Alfred Viçishta/Gjermani - Ata që deri më 23 qershor vodhën dhe shkatërruan Shqipërinë,ata që nuk kishin burrninë të bënin as dorëzimin e detyrës për të cilën paguheshin nga taksat e popullit, ata që i braktisën dhe i lanë ministritë siç lë dhelpra kotecin e pulave, ata duan përsëri më 20 shkurt 2014 të djegin dhe shkatërrojnë Shqipërinë. Dhe kjo vetëm për të shpëtuar lëkurën e tyre, të cilën e kanë të damkosur përjetë me tatuazh si “Hajdutë” dhe “Vrasës”.
Po përse kanë filluar të vihen në lëvizje? Neuro-biologët kanë hedhur teza të reja, se në trupin e njeriut funksionon edhe një tru i dytë, i cili ndodhet në bark. Kur po ndiqja këtë dokumentar në televizionin frako-gjerman “Arte” dhe njëkohësisht në internet lexoja lajmet nga Shqipëria, në të cilat, pothuajse çdo ditë, i rezervohet shumë hapësirë publikimeve të gjyshit Sali dhe mbesës Dasara, u binda për teorinë e dy truve në trupin e njeriut. Një bark i tejngopur nga vjedhjet e ka “abdominal brain” më agresiv dhe kjo dominon në logjikën dhe idetë gjakatare që personi përcjell në publik.
Truri i dytë që ndodhet në barkun e nginjur të Sali Berishës e shpjegon qartë se përse ai e ka kthyer Parlamentin shqiptar në mejhane, ku “diarreja” e tij verbale, si një virus i rrezikshëm përhapet nëpërmjet mediave vizuale, kudo ku dëgjohet shqip. Sali Berisha dhe klani i tij kanë vjedhur aq shumë, saqë barku i tyre i tejfryrë, u ka bllokuar funksionimin normal të trurit të kryes dhe e kanë të vështirë që t’i përshtaten rolit të ri që duhet të luajnë. Pra, si thotë ai proverbi shqiptar: “Çfarë ka barku i nxjerr bardhaku”. Në ndryshim nga gratë, të cilat çakërdisen pas menopauzës, nga ndryshimi i orës biologjike, plaku 70 vjeçar Sali Berisha bërtet e shan nga frika, nga zemërimi, sepse po i vjen dita për të dhënë llogari para shqiptarëve, për krimet që ka bërë.
Të gjithë ne e kemi të qartë se në duart e kujt ishte Shqipëria deri më 10 shtator 2013. Të gjithë e dimë se përse ra shteti në duart e mafies dhe të krimit dhe përse degjeneroi demokracia jonë e brishtë, duke u abuzuar me pasuritë e shqiptarëve që u ndërtuan me aq mund dhe me djersë. Sali Berisha dhe klani i tij kanë vjedhur aq shumë, saqë kanë humbur çdo lidhje me realitetin; ata kanë vjedhur deri në çmenduri, saqë mendojnë se shqiptarët janë jeniçerët e tyre dhe mund t’i vënë përpara si kope, për të mbrojtur interesat e oligarkisë që u pasurua duke e çuar ekonominë shqiptare në shkatërrim. Fatkeqësia sot është që opozita dhe anëtarët e PD-së nuk kanë kurajën të ngrihen kundër diktatorit Berisha, sepse ai i ka lidhur ata me njëmijë fije me krimin dhe korrupsionin, duke iu lënë dorë të lirë për të vjedhur kur ai ishte në pushtet.
Kushdo që lexon mesazhet e Berishës këto ditë e kupton se ish- komunisti që inspekton me makinën e Sigurimit më 20 shkurt 1991, turmën që rrëzoi bustin e Enver Hoxhës, kërkon të përfitojë prapë nga idhulli i tij shpirtëror. Duke mbajtur në dorë shkopin për të dirigjuar protestën më 20 shkurt, ai nuk bën thirrje për të kujtuar shembjen e mitit të Diktatorit, të cilit ai i shërbeu deri në përulësi, por për të shpëtuar atë trashëgimi të keqe të Enverit, që Sali Berisha mban akoma në kokën e tij perverse, duke mbajtur peng Partinë Demokratike/Shekulli/