta. Për uljen me 20% të çmimit të ushqimeve dhe energjisë elektrike dhe kundër faturës afrofe. Për lëvizjen e lirë të furgonave dhe kundër monopoleve të qeveritarëve në transportin e pasagjerëve. Për ligjin, transparencën dhe kundër qeveritarëve kleptokrat. Për rendin, qetësinë, sigurinë tonë, kundër tritolit, maskave dhe kundër gjobave dhe trafiqeve të qeverisë”.
Ky ka qënë statusi i sotëm që ish-kryeministri Berisha ka postuar në faqen e tij Facebook.
Në fund ish-kryeministri e cilëson protestën e ditës së nesërme si protestën e djemve, vajzave, burrave dhe grave që do shkruajnë nesër me guximin e tyre një faqe të re në historinë e demokracisë sonë!
Masat e policisë
Policia e Tiranës do të marrë një tërësi masash për mbarëvajtjen e zhvillimit normal të protestës së Partisë Demokratike. Në një njoftim për mediat është bërë e ditur se, ditën e nesërme do të bllokohen disa segmente rrugore.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka informuar qytetarët se këto masa do të ndërmerren për ruajtjen e sigurimit të rendit dhe qetësisë, gjatë zhvillimit të kësaj proteste.
“Duke filluar nga ora 11.00 e ditës së nesërme, do të bllokohen të gjitha hyrjet drejt sheshit “Skënderbej”, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe të gjitha rrugët që kanë lidhje me segmentin rrugor nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Nënë Tereza” Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.